Ku e mori Milaim Zeka dosjen me 900 emra për ta akuzuar Kurtin?

Politika

Ku e mori Milaim Zeka dosjen me 900 emra për ta akuzuar Kurtin?

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 8 dhjetor 2018 Në ora: 18:18
Milaim Zeka dhe Albin Kurti

Deputeti i Kosovës, nga Nisma Socialdemokrate, ka vazhduar me hedhjen e akuzave ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.

Në Kuvendin e Kosovës, të enjten deputeti Zeka Lëvizjes Vetëvendosje ua përmendi BIA-n serbe, Burdushin dhe fshehjen e një zyrtari të lartë të kësaj partie me qebe nga Policia e Kosovës.

Zeka në Kuvend e kishte marrë me veti një dosje me 900 emra të cilën ia ka dhënë shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufcës.

“Unë sot e kam marrë një dosje me 900 emra, me numra të telefonit, do ia dorëzoj në mënyrë simbolike shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufcës. Pres një javë që shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje të më japë përgjigje dhe unë do t’i përgjigjem dhe t’i flas me fakte rrëqethëse edhe për ata deputet që kanë shkua për trajtim te Burdushi. Do të shohim pastaj kush është pacient i Burdushit, kush është hajn i taksapaguesve, kush është taku me BIA-n serbe dhe është fshehë me qebe mos me pa Policia e Kosovës”, tha Zeka.

Pas këtyre akuzave, por edhe atyre të mëhershme të Zekës drejtuar Lëvizjes Vetëvendosje, ky subjekt politik, ka zgjedhur heshtjen.

Lëvizja Vetëvendosje, nuk po reagon as përmes ndonjë komunikate në lidhje me këto akuza, por as për gazetarë.

Gazeta “Bota sot”, ju ka dërguar pyetje me shkrim në zyrën e mediave të kësaj Lëvizjeje, por nuk ka marrë përgjigje.

Ne kemi pyetur edhe disa deputetë të kësaj partie, megjithatë as ata nuk kanë reaguar.

Ndërsa, analistët politik kanë qëndrime të ndryshme në lidhje me akuzat e Milaim Zekës kundër Albin Kurtit dhe partisë së tij.

Duhanaj: z. Kurti asnjëherë nuk ka mundur të demantoj akuzat

Analisti politik, Leon Duhanaj i cili ishte edhe pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, mendon se Zeka nuk është aq i paditur sa të akuzoj dikë pa asnjë bazë.

Image
Leon Duhanaj

Ai shton se, lideri i VV-së, Albin Kurti, asnjëherë nuk e demantoi lajmin se është zënë me qebe i mbuluar në një veturë me bashkudhëtarë serb.

“Kur kemi të bëjmë me Milaim Zekën, ai është i njohur për shumë deklarata bombastike akuzuese në shumë drejtime dhe ndaj shumë njerëzve. Megjithatë, mendoj që z. Zeka, nuk është aq i paditur sa të akuzojë njerëz pa asnjë bazë nga çka do të mund të akuzohej për shpifje. Tani për çfarë dosje e ka fjalën ai nuk e di, por informacioni që lideri i VV- së z. Kurti të jetë zënë në një veturë me bashkudhëtarë serb dhe i mbuluar me qebe, është në qarkullim tashmë vite me radhë dhe z. Kurti asnjëherë nuk ka mundur ta demantoj. Madje ka edhe raport zyrtarë policorë për ketë”, thotë Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

Ai thotë se, cili ka mundur të jetë qëllimi i këtij bashkëpunimi nuk e din por që lenë shumë për të dyshuar.

“Një gjë që mund ta them, është se unë nuk besoj që z. Kurti aktivitetin politik e bën në bazë të vizionit  të vetë. Ketë përshtypje e kam patur edhe në kohen kur isha për një kohë pjesë e VV-së. Bindja ime ishte se grupi i përfaqësuesve nga Shqipëria bënte politikat e VV-së dhe koordinonte aktivitetin e partisë që mendoj që edhe pse nën trumbetimin për bashkim kombëtarë, nuk ishte në interes të shqiptarëve. Pastaj kisha përshtypjen se z. Kurti dhe VV, nga njëra anë shanin Thaçin, por nga ana tjetër bënin veprime politike të cilat i shkonin në shërbim pikërisht z. Thaçi. Bindja ime ishte se mund të ishte e mundshme që z. Kurti shantazhohej nga çarqe të ndryshme si pasojë e ndonjë aktiviteti të zbuluar e që mund të përdorej kundër tij. Si. P.sh; ky takimi me serb në Klinë ku flitej se ishte mbuluar me qebe për t'u fshehur nga policia e Kosovës”, pohon Leon Duhanaj.

Krasniqi:  Pa qenë pjesë e ndonjë shërbimi sekret s'mund të posedosh dosje të tilla

Kurse, opinionisti dhe analisti politik, Faik Krasniqi mendon ndryshe.

Image
Faik Krasniqi

Ai thotë se Milaim Zeka para së të bëhej pjesë e Nismës, Zeka kishte hedhur edhe akuza edhe ndaj Limajt dhe Krasniqit, dhe në këtë mënyrë i ndërron qëndrimet e tij për interes personale.

“Para se të bëhej pjesë e Nismës, Milaim Zeka hidhte akuza të rënda ndaj Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqit. Kur u bë pjesë e kësaj partie, veçse sa nuk i krahasoi me Skënderbeun dhe Adem Jasharin. Por para pak kohësh bëri akuza të rënda ndaj bashkëpartiakëve të tij. Ky është Milaim Zeka, që për interesin e tij personal ndryshon qëndrim dhe është në gjendje të bëj çmos. Ai e ''dinte'' edhe kush do të jenë të akuzuarit nga Gjykata Speciale, duke dhënë emra të këtyre politikanëve duke filluar nga Hashim Thaçi”, thotë Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Ai potencon se, është mese normale që dikush nga këta politikanë do të jetë një ndër të akuzuarit.

Krasniqi në këtë rast, e përmend edhe emrin e Rrustem Mustafës ku thotë që nuk ka qenë në listën e tij, dhe i pari që do të intervistohet do të jetë ai.

“Milaim Zeka e ka atë ''sëmundje'' dhe me atë gjë dëshiron të ngelet hit duke ditur çdo gjë, dhe informacionet që ai i ka nuk i ka askush. Ai nuk është gjë tjetër veçse një sharlatan”, pohon ai.

Prandaj sipas tij, nuk duhet t'i besohet këtij njeriu për asgjë.

“E aq më pak se Albin Kurti paska pasur takim me kreun e BIA-së. Për Albin Kurtin bënin akuza dhe flisnin se ka lidhje edhe me Putinin, por doli në pah se kush ka lidhje dhe po takohet me të. Vetëvendosja s'ka pse të reagojë me akuzat e një njeriu që e njohim të gjithë se kush është. Por një pyetje e logjikshme për Milaim Zekën. Ku e mori atë dosje me 900 emra? Pa qenë pjesë e ndonjë shërbimi sekret s'mund të posedosh dosje të tilla. Është një fjalë e urtë popullore ‘budallain mos e pyet se të tregon vetë’!”, përfundon Krasniqi.

Haziri: Është e vështirë në këtë vend të identifikosh gënjeshtrën nga e vërteta

Kurse analisti politik, Nexhat Haziri pohon se është bukur vështirë që të kthesh vëmendjen në atë çfarë fletë apo akuzon një njeri si Milaim Zeka, i cili është i akuzuar për mashtrim ndaj qytetarëve të vendit në emër të sigurimit të vizave të punës.

Image
Nexhat Haziri

“Megjithatë, këto akuza ngrehin po ashtu edhe dyshimet se nga i mori deputeti Zeka këta emra. Çështjen e fshehjes së z. Kurtit me “qebe" në një veturë të serbëve që supozohet të jenë punëtor të BIA-s, është lansuar së pari nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu i njohur si Kamishi. Është e vështirë në këtë vend të identifikosh gënjeshtrën nga e vrerta, pasi thuajse të gjithë sot që janë në skenën politike sikur krijohet një përshtypje se janë të dyshuar për gjithçka dhe kjo është bërë edhe një lloj perceptimi edhe në opinionin tonë, dhe këtij perceptimi të përgjithshëm i ka ndihmuar edhe mos verimi i organeve të drejtësisë për akuza që behën sidomos në drejtim të njerëzve të politikës. Sa i përket heshtjes së VV-së, ndoshta kjo pyetje është më mirë tu drejtohet zyrtarëve të këtij subjekti politik, pasi unë mendoj se ata me heshtjen e tyre duan ta injorojnë një person siç është deputeti Zeka. Megjithatë të presim se çfarë do na servoj pas një jave "zhbiruesi" i këtij marifeti z. Zeka”, përfundon Haziri për gazetën “Bota sot”.

Burjani: Lëvizja Vetëvendosje është karikaturë politike

Njohësi i çështjeve politike dhe juridike në Kosovë, Blerim Burjani konsideron se, shumë pak ka seriozitet Lëvizja Vetëvendosje.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, ky subjekt politik nuk ka strukturë serioze, profesionale por as njerëz që kanë bërë diçka në jetën e tyre të deritashme.

“Thjesht, ka mbledhur njerëz të padijshëm, të papunë. Një numër i madh i tyre nuk ia vlen as me folë, pra nuk kanë seriozitet politik, fjaloman, kritik, pra asgjë hiq, por pushtetin e dëshiron fort. Por, as me këtë tjetrin nuk ka seriozitet, fjalë hesapi për të thënë diçka, për t’i bërë njerëzit ta përmendin. Kurse Lëvizja Vetëvendosje është karikaturë politike përballë partive tjera të deritashme. Pra është antagoniste e dobësive të mëdha të politikës së sotme”, thotë Burjani për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat