Kosova e çmend Serbinë

Politika

Kosova e çmend Serbinë

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 22 nëntor 2018 Në ora: 21:05
Aleksandër Vuçiq

Të mërkurën, Qeveria e Kosovës ka vendosur që produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja për në Kosovë të kenë taksa prej 100 për qind.

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala për të vendosur taksë prej 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe atyre nga Bosnja.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës, ka ngjallur reagime të ashpra të dy shteteve në fjalë, por edhe te Bashkimi Evropian.

Megjithatë, kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur i vendosur se kjo taksë do të qëndroj derisa Serbia ta njoh Kosovën.

Edhe opozita e ka përshëndetur këtë vendim, por kanë kërkuar që mos të rriten çmimet e produkteve në Kosovë pas kësaj takse.

Por, shpresojmë që Kosova të mos dorëzohet pas këtij vendimi, i cili Serbinë e gjunjëzon.

Taksa doganore prej 100% e vendosur nga Qeveria “Haradinaj” ka bërë që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq të thërret për një takim krerët e Lista Srpska në Beograd.

Numri një i Serbisë u ka bërë thirrje serbëve që mos të bëjnë ndonjë veprim (duke aluduar për barrikada) që do të ishte i sanksionuar për Beogradin zyrtar.

“Ne do të sillemi korrekt dhe në mënyrë demokratike. Ne nuk duhet të provokojmë diçka. E kuptoj nervozizmin e shqiptarëve sepse ata janë mësuar me një seri humbjesh nga Serbia prej vitit 1999. Ata nuk janë mësuar me Serbinë e fortë”, është shprehur ai.

Opinionisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Faik Krasniqi, pohon se, Serbia kurrë nuk ka reshtur së luftuari shtetin e Kosovës, në mënyrat më të tmerrshme të mundshme.

Image
Faik Krasniqi

“Serbia prej BE-së kurrë nuk është qortuar ose marrje e ndonjë mase për këtë agresion ndaj Kosovës. Kurse neve edhe për gjëra të imëta BE-ja na ka qortuar dhe ndëshkuar. E, çfarë bëmë ne? Pavarësisht se Serbia hiç më larg se dy dekada ushtroi gjenocid ndaj nesh, udhëheqësit tanë u futën në bisedime me ta. Madje pa asnjë kusht të vetëm. Gabim që po na kushton edhe sot gjatë bisedimeve dhe si shtet”, thotë Krasniqi për gazetën “Bota sot”. 

Ai thekson se, kjo taksë ndaj Serbisë është dashur të vendoset shumë vite më parë, ose prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Por siç thotë populli ''Më mirë vonë se kurrë''. 

“Nëse Kosova dorëzohet ndaj presioneve ndërkombëtare dhe atyre serbe, atëherë i bie që po dorëzohet përballë Serbisë, po dorëzohet për shtetësinë e saj. Presidenti Vuçiq ka kërcënuar BE-në dhe Kosovën se nuk e vazhdojnë dialogun pa heqjen e taksës së importit, atëherë edhe Kosova duhet të kushtëzoj vazhdimin e dialogut me heqjen e regjimit të vizave. Çdo gjë reciprocitet. Përndryshe, BE-ja as që mërzitet për qytetarët e Kosovës. Një gjë duhet ta dimë se Serbia shumicën e gjërave nga BE-ja i ka përfituar nga kushtëzimet që i ka bërë”, përfundon Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat