Kush e shkatërroi besimin e BE-së për Kosovën

Politika

Kush e shkatërroi besimin e BE-së për Kosovën

Nga: D.Rr Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 18:31
Ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është dorëzuar sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, duke thënë se Kosova ka ende shumë punë për të bërë deri në finalizimin e këtij procesi, shkruan “Bota sot”. Pavarësisht se e votoi demarkacionin duke thënë se votimi i tij mund t’i sjellë Kosovës vizat, të cilin sa ishte në opozitë e kundërshtonte ashpër, Haradinajt po i dalin edhe disa punë tjera.

Disa vende të Bashkimit Evropian nuk janë të kënaqura me punën politike të Kosovës në këtë proces të liberalizimit, duke u treguar skeptike se vizat mund të hiqen për Kosovën këtë vit, apo në fillim të vitit tjetër.

Gazeta “Bota sot” ka dërguar pyetje me shkrim në zyrën e kryeministrit për t’u informuar më shumë rreth atyre “punëve” që po i përmend kryeministri Haradinaj, mirëpo ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Këtë e kanë komentuar për “Bota sot” edhe deputetë e analistë politik, të cilët janë shprehur se kryeministri Haradinaj është fajtor pasi me punën e tij të pamjaftueshme e ka humbur besimin në vendet e BE-së.

Deputeti i LDK-së, Imet Rrahmani, në një përgjigje për “Bota sot” është shprehur se humbja e besimit të shtetit të Kosovës në vendet e BE-së, ka bërë që shteti ynë të kushtëzohet në çdo proces pasues.

Image
Imet Rrahmani

Vet fakti se nuk ka gatishmëri nga disa vende të rëndësishme evropiane për të marr vendim përfundimtar për liberalizimin e vizave, tregon se jemi treguar partner jo i besueshëm.

“Humbja e besimit se ne si shtet do të ecim normalisht nëpër procese që për shumë vende kanë ecuri dhe rrjedhë të parashikueshme, ka bërë që Kosova të kushtëzohet në vazhdimësi për çdo proces pasues. Nëse në njëfarë mënyre i  kemi qitur pas shpine, vendet që po na mbështesin në vazhdimësi nuk mund të i harrojnë  lehtë situatat e viteve të fundit, opozitarizmin e  dhunshëm, gazin dhe komplikimet e panevojshme të proceseve të domosdoshme, vetëm për të ardhur në pushtet. Nëse kjo ka ndodh në procese ku ishin fuqishëm të involvuar vendet mike, paramendoni se si do të silleshim në rrethana tjera”, ka thënë Rrahmani.

Ai shprehet se nga krejt kjo padrejtësi po iu bëhet qytetarëve të Kosovës, sepse ata po janë viktimë e politikës së dështuar.

“Pra kemi ardhur në një situatë ku nuk po na besohet mjaftueshëm. Nga krejt kjo unë mendoj se po i bëhet një padrejtësi qytetarëve sepse ata tek e fundit janë viktimë e politikës së dështuar në ngritjen dhe ruajtjen e besimit te partnerët dhe po ndëshkohen pafundësisht”, ka theksuar deputeti i LDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat