Adem Salihaj: Në krye të shtetit, janë bandat dhe kriminelët, pra fundërrinat

Politika

Adem Salihaj: Në krye të shtetit, janë bandat dhe kriminelët, pra fundërrinat

Nga: N.Sh Më: 15 nëntor 2018 Në ora: 18:25
Adem Salihaj

Drejtësia në Kosovë vazhdon të jetë e ndikuar nga politika.

Njerëzit e fuqishëm, liderët e institucioneve, politikanët apo edhe disa prej ish komandantëve të luftës, vendosin dhe ndërhyjnë në sistemin e drejtësisë.

Një gjë e tillë theksohet edhe nëpër raportet ndërkombëtare, ku Kosova radhitet në mesin e vendeve me sistem të degraduar të drejtësisë.

Shumë vende evropiane, pas periudhave të tranzicionit, kanë marrë hapa të fuqishëm në drejtësi.

Me aktakuza të shpejta dhe fakte të fuqishme kanë gjykuar e burgosur politikanët e tyre. Rasti i fundit ndodhi edhe në Maqedoni ku u dënua ish kryeministri Nikolla Gruevski, i cili është arratisur në Hungari ku edhe kërkon azil politik.

Por, kur do të ndodhë që edhe në Kosovë, të gjykohen liderët dhe politikanët e fuqishëm dhe të burgosën për të bëmat e tyre?

Ish-deputeti i Republikës së Kosovës, Adem Salihaj thotë se, edhe për një kohë të gjatë shefat e partive dhe institucioneve të shtetit nuk mund të gjykohen, pasi janë të kapur të tri shtyllat e shtetit, gjyqësori, legjislativi dhe ekzekutivi.

Salihaj pohon se, krimi e ka mbuluar Kosovën, kurse në krye të këtij shteti janë bandat dhe kriminelët.

E për të ndryshuar diçka thotë se, duhet me ndodh një përmbysje e madhe.

“Në Kosovë, edhe për një kohë të gjatë nuk do të gjykohen dhe dënohen shefat e partive dhe të institucioneve të shtetit, sepse të tri shtyllat e shtetit janë të kapura prej tyre. Pra, këtu nuk po flasim vetëm për gjyqësorin, por edhe për legjislativin dhe ekzekutivin. Krimi e ka mbuluar plotësisht Kosovën, ndërsa, në krye të shtetit, janë bandat dhe kriminelët, pra fundërrinat, llumi dhe soji më i keq që e ka Kosova. Duhet të ndodhë një përmbysje e madhe, së pari në mendjen e qytetarit të Kosovës, e pastaj në të gjitha partitë politike dhe në të  gjitha organet e shtetit, e vetëm atëherë mund të presim që këta kriminelë të futen prapa grilave. Deri atëherë vetëm mund të flasim kot”, thotë Adem Salihaj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat