“Kosova të mos heqë dorë nga taksa, SHBA duhet të garantojë përmbushjen e marrëveshjeve nga Serbia”

Politika

“Kosova të mos heqë dorë nga taksa, SHBA duhet të garantojë përmbushjen e marrëveshjeve nga Serbia”

Nga: A.M. Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 22:53
Thaci me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo.

Analisti politik, Faik Krasniqi mendon se SHBA-ja do të duhet të ishte garantuese e marrëveshjeve të Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që mos të bëheshin këto fushata të egra nga shteti fqinj.

“Nuk kam pritur një qëndrim të tillë nga SHBA për heqjen e taksës ndaj Serbisë dhe Bosnjes. Shkaku i ofensivës së egër serbe ndaj Kosovës, kam pritur një qëndrim pro këtij vendimi ndaj Serbisë. Konsideroj që SHBA është dashur të përfshihej në marrëveshjet e nënshkruara në mes të Kosovës dhe Serbisë, të ishte garantuese e këtyre marrëveshjeve, dhe nuk do të vinte puna që as Serbia të bënte këto fushata të egra dhe perverse ndaj shtetësisë së Kosovës, dhe as Kosova të aplikonte taksën si masë për të mbrojtur shtetësinë e saj. Nuk jam duke e kuptuar pozicionin e SHBA-së ndaj Kosovës. Takohen me Presidentin Thaçi, njeriun që bashkë me Vuçiqin dhe Rusinë po tentojnë ta ndajnë Kosovën. SHBA është pro ndarjes së Kosovës apo kundër, sepse është gënjeshtër e Thaçit që bëhet fjalë për shkëmbim territori mes Kosovës dhe Serbisë, por bëhet fjalë për ndarjen e Kosovës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Image
Faik Krasniqi

Për më tepër, ai ka shtuar për “Bota sot” se taksa me Serbinë nuk do të duhet që të hiqet derisa ky shtet të përmbushë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me Kosovën.

“Sidoqoftë, taksa ndaj Serbisë nuk duhet të hiqet, jo deri sa Serbia t'i përmbush gjitha marrëveshjet që i ka nënshkruar me Kosovën. Nëse lëshojmë pe, atëherë ky vend do zhbëhet nga ofenziva serbo-ruse. Një gjë të tillë duhet t'i tregohet edhe SHBA-ve, se s'mund ta heqim taksën pa i zbatuar Serbia marrëveshjet. Besoj që SHBA do të dalin garantuese të atyre marrëveshjeve që do të zbatohen nga Serbia para se të rinisë dialogu!”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat