Zogaj: Jo vetëm vendet islamike ishin kundër Kosovës në Interpol

Politika

Zogaj: Jo vetëm vendet islamike ishin kundër Kosovës në Interpol

Nga: G.B Më: 25 nëntor 2018 Në ora: 08:14
Pamje nga Asambleja e Përgjithshme e Interpolit në Dubai

Kosova ka dështuar sërish të anëtarësohet në organizatën botërore të sigurisë, Interpol.

Kundër Kosovës kanë votuar shumë shtete islamike e kështu kundër kanë votuar edhe për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Por, pse Kosova nuk po e ka përkrahjen e shteteve islamike për anëtarësim në këto organizata?

Njohësi i çështjeve aktuale në vend, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se shqiptarët janë shpëtuar dhe përkrahur, por që 20 vite nuk e di se çka do dhe ku dëshiron të shkojë si popull.

Image
Skender Zogaj

“Shqiptarët janë populli më i përkëdhelur i botës dhe i vetmi vend në botë që është çliruar nga okupimi shekullor nga forcat ushtarake ndërkombëtarë, që është bërë shtet i lirë dhe është shpallur i pavarur nga diplomacia ndërkombëtare, që është ndihmuar politikisht dhe ekonomikisht nga bashkësia ndërkombëtare për të evituar shkatërrimet e luftës, për rindërtimin e vendit dhe për të mbajtur gjallë të jetës së njerëzve... Qe 20 vjet kështu, por Kosova si fëmijë i keq, zhagas në llucë e nëpër gajga, për faqe të zezë, s’di kush me i ra në fije se çka do e ku e ka qëllimin të shkojë”, është shprehur ai.

Andaj, sipas tij, miqtë ndërkombëtarë janë lodhur nga ne dhe po na e kthejnë shpinën, e këtë nuk po e bëjnë vetëm shtetet islamike por edhe miqtë tradicional.

“Prandaj, është plotësisht në rregull që miqtë tanë më të mëdhenj janë lodhur me ne dhe po e kuptojnë se, diçka nuk është në rregull me ne dhe se meritojmë përkrahjen. Përvoja 20 vjeçe kështu tregon, prandaj, miqtë tanë janë lodhur me ne dhe po na e kthejnë shpinën. Nuk janë vetëm vendet islamike, por edhe miqtë tanë tradicional shekullor si Hungaria, nuk votoi që të jemi në Interpol”, ka vlerësuar Zogaj.

Ai vlerëson se, shtetet kanë vepruar drejt me këtë kundërshtim, pasi nuk e duan Kosovën që i fshehë kriminelët që i kanë vrarë Xhemajl Mustafën, Ahmet Krasniqin, Enver Malokun e qindra të tjerë dhe i gjithë faji për mos anëtarësim është i yni pasi nuk e meritojmë atë.

“Unë personalisht mendoj se kanë vepruar drejt dhe miqësisht, sepse, miqtë tanë e duan një Kosovë dinjitoze, e jo një Kosovë që i fsheh kriminelët të cilët e kanë vrarë Xhemajl Mustafën, Ahmet Krasniqin, Enver Malokun e qindra të tjerë. Miqtë tanë nuk mund të përkrahin një Kosovë që nuk e meriton anëtarësimin në Interpol e në shumë organizata tjera ndërkombëtare! Prandaj faji është yni! Derisa të mos e meritojmë nuk kemi të drejtë të hatrohemi që nuk na pranojnë në organizata si Unesco, Interpol etj”, ka deklaruar Skënder Zogaj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat