Mos liberalizimi i vizave mund të ketë si qëllim ndarjen e Kosovës?

Politika

Mos liberalizimi i vizave mund të ketë si qëllim ndarjen e Kosovës?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 8 dhjetor 2018 Në ora: 13:56
Ilustrim

Në seancën e jashtëzakonshme të së mërkurës në Kuvendin e Kosovës,  deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa ka kërkuar nga Qeveria e Shqipërisë që t`i pajisë qytetarët e Kosovës me pasaporta shqiptare, pasi që ata më nuk kanë kohë të presin liberalizimin e vizave.

“Duhet të na njihen dy shtetësitë, kjo është mënyra më e afërt që qytetarët e Kosovës të kenë mundësi të lëvizin lirshëm. Të paktën këtë mendoj që mundemi ta bëjmë. Ka të drejtë ta bëjë edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë me një dekret të një gjëje të tillë. Kisha kërkuar nga Shqipëria, ta merr një hap të tillë, që të mos mbesin të izoluar”, ka thënë ai.

Mirëpo, kjo nuk është vlerësuar si një ide e mirë, pasi që ky propozim mund të jetë një hap më i lehtë në ndarjen e Kosovës , për më tepër, është vlerësuar se kjo ide mund të jetë e porositur nga armiqtë e Kosovës.

Bytyçi: Mos liberalizimi i vizave mund të ketë si qëllim ndarjen e Kosovës

Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi ka deklaruar për “Bota sot” se nga mosliberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës i detyron ata që të kërkojnë ndihmë nga Shqipëria.

Image
Enver Bytyçi

“Mos liberalizimi i vizave për Kosovën nga ana e Bashkimit Europian i detyron qytetarët e këtij vendi që të shohin alternative të tjera. Kështu shqiptarët i drejtohen për ndihmë Shqipërisë, me qëllim që ta kenë një pasaportë shqiptare. Kështu bëjnë serbët me Serbinë etj, sepse pasaporta e të gjitha vendeve ballkanike veç Kosovës u krijon mundësi qytetarëve të rajonit të lëvizin lirshëm në vendet Shëngen”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Propozimin për pajisjen e shqiptareve me pasaportë  e sheh legjitim dhe mendon se nuk ka shkelje të  ligjit nëse Shqipëria u jep shtetësinë qytetarëve të Kosovës.

Por, ai mendon se mos liberalizimi i vizave mund të ketë si qëllim ndarjen e Kosovës.

“Në këtë aspekt duket si një hap pozitiv kjo kërkesë. Duket madje e legjitimuar. Dhe nuk ka asnjë shkelje të ligjit nëse Shqipëria u jep shtetësinë qytetarëve të Kosovës. Por a do ishte e mundur praktikisht? Dhe cilat do ishin pasojat nëse do arrihej kjo? Në vitin 2012, në kuadrin e 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar, ish-kryeministri Berisha hodhi idenë e dhënies së shtetësisë shqiptare për shqiptarët e Kosovës. Por u kritikua ashpër nga europianët. Serbia dhe europianët e panë këtë mundësi si përpjekje për atë që ata e quajnë “Krijimi i Shqipërisë së Madhe”! Tani nuk po e kritikojnë këtë iniciativë. Madje as idenë e Ramës për bashkim të Kosovës me Shqipërinë. Sepse ky bashkim do të jetë në fakt ndarje e Kosovës dhe aneksimi i saj prej Shqipërisë dhe prej Serbisë. Prandaj dhe tani nuk po flasin për “Shqipëri të Madhe”. Atëherë nëse jepen këto pasaporta nga shteti shqiptar, a do i shërbente këtij projekti, të cilin e propagandojnë çdo ditë Rama, Vuçiq dhe Thaçi? Sigurisht që një hap i tillë e ndihmon ndarjen e Kosovës. Edhe mosliberalizimi i vizave mundet të ketë këtë qëllim. Që shqiptarët të bëjnë hapa që e ndihmojnë ndarjen e Kosovës. Në kushtet e zhgënjimit, varfërisë dhe humbjes së durimit ka shumë shanse që të ndodh kësisoj”, ka potencuar Bytyçi për “Bota sot”.

Ai mendon se kjo iniciativë është e dëmshme dhe duhet të shihet se është e porositur  dhe se një bashkim i tillë i jep të drejtën Serbisë që të mos ndalet në Ibër, por shumë më në thellësi të vendit

“Për këtë arsye gjykoj se iniciativa e deputetëve të Kosovës, nëse buron nga ndërgjegjja e tyre, është e dëmshme dhe ata duhet që ta rishohin pozicionin që kanë marrë. Nëse është e porositur, atëherë prapavija e saj është një hile e madhe në funksion të idesë së të çmendurve në Tiranë, Prishtinë e Beograd për ndarjen e Kosovës. Një bashkim i Kosovës me Shqipërinë i jep të drejtën Serbisë që të mos ndalet në Ibër, por shumë më në thellësi të vendit. Rama e di këtë, ndaj dhe dëshiron që ta ndihmojë Beogradin në këtë projekt, ka shtuar ai për “Bota sot”.

Ai ka thënë se dhënia e shtetësisë për shqiptarët e Kosovës mund të bëhet si kërkesë e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama për deputetët e mazhorancës që hartojnë dhe të meritojnë një ligj për shtetësi.

“Kërkesa për shtetësi shqiptare, nga ana tjetër bëhet individualisht dhe bazohet në kushtet që parashikon ligji. Kjo do të thotë se me ligj nuk është e mundshme as praktikisht dhënia e kësaj shtetësie. Por mundet që mazhoranca, të cilën e komandon Rama, të hartojë dhe miratojë një ligj për shtetësi kolektive. Kjo do të ishte absurd, sepse as diktaturat nuk kanë mundur të bëjnë veprime të tilla. Por Rama bën gjithçka. Nëse ndodh kjo, atëherë do të rezultojë se deputetët iniciatorë janë të porositur nga armiqtë e Kosovës për të bërë një kërkesë të tillë!”, ka thënë Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat