Jep dorëheqje Ramush Haradinaj!

Politika

Jep dorëheqje Ramush Haradinaj!

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 3 dhjetor 2018 Në ora: 21:11
Qeveria e Kosovës në takim me komisionerin për zgjerim të BE-së, Johanes Hahn

Komisionari Evropian për zgjerim Johannes Hahn, ua këputi shpresat qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët prisnin me padurim që liberalizimi i vizave të ndodhë brenda këtij viti e më së largu deri në vitin tjetër.

Gjithçka u bë më se e qartë nga vizita e z. Hahn në Prishtinë. Hahn shkoi edhe më larg, duke sugjeruar që qytetarët e as politikanët të mos jenë peng i datave për liberalizimin e vizave.

“Këshilli është ai që merr më shumë kohë, për ta kaluar këtë hap të procesit, kam shumë besim që viti 2020 është shumë realiste, ndoshta më herët, por mos mbani peng të datave”, tha kryekomisioneri Hahn.

Në fillim të vitit të këtij viti, u bë plot një dekadë kur Kosovës i ishte premtuar liberalizimi i vizave. E që atëherë, janë dhënë me dhjetëra për të mos thënë me qindra premtime të tjera nga politikanët e Kosovës për lëvizje të lirë.

Natyrisht, premtimet e bëra këto vitet e fundit, janë ato që dhembin më së shumti. Për hir të liberalizimit të vizave, në fillim të këtij viti u votua marrëveshja për Demarkacionin e Kufirit me Malin e zi, me premtimin se do të korrigjohet më vonë. Kulla e Çakorri iu dhanë Malit të Zi nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj,  në emër të liberalizimit të vizave. As pas këtij hapi liberalizim nuk kishte ndërsa premtimet vijuan edhe më tutje. Haradinaj harroi ofendimin që ia kishte bërë ish Kryetarit të Komisionit për shënimin e vijës kufitare me Malin e zi, kur shfaqi mosbesim ndaj tij për shënimin e vijës kufitare.

Para se të bëhej kryeministër, Haradinaj do të premtonte liberalizim të vizave brenda tre muajsh. Në pakon e premtimeve hynte edhe formimi i ushtrisë së Kosovës.

Tani kur qeveria Haradinaj po mbushë një vit e tre muaj, liberalizimi nuk po ndodhë e siç duket nuk do të ndodhë deri më 2020.

Por, të ndalemi pak tek imazhi i politikanëve që aktualisht kanë në dorë shtetin e Kosovës. Më kot fajësohet BE-ja si diskriminuese, kur ata që përfaqësojnë popullin janë diskriminuesit më të mëdhenj.

Udhëheqësve të sotëm të shtetit të Kosovës, u faturohen dyshime për vrasje e krime të ndryshme të kryera pasluftës. Kosova nuk e ka një sistem të drejtësisë transparent, pikërisht për shkak të ndërhyrjeve politike. Kjo është bërë e ditur edhe në shumë raporte ndërkombëtare. E si mund të pritet perspektivë për qytetarët nga liderët që akuzohen për krime.. Evropa ka informacione për të kaluarën e secilit politikan të Kosovës. Është fatkeqësi që penalizohen qytetarët për shkak të këtyre politikanëve.

Me Serbinë mbi kokë e me politikanë “grabitqarë” që nuk kanë strategji për ta kundërshtuar atë, nuk mund të ketë heqje vizash e as të ardhme më të mirë për qytetarët. Në parim, taksa prej 100% për mallrat nga Serbia mund të konsiderohet hap pozitiv. Por, nëse shkohet përtej kësaj, atëherë e kuptojmë se qytetarët janë ata që e paguajnë “haraçin” e kësaj takse. Mbase, ky hap është ndërmarr nga qeveria për të mbuluar dështimin e liberalizimit të vizave, kur dihet se shqiptarët për nga natyra janë mjaft euforik dhe ekzaltohen me një simbolikë të shqiponjës.

Në këtë dështim mund të ketë ndikuar edhe dialogu me Serbinë, përkatësisht ideja e Presidentit Thaçi për korrigjim kufijsh. Askush nuk e merr seriozisht një shtet i cili me “vetdëshirë” konteston kufijtë e tij. Edhe kjo i faturohet Kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili faktorizoi ideatorin e korrigjimit të kufirit me Serbinë, Presidentin Thaçi, duke ia dhënë krahun për udhëheqje të dialogut me Serbinë.

Kjo pra është skema që po e qon Kosovën drejt dështimit.. E vetëm dorëheqja do ta lante turpin dhe dështimin të cilin po e paguajnë qytetarët e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat