Ekstremisti Gjuriq kërcënon Kosovën me luftë, por Serbia nuk guxon të lëshohet në aventura

Politika

Ekstremisti Gjuriq kërcënon Kosovën me luftë, por Serbia nuk guxon të lëshohet në aventura

Nga: D. B Më: 6 dhjetor 2018 Në ora: 18:16
Arrestimi i Marko Gjuriqit nga Policia e Kosoves

I ashtuquajturi Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ditë më parë ka kërcënuar hapur shqiptarët, duke thëne se ‘serbet janë të gatshëm për luftë me shqiptarët’.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar edhe analisti politik profesor Binak Maxharraj i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se populli çdo herë ka thënë “ Mos iu tut qenit që lehë”, andaj ky farë kastraveci serb Marko Gjuriq paska fol fjalë të mëdha në Çaçak në Seancën e Komitetit Ekzekutiv të Partisë së tij.

“Ky mistreci serb nuk merr vesh fare në politikë e as në rrethanat gjeo-strategjike të rajonit. Situatën në Veri të Kosovës nuk e vështirësuan shqiptarët pasi ata me ndihmën e KFOR-it Francez dhe me ndihmën misterioze të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit ishin ata të cilët nuk i lanë shqiptarët të kthehen në shtëpitë dhe banesat e tyre në Veri, por përkundrazi i dëbuan edhe ata shqiptarë që kishin mbetur. Ky farë Gjuriqi si ekstremist Serb i cili “lehë” sipas urdhrave të Beogradit sikur paska harru se lufta në Kosovë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë, paska harruar se Kosova është vend sovran dhe i pavarur i njohur nga 116 vende të botes, paska harruar se shqiptaret nuk janë ata që po bëjnë zullum me serbet e veriut, por e kundërta. Ata janë vet që me ndihmën e Beogradit krijojnë tollovi dhe konflikte duke e tensionuar situatën çdo ditë e më tepër”, ka thënë profesor Maxharraj.

Sipas tij, thirrja e Gjuriqit gjoja për një luftë me shqiptarët është një floskule politike, një rrenë ,një mashtrim për popullin e vet, sepse Serbia e as Serbet e Veriut nuk kane asnjë shanse që të hyjnë në luftë me shqiptarët dhe se nuk guxojnë e as që e kanë kurajën që ta bëjnë.

Image
Binak Maxharraj

“Serbët e din shumë mirë se nga kush është e mbrojtur Kosova, prandaj ata mund të inskenojnë situatën në Veri, ata mund edhe ti vrasin njerëzit e vet atje për tua lenë shqiptarëve fajin sepse kjo është metodë e tyre, por deri tek lufta as që guxojnë të vijnë. Por të them të drejtën më shumë i frikësohem këtyre pushtetarëve tanë, meqë u frikohem sjelljeve të tyre të turpshme në ndërtimin e shtetit, në keq menaxhimin e shtetit, pasi të gjithë pushtetarët tonë janë të lidhur midis vetes me vargoj gladiatorësh dhe nuk e japin njëri-tjetrin, pasi do të përfundonte ekzistenca e tyre”, ka thënë profesor Maxharraj.

Ai ka theksuar se kjo lidhje e tyre zinxhirore është e rrezikshme për shtetin pasi çdo ditë po tregohen skandalet dhe aferat e tyre të përditshme të cilët për çdo ditë e më shumë janë duke ja humbur imixhin Kosovës nëpër botë.

“Kjo më së miri u tregua me liberalizimin e vizave që Kosovës ia shtynë, jo me fajin e Evropës, por me fajin e këtyre harambashave tanë të cilët ia qitën faqen e zezë Kosovës në botë. Në këtë drejtim prin Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i cili për çdo ditë dërgon mesazhe të këqija në botë për Kosovën, sidomos kur është fjala për copëtimin e vendit të vet duke e mbajtur edhe takime sekrete me armiqtë tanë. Pra me sjelljet e tyre makabre dhe vakabande për çdo ditë e më tepër po e provokojnë popullin i cili s’do mend se një ditë do të kërkon llogari prej tyre përmes kundërshtimit të tyre e deri në largimin e tyre nga pushteti”, është shprehur profesor Maxharraj.

Ai ka theksuar se në rastet e tilla situata mund të eskalojë nga sjelljet e pushtetarëve, bashibuzukave tanë siç ishte rasti i vitit 204.

“Situatat e këtilla mund të jenë edhe si pretekst për shfrytëzimin e tyre, sepse siç thuhet ujku don mjegull, e mjegullën mund ta sjellin këta tanët që mund të shfrytëzohet nga çdo kush tjetër. Prandaj kërcënimet e Marko Gjuriqit nuk kanë asnjë vlerë, nuk kanë asnjë bazë, dhe nuk janë serioze, sepse Serbisë me ja pre edhe bo...me briske nuk guxon të lëshohet në ndonjë aventurë, sepse aventurat e saj kanë përfundua defenitiviosht ne vitin 1999. Por, eventualisht tentimi i ndonjë aventurë do të ishte katastrofa më e madhe për të”, ka thënë profesor Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat