Detaje të reja në 15-vjetorin e vrasjes së Isuf Haklaj dhe Sebahate Tolaj

Politika

Detaje të reja në 15-vjetorin e vrasjes së Isuf Haklaj dhe Sebahate Tolaj

Nga: N.Sh Më: 24 nëntor 2018 Në ora: 16:22
Isuf Haklaj dhe Sebahate Tolaj

Sot janë bërë 15 vjet që nga vrasja në pabesi e dy policëve të Kosovës dhe ish ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isuf Haklaj dhe Sebahate Tolaj.

Dy policit, u vranë në pabesi pasi ishin gati të zbulojnë një vrasje të madhe, e cila kishte tronditur opinionin shqiptar.

Ata po hetonin dy vrasje politike, duke qenë kështu edhe shumë afër zbulimit të tyre.

Isuf Haklaj e Sebahate Tolaj kishin arritur që rrethin e ngushtë të vrasjes së kolonel Tahir Zemajt ta binin vetëm në dy persona, ku edhe kjo dyshohet të jetë arsyeja e vrasjes së tyre, kështu duke mos arritur të qonin deri në fund zbulimin e vrasjes së kolonel Tahir Zemajt.

Njohësi i çështjeve politike Skënder Zogaj pohon se, kur është fjala te vrasjet politike të figurave të zgjedhura nga radhët LDK-së që ishin dalluar në luftimin e krimit, siç është vrasja e Sebahate Tolajt dhe Isuf Haklajt, krijon një brengë të madhe jo vetëm për humbjen e tyre, por kjo është kallje e shpresës, sepse shohim se nuk po funksionon shteti i Kosovës, e kjo do të thotë se jemi ende shumë të rrezikuar si popull dhe si vend!

Image
Skënder Zogaj

“Mendoj që ky është rasti eklatant i arsyes për zhgënjim, sepse, vrasja e dy policëve në detyrë dhe moszbardhja e vrasjes së tyre e ka vetëm një shpjegim: nuk funksionon drejtësia, ose nuk guxon të funksionojë drejtësia! Nuk dua të manipuloj me thashethemet nëpër media dhe përfoljet nëpër kuluare, por e di saktë se, po të kishte pasur vullnet, të gjitha vrasjet do të ishin zbardhur, vrasësit do të kishin marrë dënimet e merituara dhe nuk do të kishte pasur fare nevojë të formohet Gjykata Speciale! Kosova moti do të ishte në BE dhe vend i realizimit të plotë të vlerës së lirisë! Kështu si po shkojmë, druhem se po na vjen puna që ne të gjallë t’iu  dhimbseni të vdekurve!”, thotë Zogaj për gazetë n”Bota sot”.

Për këtë vrasje ish-agjenti i SHIK-ut dhe ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe TMK-së, Naim Miftari thekson se, vrasja e tyre është bërë për ta mbuluar zbulimin e vrasjes së kolonelit Tahir Zemajt.

“Një grup ka qenë në gjykim dhe i dënuar për këtë vrasje mirëpo nuk janë zbuluar kurrë urdhërdhënësit e kësaj vrasje. Vrasja është bërë për shkak se Sebahate Tolaj ka folur në një lokal në Dukagjin se janë afër vrasësve të Tahir Zemës, prandaj i kanë vra”, thotë Miftari për gazetën “Bota sot”.

Miftari tregon se si është zbuluar Bedri Krasniqi dhe si mbeti një polici tjetër i plagosur.

Image
Naim Miftari

“Për këtë vrasje u dënua Bedri Krasniqi, i cili ka qenë në atë kohë i afërt me Ramush Haradinaj, por kjo nuk do të thotë se nuk ka punu me urdhra edhe të tjerët kujt. Vrasja u bë me kallashnikov dhe aty kanë qenë dy tre persona së paku dhe rasti u zbulua se në “auben” e veturës se policisë së vrarë ka mbet shenjat e dorës së Bedri Krasniqi, pra ishte mbetur “vija papilare”. Aty ka qenë i plagosur edhe një polic tjetër të cilin kanë tentuar ta vrasin edhe në spital mirëpo ka shpëtuar”, tregon ai.

Sipas Miftarit, kjo vrasje nuk është pa gjurmë, nuk është pa arsye sepse dihen motivet, mirëpo nuk dihet kush janë urdhërdhënësit edhe pse një hetuesi e pavarur dhe neutrale nga politika do të zbërthente këtë rast.

“Vrasja është e ndërlidhur me vrasjen e Tahir Zemajt, dhe çka i jep kahje se kjo vrasje është vrasje politike për ta mbuluar rastin e Zemajt dhe personat tjerë që janë vrarë në pritë sipas të gjitha gjasave nga personat e njëjtë që i kanë vra Isufin edhe Sebahaten. Pra 3 grupe me vrasës kanë vepruar dhe  kryer vrasje në Kosovë, disa herë janë kombinuar ndërmjet veti për mos mej njohur vendasit gjatë vrasjeve  grupet me vrasës nga Dukagjini,  Llapi dhe Drenica”, përfundon Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat