Dështakët japin dorëheqje!

Politika

Dështakët japin dorëheqje!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 21 nëntor 2018 Në ora: 07:14
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Behgjet Pacolli

Pas dështimit të Kosovës, që të bëhet anëtare e Interpolit, kanë reaguar përfaqësues të skenës politike dhe shoqërisë civile, të cilët kanë kërkuar dorëheqjen e liderëve tanë politik dhe institucional. Dorëheqjet u kërkuan në veçanti për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, kryeministrin Ramush Haradinaj, por edhe për ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacollin. Në një shtet normal, ata që dështojnë në punët shtetërore e njohin dhe e respektojnë e madje e praktikojnë aktin e dorëheqjes. Por, në Kosovë ka vite që ndodhë e kundërta. Përgjegjësia shpërndahet e Qeveria vazhdon qeverisjen sikur të mos ketë ndodhur asgjë deri në dështimin e radhës.

Anëtarësimi i Kosovës, në Interpol, ka qenë një synim i pareshtur, mirëpo të martën, përfundimisht Kosova, nuk ka mundur të bëhet pjesë e kësaj organizate.

Pas dy raundesh votime në Dubai, aty ku u zhvillua Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it, Kosova ka dështuar të bëhet anëtare e kësaj organizate botërore të sigurisë.

Në raundin e parë 154 vende kanë votuar, prej tyre 76 ishin pro, 56 ishin kundër dhe 22 shtete kanë abstenuar.

Kurse, në raundin e dytë të votimit Kosova përsëri nuk arriti të marrë 2/3 e votave për t’u bërë pjesë e njërit nga mekanizmat më të rëndësishëm të sigurisë në botë.

Pas dështimit të Kosovës, që të bëhet anëtare e Interpolit, kanë reaguar përfaqësues të skenës politike dhe shoqërisë civile, të cilët kanë kërkuar dorëheqjen e liderëve tanë politik dhe institucional. Dorëheqjet u kërkuan në veçanti për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, kryeministrin Ramush Haradinaj, por edhe për ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacollin.

Megjithatë, si çdo herë në Kosovë, dorëheqja nuk merret parasysh, andaj edhe liderët as nuk e komentojnë një gjë të tillë.

Madje, fajin nuk e hedhin tek vetja e tyre, për mos anëtarësimin e Kosovës në Interpol, por tek Serbia, e cila natë e ditë punon kundër shtetit dhe interesave të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi.

Si mund të pritet që Serbia të flas mirë për Kosovën, ku ka kryer gjenocid, dhunë, vrasje, maltretime ndaj shqiptarëve?

Kështu që në një shtet normal, ata që dështojnë në punët shtetërore e njohin dhe e respektojnë e madje e praktikojnë aktin e dorëheqjes. Por, në Kosovë ka vite që ndodhë e kundërta. Përgjegjësia shpërnadahet e Qeveria vazhdon qeverisjen sikur të mos ketë ndodhur asgjë.

Reagojnë Thaçi, Pacolli e Veseli

Pas dështimit të Kosovës, presidenti i Hashim Thaçi ka thënë se askush nuk mund të ketë pritje se Serbia nuk do ta pengojë Kosovën në rrugën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Kjo gjë sot iu mohua padrejtësisht Kosovës, por në të njëjtën kohë përpos zhvillimeve të brendshme më duhet të qartësoj edhe një herë gjithë opinionin në Kosovë se definitivisht Kosova dhe Serbia në vend që të pengojnë njëra-tjetrën, në vend se të bëhen penguese për njëra tjetrën në rrugëtimin tonë euro-atlantik duhet të arrijnë marrëveshjen përfundimtare, atë të normalizimit që nënkupton lëvizje të shpejtë evropiane për të dy vendet, përndryshe do të paguajnë çmim të dy vendet tona duke e penguar njëra tjetrën në këto procese”, u shpreh Thaçi.

I pyetur se ku ka dështuar lobimi, pasi kishte zëra pozitiv për këtë anëtarësim, presidenti tha se më shumë se lobimeve u beson mbështetjes së shteteve njohëse.

“Nuk i besoj fort lobimeve çfarë mendojmë njerëzit se bëhen, i besoj vendosmërisë dhe mbështetjes së shteteve që e kanë njohur Kosovën dhe atë që Kosova e ka merituar dhe ka plotësuar të gjitha kriteret, Kosova nuk ka pasur shumë nevojë për lobim, kur kihet parasysh në lobimin që disa njerëz mendojnë se duhet të ndodh ai lobim, por duhet të punojmë edhe më tepër në të ardhmen, Kosova kësaj radhe ka plotësuar të gjitha kriteret dhe standardet”, tha Presidenti Thaçi.

Kurse, ministri i Punëve të Jashtme, njëherësh zv/kryeministër i vendit, Behgjet Pacolli është deklaruar pas dështimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Interpol.

“Sot nuk ka fitues, nuk ka fituar as Kosova por as Serbia. Fitues i sotëm është e keqja. Më vjen keq që pavarësisht punës që kemi bërë kjo sot nuk u shpërblye. Një është e sigurt se kësaj iniciative nuk i ka munguar përkushtimi dhe puna, kur e them këtë e them me plot sinqeritet se nuk kemi lënë asgjë pa e bërë, kemi punuar por në fund e patëm se nuk arritëm t’i sigurojmë të gjitha”, ka thënë Pacolli.

Pacolli ka thënë se dy shtetet të cilat u pranuan sot në Interpol, janë vende të vogla që thuajse askush nuk di për to. Sipas tij e gjithë kjo do të thotë se Serbia ka bërë një “luftë” të pamëshirshme për mosanëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se dita e martë nuk ishte ditë e mirë për Kosovën, duke pasur për referencë dështimin për t’u anëtarësuar në Interpol.

Mirëpo, sipas Veselit, më i fuqishëm se fakti i mos anëtarësimit në Interpol është fakti se as Serbia me politikën e saj të pengimit ndërkombëtar të Kosovës, as krimi i organizuar, e as terrorizmi, nuk do të mund ta ndalin fuqizimin e shtetit të Kosovë dhe integrimin ndërkombëtar të tij.

“Kosova krenohet me policinë e saj. Është policia më profesionale në rajon dhe më gjerë. Me profesionalizmin e saj të dëshmuar, Policia e Kosovës e ka bërë shtetin tonë partner të besueshëm dhe efektiv në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe në veçanti kundër terrorizmit. Vota e sotme negative ka dëmtuar qartësisht partneritetin ndërkombëtar kundër këtyre të këqijave. Por, përkundër kësaj, ne nuk do të dekurajohemi në rrugën e qëllimeve tona integruese. Do të punojmë pa u ndalur dhe pa u dorëzuar asnjëherë. Ashtu siç kemi bërë gjithmonë edhe me sfidat e të kaluarës”, ka shkruar Veseli.

Hoti: Duhet të vazhdojmë të jemi unik në atë që aspirojmë

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka fajësuar Serbinë për mosanëtarësimin e Kosovës në Interpol.

Hoti, ka thënë se ky është zhgënjim për Kosovën, por që sipas tij, Kosova duhet të vazhdojë që të bëj përpjekje për anëtarësim në Interpol dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare,

“Nuk do të ndalemi derisa të jemi pjesë e Interpolit dhe të gjitha organizatave ndërkombëtare. Ky është zhgënjim për Kosovën, por edhe dështim për sigurinë në Ballkan. Faj të madh ka edhe diplomacia agresive e Serbisë e rreshtuar kundër vlerave që ngiten mbi gjeopolitikat evro-atlantike në rajon. Të nxjerrim mësim nga ky refuzim sot. Duhet të vazhdojmë të jemi unik në atë që aspirojmë, për t’i bindur të gjithë se jemi konsekuent në ndërtimin e shtetit të Kosovës, sigurisë dhe prosperitetit për të gjithë pa dallime”, ka shkruar Hoti.

Kurti: Thaçi e Pacolli nuk ishin në Konferencën për INTERPOL në Dubai

Ndërsa, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka reaguar pas mos pranimit të Kosovës në INTERPOL.

Kurti ka shtuar se me këta njerëz të njëjtë që na përfaqësojnë dhe prijnë me shtetin nuk mund të kemi rezultate të tjera

“Pas dështimit për anëtarësim në UNESCO, Kosova dështoi për t'u anëtarësuar edhe në INTERPOL. Me këta njerëz të njëjtë që na përfaqësojnë dhe prijnë me shtetin nuk mund të kemi rezultate të tjera. Në këtë dështim kishte gjithçka përveç rastësisë. As nuk dinë dhe as nuk duan të përgatiten. Nuk shkojnë jashtë vendit si zyrtarë të përgjegjshëm të shtetit tonë por si personalitete të shoë-biz-it ndërkombëtar siç e imagjinojnë veten. Thaçi e Pacolli nuk ishin në Konferencën për INTERPOL në Dubai. Thjesht, ata ishin vetëm në Dubai. Serbia dhe Rusia e bënë punën e tyre shoviniste ashtu qysh i kemi njohur gjithmonë, por këta dy punën e kujt e bënë”, shkruan Kurti.

Abazi: Pacolli duhet dhënë dorëheqje menjëherë

Ndërsa, analisti politik, Haki Abazi thotë se, krimi i organizuar dhe rrjetet kriminale të trafikimit me njerëz dhe mjete narkotike, janë probleme globale dhe duhet luftuar me mekanizma global.

Image
Haki Abazi

“Serbia është e interesuar që në Kosove të lulëzoje krimi dhe korrupsioni që Kosova të mos bëhet shtet i fortë kurrë dhe të jetë i udhëhequr nga njerëz që kanë probleme me ligjin. Kjo është arsyeja pse po lobon kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol. Anëtarësimi i Kosovës në Interpol dhe pastrimi i skenës politike nga korrupsioni krimi e rrezikon seriozisht klasën politike, policore e ushtarake të Serbisë. Pranimi i Kosovës në Interpol është fillimi i demokratizimit dhe pastrimit të Serbisë si pasojë dhe gjetjes së kriminelëve të luftës. Pacolli duhet dhënë dorëheqje menjëherë, ai njihet si njeriu që ka probleme me drejtësinë dhe bizneset e tij ne Kazakistan dhe Rusi gjithmonë janë parë me skepticizëm. Shikoni strukturën e tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe mandej mund të shihni arsyet pse këto dështime”, thotë Abazi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, Qeveria duhet të largohet pas dështimit të liberalizmit të vizave dhe anëtarësimit në Interpol.

“Kjo qeveri është shpenzues dhe natyrisht që çdo kush prej shteteve që njohin këtë qeveri e dijnë që është duke thyer ligjin për çdo ditë në favor të pasurimit të njerëzve të saj. Kjo qeveri nuk mundet të jetë e denjë për të anëtarësuar Kosovën askund. Kjo është një farsë qeverisëse për pasurim dhe punësim”, shton tutje ai.

Abazi: Thaçi bashkë me njerëzit e tij i kanë dhënë faqen e zezë vendit

Ndërsa, sipas tij, ombrella e fajit i takon Thaçit dhe dialogut të tij që ka mbyllur në fakt të gjithë dyert për Kosovën.

“Ky njeri që potencialisht ka problem me ligjin ndërkombëtarë i akuzuara nga Dick Marty dhe që vëllezërit e tij janë bërë problemi kryesorë bashkë me PRONTO klanin të cilët për veç që kanë përfituar nga brenda tani investimet e tyre janë edhe në vendet e BE dhe vendet tjera. Këto pastrime parash dhe pasurim nga buxheti i shteti janë përcjellë dhe po përcjellën afër nga shtetet që do të duheshin të përkrahnin Kosovën. Thaçi bashkë me njerëzit e tij i kanë dhënë faqen e zezë vendit dhe ka zbehur të gjitha mundësitë për të ecur para. Kjo u pa edhe sot. Me këtë strukturë krejt çka mund të bëhet është që të vazhdohet keqpërdorimi dhe manipulimi politikë dhe ekonomik”, përfundon Abazi.

Image
Imer Mushkolaj

Mushkolaj: Serbisë i ndihmoi edhe Thaçi me “Korrigjimin e kufijve”

Kurse, analisti politik Imer Mushkolaj pohon se, dështimi i Kosovës në Interpol është dështimi më i madh i shtetit, i cili ndodhet në një situatë mjaft delikate për vendin.

“Natyrisht, Serbia e ka bërë punën e vet duke lobuar që ta parandalojë anëtarësimin e Kosovës, por kësaj i kanë ndihmuar edhe politikanët e Kosovës, sidomos presidenti Thaçi me idenë e tij të korrigjimit të kufijve. Si të votosh për anëtarësimin në Interpol të një shteti, tërësinë dhe integritetin territorial të cilin e konteston vetë presidenti i tij?”, thotë Mushkolaj për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se, është shumë dëshpëruese të shohësh gati gjysmën e shteteve që e kanë njohur shtetin e Kosovës që votojnë kundër anëtarësimit në Interpol.

“Diplomacia kosovare ka dështuar plotësisht dhe për këtë dikush të jep përgjegjësi. Nuk mundet që kjo situatë të kalojë sikurse nuk ka ndodhur asgjë”, përfundon Imer Mushkolaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat