Ish ushtari shpalosë momente nga jeta e ushtarëve të UÇK-së në qendrat stërvitore

Politika

Ish ushtari shpalosë momente nga jeta e ushtarëve të UÇK-së në qendrat stërvitore

Nga: A.M. Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 22:11
Ish ushtaraku Hafir Hoxha

Ish ushtaraku Hafir Hoxha ka rrëfyer ekskluzivisht për gazetën “Bota sot”, ngjarje nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe plan-programin e tyre gjatë një dite.

Ai për “Bota sot” ka thënë se në zyrat e tyre kanë pasur flamurin kombëtar, kurse kanë bërë ushtrime dhe trajnime sikurse ushtritë e tjera të zakonshme. 

 “Në zyrat tona rregullisht  kemi pas flamurin tonë kombëtar dhe kemi pas plan program për 24 orë .  Kemi zhvilluar ushtrime dhe trajnime me ushtarët tanë sikur ushtri e rregullt.

Në ora 6 janë zgjuar ushtarët, janë pastruar kanë rregulluar krevatet dhe në ora 6.15 h janë rreshtuar jashtë dhe kemi bërë gjimnastikën e mëngjesi 30 minuta . Në ora 7.00 kemi ngrenë mëngjes, në ora 8 .00 ka qenë rreshtimi jashtë me pajisje dhe armatim”, ka shpjeguar Hoxha për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka thënë për “Bota sot” se çdo ditë me nderime ushtarake e kanë ngritur flamurin kombëtar, si dhe përgatitjet që janë zhvilluar nga ushtarët e UCK-së.

“Çdo ditë me nderime ushtarake kemi ngrit flamurin kombëtarë në shtizë të rregulluar me dru të gjatë të gdhendur, kemi zhvilluar revistën e mëngjesit deri në ora 8.30 h dhe pastaj kemi vazhduar rrugët në rrashtë deri tek poligoni ku kemi zhvilluar trajnimet ushtarake në njohjen  dhe përdorimin e armatimi, pastrimin dhe mirëmbajtja e armëve dhe pajisjeve të tjera ushtarake, lëndën e Taktikës dhe operativës, pra ushtari në sulm, në mbrojtje, fortifikimi dhe rregullimi i istikameve, orientimi në natyrë, lufta kundër mjeteve të blinduara me mjete improvizuese, organizimi i pritës/ pusisë, tërheqja e të lënduarve, ndihma e parë në front, ekzistenca në natyrë, maskimi, vrojtimi, sigurimi, marshuta e njësiteve dhe gjuajtja me të gjitha llojet e armëve që posedonim caqet statike dhe lëvizëse me municion. Këto ishin tematikat që në realizonim në të gjitha qendrat stërvitore ku unë isha në Viçidol, Papaj, Kolsh, Kalimash, Krumë, Kukës, Cahan. Në ora 13.00 u kthenim në repart / kazermë, pastronim armët, dreka ishte në 13.30h , pas dreke ushtarët pushonin deri në ora 17.00h ku përsëri zhvillonim stërvitje deri ne ora 19.00h e shumë herë kishim edhe gjuajtjet, stërvitjet dhe lëvizje gjatë natës, kushtet meteorologjike shiu, dëbora e diell kurrë nuk na kanë ndryshuar orarin e punës, plan programin dhe rendin shtëpiak në Qendra Stërvitore . Ushtarët nga këto qendra rregullisht në të gjitha zonat luftarake ku kanë vepruar në Kosovë kanë qenë të dalluar me aftësi psikofizike dhe me përgatitje ushtarake dhe menjëherë kanë pas funksione dhe detyra komanduese si komandantë  të Grupeve 2-5 ushtarë, të Skuadrave 5-10 ushtarë, të Togjeve 15-30 ushtarë e më vonë edhe Komandant të Kompanive, Batalioneve dhe Brigadave ”, ka shtuar ish ushtaraku i UÇK-së.  

Po ashtu, ai ka folur edhe për momentet e gëzueshme që i kanë pasur ushtarët e UÇK-së, si dhe aktivitet kulturore të cilat janë zhvilluar.

“Në reparte kemi zhvilluar edhe aktivitete kulturore, sportive, kemi pas rapsod me veglat e tyre rregullisht, kemi luajtur futboll dhe gati se në secilin njësit kemi pas ushtarë talent që kishin aftësi për argëtim e humor. Kemi uruar dhe festuar ditëlindjet e ushtarëve dhe shokëve tanë. Festonim edhe kur ndonjë ushtarë merrte lajmin se është bërë prind dikush qitke pushkë e ai qaroste , kjo më pat ndodhë edhe mua ku në mars të 1998 isha kyç në UÇK dhe pas tre muajve me lindi vajza Nderona në Zvicër e u dashtë me qerosë si shokët të tjerë. Por edhe festat të tjera i kemi festuar sidomos vitin e ri dhe 28 Nëntorin kemi festuar me gëzim më të madh është kënduar e besa edhe ndonjë fishek në ajër është ndezë. këto ishin tematikat kryesore që i zhvillonim”, ka deklaruar Hoxha për “Bota sot”. 

Në fund, ish ushtaraku ka treguar për vëzhgimin e kufirit edhe për momentet në të cilat kur ushtarët kanë rënë dëshmorë.

“Gjatë kësaj kohe rregullisht u vëzhgonte kufiri, u përgatitshin njësitet për tu futur në luftime në Kosovë, u ndanim me shokë, u takonim përsëri gjetiu, dëgjonim për shokët tanë kur binin dëshmorë mirë por e dinim se ajo mund të na ndodhë edhe neve nesër prandaj ishim mësuar dhe adaptuar me atë ritëm të jetës, e pas trajnimeve në luftime dhe zona të ndryshme ishte tjetër ritëm i punës dhe jetës ushtarake .  Unë pra përshkrova punën dhe jetën e ushtarëve të UÇK -së në Qendra Stërvitore ku u bëheshim gati për luftime në luftë guerile dhe atë Frontale”, ka përfunduar ish ushtaraku Hoxha për “Bota sot”.

Image
Fotografia është bërë në Qendrën Stërvitore të UÇK-së në Viçidol, në Tropojë afër Bajram Currit në shtatorë të vitit 1998. Në fotografi janë të gjithë ushtarak profesionalë ( me shkolla të mesme dhe akademi ushtarake)
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat