Aktet e fundit të dramës a tragjedisë shqiptare me Mitrovicën

Politika

Aktet e fundit të dramës a tragjedisë shqiptare me Mitrovicën

Nga: G.B Më: 1 dhjetor 2018 Në ora: 12:44
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Kryetarët e Komunave Mitrovicë e Veriut, Zubin-Potok, Leposaviq dhe Zveçan të martën kanë dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit, në shenjë pakënaqësie për taksën 100 për qind të vendosur nga Kosova ndaj produkteve serbe.

Në shenjë proteste për këtë taksë, në Mitrovicë serbët kanë protestuar, duke kërkuar që ajo të hiqet.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi ka bërë homazhe te varri i ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, me rastin e ditëlindjes së tij, foli lidhur me dorëheqjet e 4 kryetarëve të komunave veriore.

Haradinaj tha se këto dorëheqje nuk janë definitive dhe se janë duke u shqyrtuar.

Image
Rexhep Shahu

“Dorëheqjet janë e drejt e kryetarëve dhe e te zgjedhurve. Nuk e di a kualifikohen këto dorëheqje. Ato dorëheqje nuk janë ende definitive jemi duke i shqyrtuar”, tha Haradinaj.

Analisti dhe publicisti Rexhep Shahu, është shprehur për gazetën “Bota sot” se ndoshta këto janë aktet e fundit të dramës së tragjedisë shqiptare në Mitrovicë.

“Ndoshta jemi në aktet e fundit të dramës a tragjedisë shqiptare me Mitrovicë që ka 20 vjet që luhet nga politika. Ndoshta është ftesa e fundit për Kosovën që ta zotërojë, mbajë territorin e saj kompakt dhe ta shpëtojë nga kafshimi, ta shpëtojë nga shkëputja. 20 vjet na është lënë mjaft kohë për të demonstruar se e bëjmë kompakt territorin tonë duke na mbrojtur KFOR-i, atë territor që e lamë pa shkelur në 1999 kur trimat shkuan deri te zyrat e Mitrovicës dhe nuk e vazhduan marshimin e fitimtarëve deri në kufirin me Serbinë”, ka thënë Shahu.

Sipas tij, dorëheqjet e kryetarëve serbë janë lojëra politike dhe se kërcënimet e tyre për shkëputje të komunikimit me institucionet në Prishtinë, është këmbanë sipas të cilës duhet të vallëzojë Thaçi.

“Kërcënimet me dorëheqje, dorëheqjet e pushtetarëve lokale serbe të komunave të Kosovës janë lojëra të mëdha politike që fatkeqësisht kanë nxjerrë në skenë aktorë të vegjël - kryetarë komunash minore. Nuk jam në gjendje të parashikoj asgjë pasi në këtë rast ekuacionin e vështirëson presidenti i Kosovës i cili ka kohë që jep territore Serbisë dhe në ëndërr shkëmben territore me Serbinë, e cila nuk besoj se ia jep presidentit të Kosovës Luginën apo korridorin që lidhë Greqinë me Serbinë e Evropën. Kërcënimi se komunarët e dorëhequr nuk duan të kenë punë me Kosovën por me Serbinë është këmbana e pritur që të binte. Tani duhet Thaçi të vallëzojë sipas kësaj melodie të kësaj këmbane serbe”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat