Koalicioni LDK-VV i domosdoshëm për ta ndalur Thaçin

Politika

Koalicioni LDK-VV i domosdoshëm për ta ndalur Thaçin

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 22 nëntor 2018 Në ora: 19:52
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje janë dy partitë opozitare të cilat asnjëherë nuk janë parë duke qeverisur me vendin së bashku.

E një koalicion mes këtyre dy partive, do të shënonte edhe fundin e qeverisjes nga partitë të ashtuquajtura "krahu i luftës", si dhe do ta çlironin vendin përfundimisht nga krimi i organizuar.

Ndërsa, analistë e deputetë janë deklaruar për gazetën “Bota sot” se vetëm një koalicion ndërmjet LVV-së dhe LDK-së mund ta vërë në pyetje ekzistencën e krimit të organizuar dhe forcave destruktive në Kosovë.

Mustafa: Sa i përket koalicionit me VV-në, do përcaktohemi në procedura statutare

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa në një intervistë për gazetën “Bota sot” patë deklaruar se sa u përket koalicioneve, për to do të përcaktohemi në procedura statutare, atëherë kur futemi në proces të zgjedhjeve.

“Me VV po bëjmë përpjekje të bashkërendisim veprimet si bllok opozitar në të mirë të vendit. Grupi ynë parlamentar po bën përpjekje të bashkëpunojë edhe me PSD-në dhe Alternativën. Sa u përket koalicioneve, për to do të përcaktohemi në procedura statutare, atëherë kur futemi në proces të zgjedhjeve” ka thënë Mustafa.

Haziri: LDK të dal me një listë të madhe zgjedhore

Image
Lutfi Haziri

Ndërsa, për nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Hazirin, koalicionet nuk po sjellin rezultatet e duhura.

“Nuk ka biseda për një listë të përbashkët zgjedhore. Koalicioni me AKR dhe Alternativën nuk e solli rezultatin e pritur. Unë si nënkryetar i LDK- së jam pro një liste të madhe të LDK- së dhe vetëm të LDK-së” ka thënë për gazetën “Bota sot”, Lutfi Haziri.

“Koalicioni LDK-LVV i domosdoshëm”

Profesori ndërkombëtar Enver Bytyçi në një bisedë me gazetën “Bota sot” ka thënë se koalicioni LDK-LVV është i domosdoshëm, sepse presidenti Thaçi e ka sjell Kosovën në ditën më të keqe të historisë së saj të pasluftës.

“Nëse do më pyesnit për këtë çështje para një ose dy vitesh, do të thoja se një koalicion midis Lidhjes Demokratike dhe Vetëvendosjes është i pamundur. Kjo sepse aso kohe Vetëvendosja ishte e vetmja parti politike që nuk i njihte institucionet e Kosovës. Sot mendoj dhe besoj se një koalicion midis këtyre dy formacioneve politike jo vetëm është i mundshëm, por është i domosdoshëm. Është i domosdoshëm, sepse presidenti Thaçi e ka sjell Kosovën në ditën më të keqe të historisë së saj të pasluftës. Madje në ditë të këqija të krahasueshme me ato të paraluftës. Kurrë Kosova nuk ka qenë në një situatë të tillë si e pashpresë. Sepse edhe në vitet e pushtetit dhe sundimit serb të Milosheviçit në Kosovë nuk gjendeshin bashkëpunëtorë kaq të devotshëm sa është sot Hashim Thaçi për Serbinë. Shpresa mund t’i kthehet Kosovës vetëm me një koalicion të madh të partive politike, si Vetëvendosja dhe LDK, pse jo edhe me dy partitë në qeverisjen e sotme, AAK-në dhe Nismën. Të katër këto subjekte politike duhet t’i kapërcejnë dallimet dhe të ndërtojnë një program të përbashkët të qeverisjes pa u grindur për postet që do të duhet të mbajnë pas në pushtet. Të katër këto parti politike duhet të deklarohen qartë se respektojnë trashëgiminë shtetërore të Kosovës, sepse zoti Kurti e di se aftësia për qeverisje bazohet në trashëgiminë e qeverisjes dhe se aftësia për qeverisje është kusht i domosdoshëm për vetëvendosjen e popujve” ka thënë ai.

“Këshillë për Albin Kurtin”

Image
Enver Bytyçi

Bytyçi ka komentuar edhe deklaratat e deputetes së LVV-së, Albulena Haxhiut për mos vizitën te varri i presidentit historik, Ibrahim Rugova.

“Nuk ka vetëvendosje pa aftësi dhe trashëgimi në qeverisje. Në këtë kuptim është disi kontradiktore që partinë tënde ta emërtosh si parti të vetëvendosjes dhe të mohosh ose mos respektosh trashëgiminë e qeverisjes së Ibrahim Rugovës. Kjo është këshilla ime për Albin Kurtin. Ndërkohë koalicionet formohen pa deklarata dhe qëndrime të tipit “kurrë”! Formulën e mohimit me fjalën “kurrë” e përdorin zakonisht diktatorët ose liderët politikë me mendësi diktatori. Deklarata të tilla janë të papjekura dhe pengojnë koalicionet dhe bashkëpunimin. Ndërkaq ata që nuk janë të interesuar për koalicione të tilla, si ky midis LDK-së dhe VV, i përdorin deklaratat mohuese të palës tjetër për të sabotuar marrëveshjen e koalicionit. Jo të gjithë në LDK e duan një bashkëpunim e koalicion e VV. Kjo pjesë është më afër Hashim Thaçit, se Albin Kurtit” ka thënë Bytyçi

Në fund, ai ka nënvizuar me koalicionin  LDK-LVV do mund të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar, kushte këto për integrime evropiane.

“Prandaj dhe këta e kundërshtojnë çdo bashkëpunim opozitar. Nëse të dy këto parti politike të Kosovës së bashku me AAK-në dhe Nismën duan ta qeverisin mirë vendin, nëse ata duan ta mbrojnë territorin e saj, nëse ata nuk janë që Trepça, Ujmani etj t’i jepen Serbisë, këto parti duhet të bëhen bashkë. Ka dy arsye themelore për këtë: 1) Mbrojtja e territorit të Kosovës 2) Sigurimi i një shumice absolute, të aftë për të marrë vendime historike, për ta zhvilluar Kosovën dhe për ta forcuar shtetësinë. Nëse bashkohen këto parti politike mund të arrijnë 2/3 e parlamentit. Në këtë mënyrë ato kanë mundësi ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, kushte këto për integrimin evropian dhe për mbijetesën e shtetit të Kosovës. Nëse gjykojmë për atë se kush duhet të lëshojë pe, në një marrëveshje qeverisëse të gjitha palët lëshojnë pe, bëjnë kompromis. Gjithnjë në të mirë të vendit” ka përfunduar profesor, Enver Bytyçi.

“Fryma e re e LDK-së dhe ajo e Albin Kurtit të udhëheqin me vendin”

Image
Bajram Kabashi

Publicisti Bajram Kabashi, në një bisede më gazetën “Bota sot” ka thënë se vendi ka nevojë jetike për një Kryeministër të zgjuar, për një kryeministër Intelektual e të pa korruptuar.

Sipas tij, kryeministër adekuat mund të ishte Albin Kurti.

“Një koalicion ndërmjet LDK-së dhe VV-së është i mundur dhe legjitim në çdo aspekt. Koalicioni i tillë në momentin aktual është jetik për ardhmërinë e Kosovës, prandaj nëse i shikojmë çështjet nga këndi i sigurisë nacionale për Kosovën e pas luftës, duhet ta themi qartë e zëshëm se Kosova, sot, ka nevojë të madhe për një pushtet stabil , që krijon institucione stabile e serioze për rimëkëmbjen e fuqizimin e shtetit të Kosovës . Nëse deri tash qenë "të mundshme" koalicionet me Lista Serbe që e mohon shtetin e Kosovës, duke vazhduar ta sheh atë si "pjesë të Serbisë", madje nga pozita qeveritare-shtetërore, del të jetë e pakuptimtë pyetja se a është i mundshëm koalicioni i tillë. Ata që ndërkohë vazhdojnë t'i rikujtojnë "mëkatet" e VV-së apo të LDK-së , ata , në të vërtetë, duan të vazhdojnë me institucione shtetërore të luhatshme e jostabile, çfarë i duhen Serbisë që edhe pas 20 vitesh vazhdon të mos e konsideroj të qenësishëm realitetin e ri në Kosovë, të mos e njoh shtetin e Kosovës” ka thënë ai

Kabashi ka nënvizuar se me koalicionin  LDK-LVV krimi i organizuar i niveleve elitore do të vihet prapa grilave.

“LDK i ka resurset e veta të forta dhe tashmë njerëzit e vet të pa korruptuar e të ri në mendime, andaj me një VV që udhëhiqet nga Albin Kurti , i cili përbetohet se nuk lëshon pe ku është në pyetje shtetësia e Republikës së Kosovës dhe integriteti territorial i saj, Kosova vetëm mund të përfitoj. Unë jam i bindur se me VV do të jetë shumë më lehtë që krimi i organizuar i niveleve elitore të vihet prapa grilave, pasi tek ta nuk ekziston kompleksi i të "mëdhenjve" apo i të "paprekshmëve". Për këmbënguljen e Albulena Haxhiut (që e bënë në emër të VV-së) për postin e kryeministrit, personalisht mendoj që ajo ka të drejtë ndërsa populli i Kosovës,- nëse do të më lejohej të flisja "në emër të tij" , ka nevojë jetike për një Kryeministër të zgjuar, për një kryeministër Intelektual e të pa korruptuar ! “ ka thënë Kabashi

Në fund, Kabashi ka nënvizuar se është një nevojë historike për vendin që fryma e re e LDK-së dhe ajo e Albin Kurti të udhëheqin me vendin

“Kur Serbia po forcohet vazhdimisht duke mos u ndalur me provokime ndaj shtetit të Kosovës , duhet ta themi hapur se për hirë të vendit është me rëndësi që kryeministri të jetë i VV, madje mundësisht ai të jetë vetë Albin Kurti , i cili nga ai pozicion do të kishte mundësi ta tregonte në praktikë gjithë kreativitetin në favor të vendit për të cilin na ka folur e është munduar të na bindë me vite të tëra . Për ta përfunduar , e ri përsëris që për momentin aktual nëpër të cilin po kalon Kosova e duke e pasur parasysh faktin se "luftëtarët" e betejave të pa fituara u lodhën nga betejat mizore të zhvatjes së pasurisë së vendit, tashmë është një nevojë të thuash historike për vendin që fryma e re e LDK-së dhe ajo e Albin Kurti të udhëheqin me vendin , pasi vetëm një qeveri që del nga koalicioni i tillë i mundshëm ka mundësi ta ndihmoj vendin që të rimëkëmbet nga pasojat fatale të brejtësve që gjenden brenda nesh” ka përfunduar publicisti, Bajram Kabashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat