Analfabetizëm gjeopolitik, që mund të kthehet në një dështim historik

Politika

Analfabetizëm gjeopolitik, që mund të kthehet në një dështim historik

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 19 nëntor 2018 Në ora: 15:56
Takimi Thaçi-Putin

Takimi i presidentit të Kosovës Hashim Thaçi me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, javën e kaluar në Paris gjatë 100- vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore pushtoi mediat vendore dhe ato nderkombëtare.

Nga opinioni publik në vend, si dhe nga opozita u cilësua si një “tradhti” për vendin dhe si një akt që po e ndihmon Rusinë që të kthehet në Ballkan.

Kurse, nga të tjerët është vlerësuar edhe si një analfabetizëm gjeopolitik nga ana e presidentit Thaçi.

Njohësi i çështjeve aktuale politike në vend, Faton Abdullahu ka deklaruar për “Bota sot” se ky është një analfabetizëm gjeopolitik që mund të kthehet në një dështim historik.

Abdullahu: Është shumë më e besueshme se Thaçi po ndryshon për të keq sesa Putini për të mirë

Image
Faton Abdullahu

Ai ka shtuar se takimi i Thaçit me Putinin bie ndesh me përpjekjet në këto vitet e pasluftës për ta ndërtuar një shtet normal përbrenda botës demokratike perëndimore dhe interesave euroatlantike.

Projekt - propozimi antikushtetues i Presidentit Thaçi po e zhvendos vendin tonë ngadalë por pa pengueshëm dhe me kryeneçësi brengosëse jashtë interesave evro-atlantike. Një foto e Presidentit aktual me Presidentin rus Putin që në të parë u duket kurtuazi diplomatike nëse lexohet me gjuhën gjeopolitike e shpreh këtë më së miri. Ky është një analfabetizëm gjeopolitk që mund të kthehet në një dështim historik. Ajo foto konkretisht ai takim është krejt jo normal që bie ndesh me përpjekjet tona tash e dy dekada për ta ndërtuar një shtet normal përbrenda botës demokratike perëndimore dhe interesave euroatlantike. Moska zyrtare dhe Presidenti Putin nuk ka ndryshuar me asgjë, as në raport me botën perëndimore, konkretisht me SHBA-në, as në raport me pavarësinë e Kosovës. Prandaj është shumë më e besueshme se Thaçi po ndryshon për të keq sesa Putini për të mirë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Abdullahu ka shtuar se opozita duhet t`i bindë aleatët se kundërshtimi i saj është serioz, dhe kjo do ta bënte propozimin e Thaçit të duket propozimin e Thaçit.

Opozita tani duhet ta bind faktorin ndërkombëtar sidomos aleatët tanë se kundërshtimi i saj është serioz, shumë i përkrahur dhe i drejtpërdrejtë. Kjo do ta bënte propozimin e Thaçit të mos duket, as racional, as i pranueshëm e mbi të gjitha të duket ashtu sikundër është anti-demokratik. Përndryshe, ndërkombëtarët do të vazhdojnë të deklarohen kështu si ditë më parë austriaku Kurc dhe propozim i Thaçit të duket se po përkrahet nga ata”, ka theksuar Abdullahu për “Bota sot”.

Zogaj: Mënyra e  mbrapshtë e bisedimeve e bën shumë të dyshimtë takimin e Thaçit me Putinin

Image
Skënder Zogaj

Kurse, analisti politik, Skënder Zogaj ka thënë se takimi i Thaçit më presidentin rus do të kishte qenë e rëndësisë historike në rrethana normale të një shteti me institucione të mirëfillta funksionale.

Në rrethana normale të një shteti me institucione të mirëfillta funksionale, ku përgjegjësia i nënshtrohet llogaridhënies ligjore, takimi i Presidentit të Kosovës do të kishte qenë e rëndësisë historike! Mirëpo, gjendja aktuale në Kosovë është e kundërt, institucionet shtetërore nuk funksionojnë, kriza politike është në kulmin e degjenerimit të saj, pozita nuk i ka numrat as për vendime të thjeshta, kurse opozita është skajshmërisht heterogjene, pra kur asgjë nuk është në vendin e duhur, është krejtësisht normale që, vetangazhimet  kapriçioze të Presidentit Thaçi të shihen me mosbesim të madh!”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Sipas, Zogajt mosbesimi ndaj Thaçit zë fill me bisedimet e Kosovës më Serbinë dhe takimi i Thaçit me Putinin nuk ofron asgjë optimiste për shqiptarët.

Ky mosbesim zë fill me dialogut me Serbinë, që u nis si “bisedime teknike” dhe doli se ishin politike! Mënyra e  mbrapsht e bisedimeve e bën shumë të dyshimtë takimin e Thaçit me Putinin, i cili është e zeza e të gjitha të zezave jo vetëm për Kosovën por edhe për gjithë rajonin, kështu që, takimi me të nuk ofron asgjë optimiste për shqiptarët, përkundrazi...! Pra situata dhe rrethanat  e ngarkuara kanë bërë që takimi të kritikohet, edhe pse, takimet e këtilla janë detyrë kushtetuese e Presidentit!!!”, ka deklaruar Zogaj për “Bota sot”

Shahu: Nuk ka asnjë fitore politike nga ky takim

Image
Rexhep Shahu

E një takim të tillë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu e sheh më ndryshe. Ai thotë se mes Thaçit dhe Putinit nuk u vendos asnjë marrëveshje , por është si kërcenim për Serbinë pasi që shqiptaret nisen të flasin drejtpërdrejt me Rusinë.

Ne shqiptaret jemi lojtare të vegjël për futboll politik në fusha të mëdha futbolli, e shumta ne luajmë futboll në odat tona politike. Takimi i Thaçit me Putinin nuk ka asgjë të re përveç lajmit që jeton dy tri ditë në gazeta, asgjë nuk vendoset mes Thaçit e Putinit, asnjë marrëveshje nuk mund të ndërtohet mes tyre. Ka këndvështrime të ndryshme për këtë takim. Është si kërcenim për Serbinë, si p.sh, ja tani shqiptaret nisen të flasin drejtpërdrejt me Rusinë dhe kjo nuk u vjen mirë serbeve”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Tjera, sipas, Shahut është se në bazë të këtij takimi  nuk ndërton paqe as bën lufte Thaçi me Putinin

Tjetra është se nuk ndërton paqe as bën lufte Thaçi me Putinin. Nëse nuk bëjmë dot lufte do bëjmë bisedime në rastin konkret jo për të mbyll luftën se nuk kemi bërë lufte si shqiptare me Rusinë, por për të ulë tensionet nëse mund të thuhet kështu. Nuk besoj se bëhet keq nëse flitet me cilindo, por nuk ka xhepa për të futur fitoren politike Thaçi për këtë bisedë se nuk ka asnjë fitore politike pse u bë ky takim e kjo fotografi”, ka përfunduar Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat