E zbulon Kurti: Ideja për ndarje të Kosovës lindi në Nish nga Rama dhe Vuçiqi

Politika

E zbulon Kurti: Ideja për ndarje të Kosovës lindi në Nish nga Rama dhe Vuçiqi

Nga: N.Sh Më: 3 dhjetor 2018 Në ora: 15:03
Rama, Vuçiq

Ideja për ndarjen e Kosovës ka lindur dy vite më parë në Nish, gjatë një takimi në mes të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Kështu thotë kryetari i Republikanëve të Kosovës, profesor Faton Kurti, i cili shton se, pas këtij koncepti është bindur edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tashmë e ka propozuar këtë ide.

Kurti thotë se, trillimet e fundit në skenën politike tonë rajonale i ngjajnë një skenari të një filmi tragjik-komik duke e përforcuar tezën, se sa të korruptuar janë politikanët në këtë pjesë të botës, të cilët për të mbijetuar politikisht janë në gjendje ta rrezikojnë edhe sovranitetin e shtetit që ata vetë ”drejtojnë“!

Ai pohon se, të tre aktorët kryesorë të kësaj vije politike në rajon, Rama, Thaçi dhe Vuçiq, çdo ditë e më tepër po i ngjajnë trinjakëve të cilët duken dhe bëjnë veprime të njëjta duke orkestruar njëri-tjetrin.

“Të tre përdorin të njëjtën retorike mediatike “patriotike” me pretekst, kinse duan t’i mbrojnë interesat e tyre nacionale, kombëtare – por në realitet të tre harmonizojnë shumë mirë njëri me tjetrin dhe janë duke u konsoliduar çdo ditë e më tepër, konceptin e tyre të ndarjes së Kosovës. Kjo ide ka lindur para dy viteve në takimin mes Ramës dhe Vuçiqit në Nish dhe pastaj në këtë varkë  është bindur të hipë edhe Thaçi si ai që do ta propozonte publikisht këtë ide”, thotë Kurti për gazetën “Bota sot”.

Image
Faton Kurti

Ai pohon se, ky koncept tanimë i është “shitur” edhe Bashkësisë Evropiane dhe në fazën përfundimtare, ju ka mbetur ta bindin vetëm SHBA-në dhe e tërë kjo po bëhet vetëm për mbijetesën e tyre personale politike.

“Nga ana tjetër, dështimet e kësaj qeverie të dobët, po vijnë njëra pas tjetrës si: dështimi i liberalizimit të vizave, dështimi i pranimit të Kosovës në Interpol, rënie drastike prej qindra milionash të investimeve të huaja në Kosovë, zero zhvillim ekonomik, një “ushtri” qeveritarësh të cilët po e shterin buxhetin e Kosovës me përmasa të papara dhe skandale politike të njëpasnjëshme...”, shton ai.

Kurti thekson se, në këtë fazë kritike, qeverisë i duhej  një veprim “patriotik” kundër Serbisë, vetëm për të larguar vëmendjen e qytetarëve të Kosovës nga paaftësia e saj, për të çuar proceset përpara dhe në thelb kjo fshihet pas lëvizjes bombastike, me rritjen e taksës 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia.

“Personalisht kam folur dhe shprehur qëndrimet e mia për masa bllokuese ndaj Serbisë me kohë dhe jam në favor të rritjes së taksës 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia por kjo duhej të  kishte ndodhur 19 vjet më parë – por do të dëshiroja shumë që ky vendim të mos jetë thjesht një lëvizje taktike në kushtet e një presioni shumë të madh nga ana e opinionit publik të brendshëm në Kosovë dhe të  mos keqpërdoret për mbijetesën e kësaj qeverie të dobët. Vetë fakti se Vuçiqi personalisht po e mbron “nën flatrat e tij”  të arratisurin Radojçiç cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e Ivanoviçit, i cili duke ikur nga Kosova ju shmang arrestimit nga policia e Kosovës, e bën krejt të qartë pse Serbia e Vuçiqit, bëri çdo gjë të mundur, vetëm për ta penguar Kosovën të bëhet pjesë e INTERPOLIT”, thotë profesori.

Kurti deklaron se, largimi i  katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe nga posti i Kryetarit dhe organizimi i protestave të popullatës serbe në Kosovë kinse për të protestuar kundër taksës 100% dhe kundër arrestimit të katër serbëve të dyshuar, për vrasjen e Ivanoviçit, nuk janë asgjë tjetër përpos përforcim i tezës se serbët në Kosovë kinse u rrezikohet ekzistenca dhe po ju pamundësohet jetesa në Kosovë dhe për këtë duhet të ndahet Kosova.

“Edhe kjo i shërben inskenimit që opinioni publik evropian ta hajë edhe një herë tezën serbe se popullsia e tyre është në rrezik, ndërkohë që e vërteta siç e dimë mirë është krejt ndryshe. Serbët e Kosovës, trajtohen më mirë se çdo pakicë tjetër në Ballkan, nuk ju mohohet gjuha dhe shkollimi në gjuhën serbe, marrin shërbime spitalore dhe të gjitha shërbimet e tjera pa u diskriminuar nga askush, simbolet e tyre nuk janë në rrezik. Madje toleranca me serbët, shkon deri atje sa ata nuk paguajnë fare për shërbimin e rrymës që e marrin nga KEDS i Kosovës, përpos se zyrtarët e komunave të tyre, marrin rroga të dyfishta nga buxheti i Kosovës por edhe ai i Serbisë. Nëse më të vërtetë, duam ta parandalojmë këtë skenar të mire organizuar dhe të inskenuar nga këta tre aktorë politikë, ne si politikan dhe si  parti opozitare, së bashku me qytetarët e Kosovës duhet urgjentisht të bëhemi bashkë për ta mbrojtur sovranitetin e Kosovës me çdo çmim”, përfundon Faton Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat