Avokati Tomë Gashi tregon se kur duhet të vritet një hajn sipas ligjit, flet edhe për Kanunin e Lekë Dukagjinit

Politika

Avokati Tomë Gashi tregon se kur duhet të vritet një hajn sipas ligjit, flet edhe për Kanunin e Lekë Dukagjinit

Nga: D.RR Më: 1 dhjetor 2018 Në ora: 19:17
Tomë Gashi

Avokati Tomë Gashi, në një prononcim për “Bota sot” ka treguar se kur kemi të drejtë të qëllojmë me armë zjarri ndaj hajnave/plaçkitësve, në rastet kur përballemi me ta, pa dëshirën tonë.

Vrasja që ndodhi para disa ditësh në lagjen Veternik të Prishtinës, ku pronari vrau hajnin që kishte hyrë i armatosur në shtëpinë e tij, ka alarmuar qytetarët e vendit dhe institucionet përkatëse, sidomos kohëve të fundit kur janë shpeshtuar vjedhjet dhe grabitjet.

Dorasi Ridvan Beqiri, gjatë përleshjes me armë zjarri në shtëpinë e tij ku kishte hasur me grabitësit e armatosur, kishte qëlluar për vdekje personin që i kishte hyrë në shtëpi për të vjedhur, Kujtim Krasniqin nga fshati Makovc.

Rasti nga institucionet e drejtësisë është vlerësuar dhe Ridvan Beqiri nuk është arrestuar.

Avokati Tomë Gashi thotë se këto raste janë të parapara me nenin 12 të kodit penal të Kosovës. Ky nen parasheh çka është mbrojtja e nevojshme, dhe nëse vepron në mbrojtje të nevojshme për të mbrojtur veten apo tjetrin nga sulmi i atëçastshëm/momental, dhe i kundërligjshëm dhe real.

Gashi thotë se mbrojtja duhet të jetë në proporcion me shkallën e rrezikut që paraqet sulmi.

“Kjo është fare qartë e paraparë me nenin 12 të kodit penal të Kosovës. Ky nen parasheh çka është mbrojtja e nevojshme, dhe nëse vepron në mbrojtje të nevojshme për të mbrojtur veten apo tjetrin nga sulmi i atëçastshëm/momental, dhe i kundërligjshëm dhe real. Mbrojtja duhet të jetë në proporcion me shkallën e rrezikut që paraqet sulmi. Ndërsa se a paraqet mbrojtje të nevojshme apo tejkalim të tij/saj, vlerësohet në çdo rast konkret dhe krejtësisht varet se çfarë situate konkrete ndodh në secilin rast”, ka thënë Gashi.

Ai thotë secili ka të drejtë të mbrohet në secilën mënyrë të përshtatshme dhe ai nuk duhet të dënohet fare, sepse sipas Gashit, në çdo rast ai që mbrohet është viktimë dhe viktima nuk duhet të ndiqet penalisht në asnjë rast.

“Në parim secili që mbrohet nga hajnat e dhunshëm ka të drejte të mbrohet në secilën mënyrë të përshtatshme dhe ai nuk duhet të dënohet fare, sepse në çdo rast ai që mbrohet është viktimë, dhe viktima nuk duhet të ndiqet penalisht në asnjë rast”, ka treguar Gashi.

Sipas tij, në çdo vrasje të hajnave/plaçkitësve, duhet të konstatohet se viktima ka shtënë në vetëmbrojtje.

“Kjo nuk vlen për hajnat që hyjnë në shtëpia dhe në lokale e deri te bankat për t’i vjedhur dhe plaçkitur nën kërcenim të përdorimit të armeve, po që se ata vriten dhe konstatohet se viktima ka shtënë në vetëmbrojtje, gjaku i hajnit shkon huq dhe nuk dënohet ai që e vret. Kështu është e paraparë me kod penal”, shton tutje Gashi.

Avokati Gashi flet edhe për Kanunin e Lekë Dukagjinit, duke thënë se ai shpeshherë është më i drejtë se ligjet e shtetit.

“Kështu njëjtë ka qenë dhe është e paraparë edhe me Kanunin e Lekë Dukagjinit i cili për ne shqiptarët shpesh herë ka fuqi shumë më shumë se secili ligj dhe shpeshherë kanuni është më i drejt se ligji. Hajni që vritet duke vjedhur, sipas kanunit ai gjak shkon humbës dhe askush nuk ka të drejtë të hakmerret për të. Shkurt secili ka të drejt të vetëmbrohet”, ka përfunduar Gashi për “Bota sot”.

Më poshtë mund ta lexoni të gjithë nenin 12 të kodit penal të Kosovës lidhur me vetëmbrojtjen.

Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat