Krasniqi tregon frikën për kushtin që BE mund t’i vë Kosovës për njohjen nga Serbia

Politika

Krasniqi tregon frikën për kushtin që BE mund t’i vë Kosovës për njohjen nga Serbia

Nga: G.B Më: 1 dhjetor 2018 Në ora: 15:14
Hashim Thaçi, Federica Mogherini dhe Aleksandar Vuqiç

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se marrëveshja me Serbinë është e largët dhe pothuajse e pamundur.

Gjatë qëndrimit të tij në Amerikë, ai ka mbajtur dhe një ligjëratë publike në “Atlantic Council” në Uashington të SHBA-së, ku ka thënë se Kosova ka mësuar se nuk ka marrëveshje pa kompromise, por gjithashtu ka mësuar se nëse bashkëpunon me partnerët e vet ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara, kompromisi ka sjellë deri te realizimi i aspiratave të popullit të Kosovës.

Se sa pritet që të ketë marrëveshje në një të ardhme të afërt me Kosovën, apo ajo është larg dhe thuajse e pamundur, njohësi i çështjeve politike në vend, Faik Krasniqi, ka thënë për gazetën ”Bota sot” se marrëveshjet e arritura deri tani në dialogun me Serbinë kanë qenë sa për sy e faqe dhe nuk janë zbatuar dhe se na bisedimet ka përfituar vetëm Serbia.

Image
Faik Krasniqi

“Bisedimet me Serbinë dhe marrëveshjet e nënshkruara, nuk kanë dhënë asnjë efekt deri më tash. Ato marrëveshje janë nënshkruar sa për sy e faqe, por asnjëra prej tyre nuk është zbatuar në praktike nga ana e Serbisë. Ky dialog i ka shkuar për shtati vetëm Serbisë, sepse në bazë të këtij dialogu u afrua sa më shumë me BE-në, duke e fituar statusin kandidat për anëtarësim. Kurse Kosova përveç që u dëmtua, vazhdon të ngelet e izoluar”, është shprehur ai.

Sipas Krasniqit, nëse marrëveshja me Serbinë është e largët, fajtor është Thaçi i cili ka vënë në dyshim shtetësinë e Kosovës, derisa shton se ka frikë për kushti i BE-së për marrëveshje do të jetë ndarja e Kosovës.

“Nëse marrëveshja me Serbinë është e largët sipas Hashim Thaçit, atëherë ai është fajtori kryesor, sepse me këtë dialog pa asnjë kusht të vetëm e dëmtoi shtetin dhe qytetarët e Kosovës. E vuri në dyshim shtetësinë e saj, kurse Serbinë e fuqizoi në masë të madhe. Kam frikë se kushti i BE-së, që është shndërruar në avokate dhe zëdhënëse e Serbisë, ndarja e pjesës veriore do jetë kusht për Kosovën në mënyrë që të njihet nga Serbia. Presidenti Thaçi duhet të burgoset për dëmet që ia ka bërë Kosovës, dhe për qëllimet e tij djallëzore për ndarje të Kosovës”, ka theksuar Krasniqi.

Ai thotë se Serbia dhe BE-ja kanë gjetur Thaçin për të arritur qëllimet e tyre djallëzore, për çka ai është i gatshëm që të copëtojë atdheun e tij.

“Serbia dhe BE-ja kanë gjetur një njeri lojal për qëllimet e tyre djallëzore, i cili është i gatshëm edhe ta copëtojë atdheun e tij, vetëm e vetëm t'i kënaq apetitet e Serbisë dhe BE, e ai njeri nuk është kush tjetër pos gjarpri i veshur me lëkurën e njeriut që quhet Hashim Thaçi”, ka deklaruar Faik Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat