100% shqip, Kosova e vendosur për taksën ndaj Serbisë

Politika

100% shqip, Kosova e vendosur për taksën ndaj Serbisë

Nga: Nehat Shaqiri Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 08:31
Foto ilustruese

Qeveria e Kosovës, javën e kaluar tronditi Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën me taksën e vendosur prej 100% për produktet e tyre.

Është dashur të pritet që të kalojnë 19 vite pas çlirimit të Kosovës, për një vendim që do ta gjunjëzonte Serbinë. Por, një gjë e tillë ka mundur të ndodh qysh moti.

Ky vendim i Qeverisë së Kosovës, ka ngritur reagime të ashpra tek shtetet në fjalë, duke kritikuar ashpër Kosovën.

Taksa prej 100% po shihet si një hap i duhur në Kosovë, karshi Serbisë fashiste, e cila nuk ndalon së punuari në dëm të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi.

Kosova sugjerohet që këtë taksë ta mbajë në fuqi derisa Serbia t`i zbatojë marrëveshjet e arritura. Kurse, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se, taksa nuk largohet derisa shteti serb ta njohë Kosovën.

Dhjetëra marrëveshje janë realizuar nga Qeveria e Kosovës dhe ajo serbe në Bruksel, mirëpo Serbia nuk e ka zbatuar asnjë deri më tani.

Serbia, miliarda euro ka fituar pikërisht nga qytetarët e Kosovës dhe nga institucionet  të cilat ndaj saj tregoheshin servile.

Pas taksës ndaj produkteve serbe dhe atyre të Bosnjës, kanë reaguar ashpër edhe shumë shtete evropiane dhe vet Bashkimin Evropian.

Është kërkuar që edhe mërgimtaret tanë ta bojkotojnë Serbinë, duke mos kaluar rrugëve të shtetit serb për vajtje – ardhje në Kosovë.

Por, pas kësaj çka duhet të veproj Kosova më tutje, cilat janë hapat e ri që Kosova duhet të ndërmarr ndaj Serbisë?

Millaku: Jemi me vonesë mbi 10 vite

Image
Drita Millaku

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku thekson se, taksa 100% ndaj produkteve serbe është hapi më i qëlluar (edhe pse shumë i vonuar) i ndërmarrë ndaj Serbisë, për arsye se qeveria serbe ka qëndrim dhe aktivitet armiqësorë ndaj Kosovës.

Sipas saj, për të qenë sa më efektive kjo masë atëherë duhet që edhe mërgimtarët tanë ti bojkotojnë ardhjet në vendlindje nëpërmes Serbisë.

“Kjo masë i ka dy arsye një është goditja e ekonomisë serbe dhe tjetra siguria personale e qytetarëve tanë. Pra ne përfundimisht duhet të vetëdijesohemi për këto çështje. Sikur që kjo taksë të vendosej më herët atëherë kur ne si LVV kemi kërkuar tani gjërat do të ishin shumë më mirë në favor të Kosovës. Jemi me vonesë mbi 10 vite. Mendoj se vetëm kur ne të sillemi si të barabartë me Serbinë mund të sjellim edhe stabilizimin e raporteve me ta përndryshe inferioriteti ynë do të sjellë edhe nënshtrim edhe do ti përkeqësojë raportet”, thotë Millaku për gazetën “Bota sot”.

Image
Adem Salihaj

Ish-deputeti i Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Adem Salihaj, pohon se, të gjithë bashkatdhetarët tanë që punojnë jashtë duhet t'i ikin maksimalisht kalimit nëpër Serbi, sepse jo vetëm që paguajnë taksa e  furnizohen me karburante, por fyhen dhe maltretohen në kufi, duke ua lëshuar një lloj dokumenti identifikimi se janë shtetas të Serbisë.

“Të gjithë shqiptarët, veçanërisht ne shqiptarët e Kosovës duhet të përdorim çdo mjet që kemi në dispozicion për ta mbrojtur veten në luftën politike, diplomatike dhe ekonomike me Serbinë. Taksa e Kosovës 100 për qind e detyroi Vuçiqin të vajtojë e të lutet. A e keni parë ndonjëherë më parë ta bëjë këtë? Shqiptarët e Kosovës kanë shumë mjete të fuqishme në dispozicion dhe duhet t'i shfrytëzojnë të gjitha. Serbia duhet ta mësojë njëherë e mirë se nuk mund t'i përkulë shqiptarët me lloj-lloj formash e mjetesh sikur në vitet e paraluftës, sa do që ne, për fat të keq kemi shumë politikanë në Kosovë që punojnë për Serbinë”, thotë Salihaj për gazetën “Bota sot”.

Mustafa: Nuk kemi se si të zmbrapsemi dhe të dështojmë

Image
Muhamet Mustafa

Kurse, ekonomisti Muhamet Mustafa, pohon se, Kosova tash duhet me menaxhojë situatën dhe varësisht nga sjelljet e Serbisë të merr masa.

“Kosova duhet të menaxhojë situatën tash dhe varësisht nga sjelljet e Serbisë të marrë masa dhe jo vetëm ajo, por edhe popullata e edhe emigrantët. Ne duhet të bëjmë punën tonë të shtetndërtimit, sepse nuk kemi se si të zmbrapsemi dhe të dështojmë”, pohon Mustafa për gazetën “Bota sot”.

Zogiani: Duhet bllokadë totale me Serbinë

Image
Avni Zogiani

Kurse, njohësi i çështjeve politike në Kosovë, Avni Zogiani pohon se, taksa për produktet e shtetit që kërkon shpërbërjen qenësore të Kosovës, megjithëse e vonuar, është e domosdoshme.

“Në të vërtetë Kosova do duhej të bënte bllokadë totale për Serbinë në të gjitha aspektet dhe derisa kjo e fundit të ndryshojë qëndrim. Mirëpo, për të qenë e qëndrueshme kjo qasje, qeveria e Kosovës do duhej të bënte përgatitje. Së pari është e qartë se tregu i Kosovës në pjesën më të madhe dhe për artikujt kryesor jetësor, është furnizuar nga Serbia. Kosova duhej të vendoste një marrëdhënie speciale me një shtet tjetër, ndoshta me Bullgarinë, për shembull, në mënyrë që të sigurohej se kjo bllokadë nuk çon drejt kolapsit të ofertës, sepse kjo rrezikon debalance të tregut dhe si rezultat edhe shtrenjtime e inflacion”, thotë Zogiani për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se, nëse kjo nuk bëhet, kjo masë ndaj Serbisë mund të na kthehet bumerang, sepse në një afat më të gjatë Kosova mund të përballohet me një krizë të fortë tregtare, ekonomike e politike.

“Çështja e tregut dhe furnizimi me mallra strategjike për stabilitet shoqëror, nuk është shaka dhe nuk mund të jetë çështje e garës së liderëve institucional se cili është më patrioti”, pohon Zogiani.

Bashkëatdhetarët t`i shmangen kalimit nëpër Serbi

Image
Seremb Gjergji

Ndërsa, ish-kandidati për president të Kosovës, Seremb Gjergji thekson se, taksa 100% është taksë e shtyrë nga presioni politik i Serbisë.

Por kjo, sipas tij, nuk do të thotë që bashkatdhetarët tanë të zgjedhin rrugë të tjera, nëse janë më të gjata se ajo që kalon nëpër Serbi.

“Ajo që kërkoj prej secilit bashkatdhetar të shkoj në stacionin më të afërt policor në qytetin e tij/saj dhe të deklarojë se do të kalojë nëpër Serbi dhe të pajiset me numrat e emergjencës në rast së policia apo qytetarët e Serbisë i maltretojnë. Poashtu, të furnizohen me ushqime e derivate para se të hyjnë në serbi dhe sa kalojnë andej të bëjnë sa më pak shpenzime të mundshme”, thotë Gjergji për gazetën “Bota sot”.

Ai thotë se, në këtë mënyrë e dënojmë Serbinë dy herë.

“Qeveria e Kosovës po bënë shumë gabim që nuk po e aktivizon kompaninë vendore Kosova Airlines dhe qytetarët tanë të fluturojnë për në shtëpi. Mos maltretohen nëpër kufij. Qeveria jonë duhet të negocioi edhe me Gjermaninë dhe me Shqipërinë për të gjitha furnizimet e mundshme. Në këtë mënyrë i ka dy burime të pa shterrshme të furnizimit dhe nuk do të varemi nga Serbia asnjëherë tjetër. Ministria e Punëve të Brendshme duhet të mbyllë të gjitha komunat paralele. Regjistrimet e modelit te komunave të ish Jugosllavisë duhet të eliminohen dhe të gjitha strukturat paralele duhet të shpartallohen, burgosën dhe shpërndahen një herë e përgjithmonë. Po ashtu, ta pranojnë ofertën e Presidentit slloven Borot Pahor që Kosova të furnizohet nga Sllovenia. Që më në fund t'ia krijojmë vetës mundësitë e tjera. Njëkohësisht, Qeveria të filloi me planin e ndihmesës së prodhimeve aktuale dhe të reja vendore. Kështu arrihet Pavarësia 100%”, përfundon Seremb Gjergji.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat