“Thembra e Akilit”, është kapja dhe burgosja e politikanëve të korruptuar!

Politika

“Thembra e Akilit”, është kapja dhe burgosja e politikanëve të korruptuar!

Nga: N.Sh Më: 15 nëntor 2018 Në ora: 16:14
Foto ilustrim

Tashmë jemi në limitet e kohës që gjykimi i politikanëve dhe zyrtarëve të lartë të korruptuar të ndodhë. E kjo jo vetëm pse është kërkesë e gjithë institucioneve ndërkombëtare por edhe sepse është nevojë e brendshme për funksionalitetin e shtetit të së drejtës.

Kështu thotë, profesor Faton Kurti, kryetar i Republikanëve të Kosovës, i cili shton se, si çdo proces i komplikuar kërkon jo vetëm kohë por edhe platformën e duhur ligjore.

“Konkretisht nuk mund të ketë Veting për politikanët pa Veting në sistemin e drejtësisë”, thotë ai për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, sondazhet kanë treguar që shumica e qytetarëve të Kosovës besojnë që sistemi i drejtësisë është më i korruptuari dhe i mungon profesionalizmi dhe pavarësia.

Image
Faton Kurti

“Thembra e Akilit pra është pastrimi i sistemit të drejtësisë që do të thotë të gjithë gjyqtarët, prokurorët përfshi edhe Kryeprokurorin duhet të kalojnë filtrin e Vetingut.

Procesi i vetingut bazohet në:

– vlerësimin e pasurisë

– kontrolli i figurës

– vlerësimi i aftësive profesionale”, shton ai.

Sipas tij, dekriminalizimi i politikës do duhet të vijë me pastrimin e gjyqtarëve të korruptuar apo të kapur politikisht nga krahë, klane dhe interesa të caktuar.

“Konkretisht, Vetingu është një nga fjalët më të përdorura në Shqipëri por procesi atje ka një të metë sepse parashikon vetëm përjashtimin nga sistemi të gjyqtarëve të korruptuar dhe jo burgosjen apo konfiskimin e pronave të vëna si favor të lidhjeve me krimin e organizuar”, thekson Kurti.

“Mendoj se modeli më i mirë për Kosovën do të ishte modeli kroat i cili në kohë shumë të shkurtër dhe me vullnet institucional arriti të gjykonte dhe burgoste zyrtarët më të lartë të shtetit për korrupsion dhe lidhje të dyshimta me krimin e organizuar. Ishte kjo arsyeja pse Kroacia i dha një shans vetes edhe në raport me proceset integruese në Bashkimin Europian. Dhe ky d.m.th. spastrimi i gjyqtarëve, zyrtarëve dhe politikanëve të korruptuar është edhe kushti kryesor që i kërkohet Kosovës në rrugën e saj të integrimit dhe kjo përfshin si Liberalizimin e Vizave po ashtu dhe anëtarësimin në organizma të tjera të rëndësishme ndërkombëtare si Interpoli, apo edhe OKB-ja”, potencon kreu i Republikanëve të Kosovës.

Mos harrojmë se ndonëse në Kosovë ka patur aktakuza dhe procese gjyqësore kundër emrave të njohur që ende sot janë aktivë në politikë dhe qeverisje askush nuk ka shkuar në burg. Pra, sipas tij, sistemi i drejtësisë është blerë dhe kapur krejtësisht. Mjaft të përmendim rastin Pronto.

“Pastrimi i sistemit të drejtësisë dhe politikës nga korrupsioni është imperativi kryesor jo vetëm në Kosovë por në gjithë rajonin. Vlen të përmendet se kjo nuk është diçka që do të vonojë shumë”.

“Dy vjet më parë ishte e pamendueshme që ish kryeministri i Maqedonisë do të gjykohej ndonjëherë madje unë personalisht mund të kem tingëlluar si i pabesueshëm kur kam paralajmëruar publikisht se Gruevski do të gjykohej për korrupsion. Nuk shkoi shumë kohë dhe tashmë Gruevski është në kushtet e arratisë. Ndërsa për politikanët e korruptuar në Kosovë nuk do të ketë as mundësi arratie e aq më pak azil politik”, përfundon prof. Faton Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat