Daku: Çdo shtyrje e datës për liberalizim të vizave, goditje tjetër e rëndë për Kosovën

Politika

Daku: Çdo shtyrje e datës për liberalizim të vizave, goditje tjetër e rëndë për Kosovën

Nga: A.M Më: 30 nëntor 2018 Në ora: 15:26
Ilustrim

Drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci, Selim Daku, thotë se, dështimet e Kosovës në anëtarësimin e organizatave ndërkombëtare nuk janë vetëm rezultat i punës që institucionet vendore zhvillojnë.

“Dështimet e Kosovës në arenën ndërkombëtare në veçanti në raportet dhe me anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare nuk janë vetëm rezultat i punës që institucionet tona zhvillojnë. Shpeshherë edhe orientimet gjeopolitike janë përcaktuese në këto procese. Ruajtja e statusit aktual nëpër organizata për shumë shtete të botës është një gjë më e lehtë sesa ndryshimi i pozicioneve dhe pranimi i realiteteve nëpër regjione të ndryshme të botës.”, ka thënë ai për “Bota sot”

Më tej, Daku ka shtuar se institucionet  e vendit nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndryshuar pozicionet e vendeve që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

“Megjithëse shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë dhe shtetet që kundërshtojnë me votë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare janë të njohura për institucionet tona. Këto institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm për të ndryshuar pozicionin e këtyre shteteve në dobi të shtetit të Kosovës”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Sipas tij, këto organizata kanë qëndrime neutral ndaj statusit të Kosovës dhe se  zhvillojnë standarde të shumëfishta. Daku thotë se BE-ja dhe anëtarët e saj po shfrytëzojnë jashtëligjshëm mundësinë për të mos ofruar lëvizje pa viza në zonën schengen për qytetarët e Kosovës.

Image
Selim Daku

“Shumica e organizatave ndërkombëtare që Kosova aspiron anëtarësimin kanë qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës, që nënkupton se de jure nuk e njohin shtetin e Kosovës. Kjo paraqet handikapë për Kosovën sepse pikërisht këto organizata zhvillojnë standarde të shumëfishta dhe të padrejta në raport me anëtarësimin dhe mundësitë e para anëtarësimit që këto organizata ofrojnë. Bashkimi Evropian si organizatë dhe shtetet anëtare të saj edhe për kundër plotësimit të të gjitha kritereve nga ana e Kosovës, po shfrytëzojnë jashtëligjshëm mundësinë për të mos ofruar lëvizje pa viza në zonën schengen për qytetarët e Kosovës gjatë vitit 2018. Çdo shtyrje e datës në të cilën do të merrej vendimi për liberalizim të vizave për Kosovës do të ishte goditje tjetër e rëndë për Kosovën dhe vetë vlera të cilat i proklamon BE-ja”, ka deklaruar Daku për “Bota sot”..

Ndërsa, sa i përket idesë së Presidentit Thaçi për korrigjimin kufirit me Serbinë,  ai ka thënë se ka hapur diskutime në zyrat e shefave të shteteve më të fuqishme të botës dhe se ky propozim për marrëveshje kompromisi për herë të parë vë në pah kontestimin e shtetësisë së Kosovës..

“Ne e dimë që ngecjet e Kosovës në arenën ndërkombëtare nuk janë manifestuar vetëm gjatë vitit 2018, përkundrazi në këtë vit vetëm ka vazhduar konsistenca në dështimet e radhës.

Ideja e Presidentit ka shkaktuar proces, ka hapur diskutime në zyrat e shefave të shteteve më të fuqishme të botës. Propozimi për marrëveshje kompromisi dhe ligjërisht obligative me Serbinë për herë të parë vë në pah kontestimin e shtetësisë së Kosovës nga një drejtues i lartë shtetërorë gjatë këtyre 10 vite të pavarësisë”, ka potencuar Daku për “Bota sot”.

Ai ka shtuar se nuk mund të kem epilog final për atë se nëse është njëra nga arsyet edhe ideja e presidentit e cila ka kontribuar në vazhdimin e dështimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare

“Edhe pse Kosova po ballafaqohet me mungesë të suksesit të anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, Presidenti suksesin e palëve, në këtë rast më shumë Kosovës se Serbisë e vendosë në varësi të marrëveshjes ligjërisht obligative e cila deri më sot është vetëm diskutim i njëanshëm i presidentit dhe pa një qartësi përmbajtjesore për publikun. Prandaj, pa pasur njohuri mbi propozimet që Presidenti ka, nuk mund të kemi epilog final për atë se nëse është njëra nga arsyet edhe ideja e presidentit e cila ka kontribuar në vazhdimin e dështimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka theksuar Daku për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat