Me 14 janar, ish komandanti i UÇK-së, njëherësh ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rrustem Mustafa do të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës (ZPS) në Hagë për intervistim.
Kjo është konfirmuar nga avokati Arianit Koci, i cili ka thënë se ai do të paraqitet vullnetarisht dhe është i gatshëm të sqarojë çdo rrethanë të cilën ZPS është duke e hetuar.
Nga Gjykata Speciale janë deklaruar për gazetën “Bota sot” lidhur me këtë çështje, por nuk kanë dhënë informacione me statusin e hetimeve.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) është e vetëdijshme për prononcimin e Arianit Kocit në lidhje me klientin e tij Rrustem Mustafa. Megjithatë ZPS-ja nuk jep informacion në lidhje me statusin e hetimeve, por synon të sigurojë që të gjitha akuzat e përfshirë në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të përpiluar nga senatori zviceran Dick Marty të adresohen dhe të hetohen plotësisht”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Gjykatës Chris Bennett për gazetën “Bota sot”.
Ndryshe, ftesë nga Specialja ka marrë edhe ish ushtari i UÇK-së, Astrit Shabani.