Kështu premtuan politikanët e Kosovës për vizat, dy nga ta do të japin dorëheqje

Politika

Kështu premtuan politikanët e Kosovës për vizat, dy nga ta do të japin dorëheqje

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 4 dhjetor 2018 Në ora: 09:29
Foto ilustrim Bota sot, politikanët që premtuan vizat

Kështu premtuan politikanët e Kosovës për vizat, dy nga ta do të japin dorëheqje

Komisioneri për zgjerim i BE-së, Johanes Hahn, dje përfundimisht gjatë vizitës në Kosovë i dha fund shpresës për liberalizim të vizave këtë vit për Kosovën. Ai zyrtarisht bëri të ditur se Kosova nuk është futur fare as në agjendën e këshillit të ministrave të BE-së për votim, shkruan gazeta “Bota sot”.

Një rrebesh premtimesh nga politikanët e Kosovës, u bënë këtë vit për liberalizimin e vizave. Madje, disa nga ata që premtuan, u zotuan se nëse nuk ndodh liberalizimi brenda vitit 2018, ata premtuan se do të japin dorëheqje.

I gjithë spektri qeveritar në Kosovë, duhet të marrin përgjegjësi për premtimet boshe drejtuar qytetarëve të Kosovës.

Qeveria Haradinaj ishte shumë e zhurmshme sa i përket votimit të demarkacionit në fillim të këtij viti. Ata gjithnjë thonin se votimi i demarkacionit me Malin e Zi, do të ishte çelësi për liberalizimin e vizave brenda këtij viti.

Image
Ramush Haradinaj

I pari që filloi me premtimet, ishte i pari i qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Liberalizimi i vizave dhe formimi i Ushtrisë do të bëhet brenda 3 muajve.

Kështu pati premtuar kandidati për kryeministër nga koalicioni parazgjedhor PDK-AAK-NISMA, Ramush Haradinaj i cili tha se kjo do ndodh orientimisht brenda tre muajve kur te nisë punën qeveria e tij.

Por kjo nuk ndodhi dhe Haradinaj premtoi vizat përsëri pas votimit të demarkacionit në mars të këtij viti, mirëpo prapë nuk ndodhi.

E presidenti Thaçi menjëherë pas votimit të demarkacionit u shpreh i sigurt se liberalizimi i vizave do të ndodh këtë vit.

Image
Hashim Thaçi

“Shqiptarët e Kosovës më në fund do të mund të lëvizin të lirë nëpër Europë pa pasur nevojë të aplikojnë për të marrë pasaportën shqiptare, siç ndodhte rëndom deri tani”, kishte thënë ai.

Ai tha se kjo u arrit përmes plotësimit të kushtit që ishte miratimi i demarkacionit.

“Është radha e Bashkimit Europian që sa më shpejt të përmbyllin procedurat e nevojshme që të ndodh liberalizimi i vizave. Unë them lirisht se liberalizimi i vizave për Kosovën do të ndodh brenda këtij viti. Mund të ndodh në vjeshtën e hershme”, tha Thaçi.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha në mars të këtij viti në raportimin para Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës tha se procesi përfundon brenda 3 muajve.

Image
Dhurata Hoxha

Pas këtyre proceseve për të cilat fliste Hoxha, ajo premtoi se në vjeshtën e këtij viti do të ndodh liberalizimi i vizave.

Ndërsa “njeriu i premtimeve”, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, që njëkohësisht është edhe ministër i jashtëm i Kosovës, kishte premtuar se liberalizimi i vizave do të ndodh në muajin shtator, nëse demarkacioni votohet në Kuvend. Ai këto premtime i kishte dhënë në fillim të këtij viti.

Image
Behgjet Pacolli

Pacolli njihet si një politikan që premton shumë mirëpo asgjë nuk realizohet. Ai premtoi edhe për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, madje u shpreh shumë i sigurt 2 ditë para votimit, mirëpo edhe aty Kosova pësoi disfatë.

Ndërsa zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, dhe zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka folur muaj më parë rreth procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Hoxhaj ka deklaruar se nëse BE nuk i heq vizat për Kosovën atëherë Kosova vështirë se do ti besojë rreth procesit të dialogut më Serbinë.

Image
Enver Hoxhaj

“Kosova është angazhuar dhe ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe Bashkimi Evropian ka premtuar lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës me plotësimin e këtyre kritereve. Por, nëse sot ka hezitim nga disa kryeqytete të BE-së në lidhje me vendimmarrjen në këtë proces, pse duhet që Kosova t’i besojë këtij institucioni në dialogun me Serbinë”, ka shkruar Hoxhaj.

Tutje ai kishte pyetur nëse BE dhe shtetet anëtare nuk janë të aftë t’u përmbahen premtimeve që i kanë dhënë vetë, pse duhet të besojmë se mund ta diktojnë vullnetin e Serbisë për ta njohur Kosovën?.

E Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, para të rinjve në kuvendin zgjedhor në Vushtrri kishte thënë se liberalizimi i vizave do të ndodhë gjatë këtij viti, por të rinjtë e Kosovës, ka thënë ai, kanë besim dhe do ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në shtetin e Kosovës nëpërmjet ideve inovative.

Image
Kadri Veseli

“Partia Demokratike e Kosovës beson te rinia dhe energjia që të rinjtë sjellin. PDK-ja gjithmonë u ka dhënë hapësirën meritore të rinjve në vendimmarrje. Mbi 20 mijë të rinj anekënd Kosovës i janë bashkuar PDK-së për Dekadën e Re dhe kjo është dëshmia më e mirë se partia jonë po fuqizohet dhe reformohet me energji e ide të reja për të ardhmen e shtetit”, kishte thënë Veseli.

Deputeti i AAK-së, Blerim Kuçi, kishte premtuar para disa muajsh se do të japë dorëheqje nëse vizat nuk hiqen për Kosovën këtë vit, shkruan “Bota sot”.

Image
Blerim Kuçi

Mirëpo siç duket, dorëheqja e Kuçit do të vie pas deklaratave të komisionarit për zgjerim të BE-së, Johanes Hahn, pasi ky i fundit sot gjatë vizitës në Kosovë, zyrtarisht e konfirmoi se Kosova nuk do të jetë as në agjendën e këshillit të ministrave Evropian, të cilët do të votonin për vizat.

Por, a do të jap dorëheqje Blerim Kuçi?                                                              

Ai në një përgjigje dhënë për media dje (e hënë) ka thënë se do ta mbaj premtimin dhe nuk tërhiqet nga fjala e dhënë.

"Normalisht i qëndroj prapa zotimit tim se jap dorëheqje nëse nuk ndodh sivjet liberalizimi.  "Nëse nuk merret vendimi këtë muaj po AAK do të mbetet me një deputet më pak në Parlament. Nuk terhiqem nga zotimi publik", është shprehur Kuçi

E deputeti i AKR-së, Labinot Tahiri në seancën e Kuvendit të Kosovës për votimin e demarkacionit më 21 mars, kishte marrë me vete pasaportat e tij dhe të familjarëve, ku tha se në qoftë se nuk kalon marrëveshja e demarkacionit, do t’i dorëzojë të gjitha ato dokumente udhëtimi.

Image
Labinot Tahiri

Kjo për shkakun se ai ishte i sigurt se vizat do të hiqet menjëherë pas votimit të demarkacionit.

Madje, Tahiri premtoi se nëse nuk liberalizohen vizat këtë vit, ai do të jap dorëheqje nga posti i deputetit dhe në shenjë “solidarizimi” me qytetarët e Kosovës, nuk do të udhëtoj as ai për në shtetet evropiane deri sa liberalizimi të ndodh edhe për qytetarët e tjerë. Labinot Tahirin e kemi parë shpesh duke udhëtuar nëpër shtetet evropiane pasi profesioni i tij i kamotshëm si këngëtar, ka bërë që ai të merr pjesë në shumë koncerte të vendeve të ndryshme të botës ku ka shqiptarë.

Sipas komisionerit Hahn, liberalizimi i vizave për Kosovën pritet të ndodh në vitin 2020. /BotaSot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat