Eksperti i sigurisë flet për Ushtrinë e Kosovës dhe kundërshtimin e NATO-s: Kosova në defanzivë diplomatike

Politika

Eksperti i sigurisë flet për Ushtrinë e Kosovës dhe kundërshtimin e NATO-s: Kosova në defanzivë diplomatike

Nga: G.B Më: 6 dhjetor 2018 Në ora: 16:37
Fadil Kajtazi. Foto ilustrim nga "Bota sot"

NATO e ka kundërshtar formimin e ushtrisë së Kosovës, duke thënë se Kosova do të përballet me pasoja, pasi tani nuk është momenti i duhur.

Ndërsa, në Kosovë, kryeministri Haradinaj dhe FSK thonë se ushtria do të formohet me 14 dhjetor, kur dhe është caktuar seanca për votimin e saj.

Lidhur me këtë, njohës i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se aktualisht jemi në defanzivë totale diplomatike, për shkak të veprimeve të presidentit Thaçi.

“Tani kjo është shumë çështje serioze, hyrja në konflikt me bashkësinë ndërkombëtare anëtare të NATO-s, Serbisë i kushtoi bombardimi 77 ditësh. Në të vërtetë që pas përfundimit të luftës më 1999, Serbia është angazhuar me gjithë potencialin e vet që neve të na fus në konflikt me bashkësinë ndërkombëtare, ku ai i marsit të vitit 2004 ka qenë më seriozi. Tani pothuajse jemi në të njëjtën fazë, ku si shkak i veprimeve të Presidentit Thaçi në dëm të sovranitetit të vendit dhe i qeverisjeve të dobëta, si shkak i elitave të dobëta politike, jemi në një defanzivë totale diplomatike, kemi një avancim të diplomacisë serbe në raport me ne”, është shprehur ai.

Sipas tij, në kohën kur po krijojmë një instrument për mbrojtjen e vendit nga Serbia, kemi presidentin me kërkesën për cenimin e sovranitetit dhe kryeministrin me kërkesën për krijimin e instrumentit themelor për ruajtjen e sovranitetit të vendit.

“Fatkeqësisht, faza kur ne po krijojmë një instrument për mbrojtjen e vendit nga një agresor i mundshëm që potencialështë Serbia, kemi një president i cili si lypës po shëtit kancelarive të botës për të cenuar sovranitetin e Republikës tonë me histori fatkeqe dhe të shumëvuajtur. Kjo krijon diskrepancë të madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare; nuk shkojnë bashkë një kërkesë e kryeministrit për krijimin e instrumentit themelor për ruajtjen e sovranitetit të vendit dhe kërkesës së presidentit për ta cenuar këtë sovranitet. Problemet e mëdha që po i shkakton Kosova e vogël bashkësisë ndërkombëtare në këtë fazë kur ajo po përballet me kriza të nivelit global, i krijojnë disavantazhe Kosovës në raport me NATO-n, SHBA-në, dhe BE-në. Krimi dhe korrupsioni, nepotizmi, rritja e shpenzimeve qeveritare, ndërhyrja e politikës në sistemin e drejtësisë, në polici, në Agjencinëe Inteligjencës, janë gjëra që janë tema në korridoret dhe zyrat e BE-së”, ka vlerësuar Kajtazi.

Ai madje vlerëson se dyshimet e NATO-s dhe BE-së për krijimin e ushtrisë janë shqetësim se ajo do të krijohet sipas kushërinjve, dajallarëve, tezeve dhe hallave dhe më pas vjen pyetja se sa mund të jetë efektive një ushtri e tillë.

“Fundi i fundit, dyshimet e NATO-s dhe BE-së për krijimin e Ushtrisë së Kosovës më tepër janë shqetësim se ajo do të krijohet sipas standardeve primitive të kushërinjve, dajallarëve, tezeve dhe hallave, siç janë krijuar pjesa më e madhe e institucioneve tona. Pastaj pyetja shtrohet sa do të jetë efektive një ushtri e krijuar sipas këtyre standarde e në rast se ajo duhet të përdoret. Fakti i përfshirjes së nepotizmit edhe në FSK është evident; para pak javësh kemi dorëheqjen e një oficeri i cili në letrën e bërë publike potencon këtë dukuri primitive”, ka vazhduar Kajtazi.

Ai thotë se jemi në pikën ku kryeministri thotë se e kemi bekimin e SHBA-së për ushtrinë, derisa thotë se cilat janë resurset për ushtrinë, për armatim.

“Por sido që të jetë, gjërat kanë shkuar në një pikë, ku kryeministri thotë se kemi bekimin e SHBA-ve për këtë punë. Parimisht ne duhet t'i besojmë kryeministrit, e bashkë me këtë edhe faktit se SHBA janë shefi i NATO-s, dhe ato do të gjejnë një mundësi që kjo punë të kryhet. Por dyshimet janënë faktin se edhe me kushtin se ne bëjmë ushtrinë, ne marrim përsipër aspekte të shumta të mbrojtjes nga agresioni i jashtëm që potencial është Serbia. Shtrohet pyetja, cilat janë resurset financiare që ne të përballojmë furnizimin me armatim dhe pajisje shtesë të nevojshme për ushtrinë tonë? Edhe me kushtin se sigurohen burimet financiare, a do t'i përmbushë ushtria jonë objektivat strategjike për mbrojtje nga agresioni potencial?”, pyet njohësi i çështjeve të sigurisë.

Kajtazi vlerëson se puna e ushtrisë të shikohet me kujdes dhe më e mira sipas tij, është që  edhe për një kohë t'ia delegojmë NATO-s deri sa ne t’i konsolidojmë radhët tona.

“Kjo ka të bëjë me mentalitetin provincional primitiv se ushtrinë duhet ta udhëheqin vëllezërit, dajallarët, tezet hallat, dashnorët dhe dashnoret. Ushtria është mjet serioz, është strukturë e menaxhimit të përdorimit të dhunës masive, dhe këtë nuk mund ta bëjnë primitivet. Prandaj mendoj që kjo punë duhet të shikohet me shumë kujdes dhe e mira është që mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës, edhe për një kohë t'ia delegojmë NATO-s deri sa ne t’i konsolidojmë radhët tona”, ka përfunduar Fadil Kajtazi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat