Trekëndëshi Thaçi-Rama-Vuçiq duan me çdo kusht ndarjen e Kosovës

Politika

Trekëndëshi Thaçi-Rama-Vuçiq duan me çdo kusht ndarjen e Kosovës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 29 nëntor 2018 Në ora: 10:36
Edi Rama, Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi

Kufijtë e Kosovës kanë përplasur dy kryeministrat shqiptarë, atë të Kosovës Ramush Haradinaj dhe Edi Ramën e Shqipërisë. Pas mbledhjes së pestë të dy qeverive në Pejë, kryeministri Edi Rama i ka dalë në mbrojtje presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të territoreve me Serbinë.

Kreu i Kosovës tashmë nuk po del të jetë i vetëm më nismën e tij për “korrigjimin e kufijve”, pasi edhe përfundimisht në mbështetje të tij haptas po qëndron edhe kreu i qeverisë shqiptare.

Opozita bën më dije se Kosova duhet të ketë kujdes nga trekëndëshi Thaçi-Rama-Vuçiq, pasi sipas tyre, këta krerë përmes aferave të tilla mendojnë të mbesin aktiv në politik.

Ndërsa, shoqëria civile është e mendimit se tashmë nuk është më asgjë sekrete se kush fshihet prapa idesë së korrigjimit të territorit me Serbinë.

Millaku: Kujdes nga trekëndëshi Thaçi-Rama-Vuçiq

Image
Drita Millaku

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se përkrahja e Thaçit nga ana e Ramës është produkt i asaj që kreu i qeverisë shqiptare nuk e njeh realitetin e Kosovës dhe historinë e re të Kosovës.

“Përkrahja e Thaçit nga ana e Ramës është produkt i asaj që Rama nuk e njeh realitetin e Kosovës, por edhe as historinë e sidomos historinë e re të Kosovës. Po shihet qartë këtu është një bashkëpunim shumë i ngushtë Thaçi-Vuçiq-Rama për të realizuar një projekt për ndarjen e Kosovës. Zhvillimet e fundit tregojnë se këta tre me çdo kusht dëshirojnë që të realizohet ideja e ndarjes së Kosovës”, ka thënë Millaku.

Deputetja e VV-së me tej ka shtuar se mbledhja e dy qeverive ishte një spektakël humoristik dhe me ngjante me programet e dikurshme të televizionit shqiptar.

“Mbledhja e dy qeverive ishte një spektakël humoristik dhe me ngjante me programet e dikurshme të RTSH "koncert variete" me protagonistë “stupcat” dhe parodistët e Vlorës”, ka thënë deputetja e VV-së.

Sipas saj, e mira e krejt kësaj mbledhje është fotografia me shqiponje, por që siç ka thënë Millaku, kjo do të mbetet vetëm fotografi pa ndonjë rezultat.

“Është interesant se në ato marrëveshje bashkëpunimi ka edhe marrëveshje që janë nënshkruar edhe në mbledhjet e kaluara, por pa rezultat. Dhe mendoj se të njëjtat do të nënshkruhen edhe në mbledhjet e ardhshme. E mira e krejt kësaj mbledhje është fotografia me shqiponje, por do të mbetet vetëm fotografi pa rezultat”, është shprehur ajo.

Në fund, ajo ka paralajmëruar se Kosova duhet të ketë kujdes nga trekëndëshi Thaçi-Rama-Vuçiq.

“Duhet të kemi shumë kujdes të këtij trekëndëshi Thaçi-Rama-Vuçiq sepse këta përmes aferave të tilla mendojnë të mbesin aktiv në politik”, ka përfunduar Millaku për gazetën “Bota sot”.

“Edi Rama paralajmëroi se Thaçi mund të ecë rrugës së tradhtisë kombëtare”

Image
Bajram Gecaj

Nga ana tjetër, anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, duke e komentuar takimin  e mbajtur në Pejë ka thënë se ajo çfarë tërhoqi vëmendjen nga paraqitjet e dy kryeministrave, në fillim dhe në fund të mbledhjes së dy qeverive, ishte një inferioritet për keqardhje e kapacitet i mangët i kyeministrit Haradinaj, si dhe një arrogancë patronazhi e nivel banal i kryeministrit Rama.

“Unë isha deklaruar më herët se, fatkeqësisht, ajo çfarë tërhoqi vëmendje sot nga paraqitjet e dy kryeministrave, në fillim dhe në fund të mbledhjes së dy qeverive, ishte një inferioritet për keqardhje e kapacitet i mangët i Kryeministrit Haradinaj si dhe një arrogancë patronazhi e nivel banal i kryeministrit Rama. Duket se fjalori arrogant dhe ofendues i kryeministrit Rama tanimë është bërë diçka e zakonshme në paraqitjet e tij publike në Kosovë. Kryeministri Rama madje merr guximin të emëroi “gomarë” të gjithë ata të cilët marrin guximin të akuzojnë Presidentin Thaçi për tradhti, edhe pse unë nuk kam dëgjuar dike nga fytyrat publike ta ketë bërë këtë ende”, ka thënë Gecaj.

Me tej, ai ka thënë se ajo çfarë është e padiskutueshme është mbrojtja e tij të cilën ia japë Rama Presidentit të Kosovës dhe shtyrja para e një projekti që ka gjasa të ketë lindur fillimisht nga dyshja Rama-Vuçiq.

“Është kjo një paralajmërim dhe parapërgatitje se Presidenti i Kosovës mund të eci rrugës së tradhtisë kombëtare, apo është vetëm edhe një gafë e pacipë e Kryeministrit Shqiptar, këtë do të duhet të presim e ta shohim më vonë. Megjithatë, ajo çfarë është e padiskutueshme është mbrojtja e tij të cilën ia japë Presidentit të Kosovës dhe shtyrja para e një projekti që ka gjasa të ketë lindur fillimisht nga dyshja Rama-Vuçiq, së cilës më vonë do t’i jetë shtuar edhe dyshja tjetër Thaçi-Mogerini”, ka thënë ai.

Në fund, zyrtari i LDK-së ka theksuar se Rama nuk ka çfarë të përzihet në çështjet e karakterit puro të brendshëm të Kosovës. Sipas tij, çfarëdo tjetër që bën, ai mund të futet në vorbullën e ofendimit të cilin ia bëri kundërshtarëve të Thaçit.

“Kryeministri i Shqipërisë nuk ka çfarë të përzihet në çështjet e karakterit puro të brendshëm të Kosovës, por vetëm se duhet të përkrahë zgjidhjet dhe orientimet e formuara në mënyrë demokratike nga ana e institucioneve tona legjitime, në përputhje me Ligjin e Kushtetutën e vendit. Çfarëdo tjetër që bën, ai mund të futet në vorbullën e ofendimit të cilin ia bëri kundërshtarëve të Thaçit”, ka përfunduar anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: Ideatorët e “korrigjimit” Thaçi-Vuçiq-Rama

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Faik Krasniqi, ka thënë se tashmë nuk është më asgjë sekrete se kush fshihet prapa idesë së korrigjimit të territorit me Serbinë.

Sipas tij, prapa kësaj ideje qëndron edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

“Nuk është më asgjë sekrete se kush fshihet prapa idesë së korrigjimit të territorit me Serbinë, qëndron edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Do të thotë që Thaçi-Vuçiq-Rama janë ideatorët e kësaj ideje. Por nuk mbaron me kaq kjo përkrahje, sepse përveç Putinit edhe nga BE-ja ka shtete që janë pro kësaj ideje, duke filluar nga kanzelari austriak Sebastian Kurz”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.

Ai ka nënvizuar se e rëndësishme për Kosovën është qëndrimi gjerman dhe ai amerikan.

“Për Kosovën me rëndësi është qëndrimi gjerman dhe ai amerikan. Kanzelarja Merkel deri më tash ka qenë kategorikisht kundër kësaj ideje, dhe dihet se Gjermania është superfuqia më e madhe në Evropë. Nëse edhe amerikanët vazhdojnë të jenë kundër kësaj ideje, atëherë nuk do të ketë asgjë rreth kësaj teme”, ka përfunduar Faik Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat