Sa milionë euro i humbi Kosova? Zogiani tregon në detaje

Politika

Sa milionë euro i humbi Kosova? Zogiani tregon në detaje

Nga: N.Sh Më: 11 dhjetor 2018 Në ora: 16:52
Avni Zogiani

Avni Zogiani nga Lëvizja Vetëvendosje, pohon se, për këto vite të ekzistimit të Kosovës si shtet, dhe sidomos nga shpallja e pavarësisë, korrupsioni ka qenë pjesë e pandashme e pushtetit.

Por,  sa është e korruptuar Kosova kuptohet nëse  e mendojmë për shembull se nga privatizimi i tërë pasurisë së Kosovës deri sot, janë mbledhur 600 milionë euro, që janë më pak sesa gjysma e kostos së një autostrade që ka paguar Kosova.  

“Pra, ne shesim lirë pasurinë publike, e blejmë shtrenjtë me paranë publike. Vetëm në tre raste tashmë të njohura për publikun, gjatë këtij viti, Kosova ka humbur rreth 130 milionë euro. Për Bechtel-Enkan u dhanë 53 milionë euro shtesë, mbi faktin se Kosova ka paguar për autostradat që bën ky konzorcium shumëfish më shtrenjtë sesa çmimi i tregut rajonal dhe evropian. Për Z-Mobile ne u dënuam 34 milionë euro, mbi faktin se një kontratë e Telekomit me këtë kompani për shërbimin e MVNO-së, kishte dhënë 75 % të profitit Z-Mobilit edhe pse përdorte infrastrukturën e telekomit publik. Për Limak-Calik janë paguar 34 milionë euro në zhvillim të pistës, edhe përkundër faktit se të hyrat e kësaj kompanie nuk po monitorohen dhe ajo mund ta ketë dëmtuar Kosovën me miliona euro tjera sepse deklaron fitime më të ulta se para zgjerimit të Aeroportit”, thotë Zogiani për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se, tashmë është folur shumë për koston direkte dhe koston oportune që ka korrupsioni.

Mirëpo, sipas tij, korrupsioni ka edhe disa kosto që nuk kuantifikohen, pra vështirë të llogaritshme.

“Rënia e Kosovës në arenën ndërkombëtare edhe përkundër vendimit të favorshëm nga GJND, është pasojë e korrupsionit. Mos liberalizimi i vizave është pasojë e korrupsionit. Dëmtimi i imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, edhe përkundër faktit se janë shpenzuar miliona euro në këtë drejtim, është pasojë e korrupsionit.  Mirëpo, korrupsioni, mbi të gjitha, ka kosto për lirinë e vendit. Korrupsioni prodhon liderë autoritar. Pothuaj se secili karakterizim i liderit autoritar, e ka korrupsionin si një nga karakteristikat kryesore. Këta liderë nuk dhënë llogari dhe sa më shumë që zhyten në këtë vorbullën e korrupsionit, kanë më shumë tendenca në cenimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Një tjetër pasojë që shkakton korrupsioni e që shumë pak është analizuar në Kosovë, është jo kompetenca. Profesionisti i ditur e me integritet, kryesisht nuk i bashkohet një politike të korruptuar. Kësisoj ata që mbajnë zyrat publike, e dijnë se këtë pozitë nuk e kanë pse dijnë, por si rezultat i shpërblimit të partisë. Kjo është shkatërruese për ekonominë moderne, sepse kjo e bën jo-kompetencën rregull, e kompetencën përjashtim”, shton ai.

Ai thekson se, në vendet me situatë të ngjashme me Kosovën, është provuar tashmë se korrupsioni nuk luftohet me ndryshime kozmetike në politikë.

“Parandalimi dhe luftimi i korrupsionit nuk mundet assesi të ndodhë nga liderët e korruptuar. Mirëpo, meqenëse nuk ka funksionuar gjyqësori, si ta dimë ne cilët janë liderët e korruptuar? Në shumicën e rasteve një lider i korruptuar identifikohet lehtë nëpërmjet shikimit të pasurisë dhe jetës luksoze që ai bën - pushimet në rezortet super-të-shtrenjta të Zvicrës, për shembull. Pra, hapi i parë i parandalimit dhe luftimit të korrupsionit është heqja e besimit për liderët e korruptuar, që do të thotë një lloj ndryshimi i paradigmës politike në pushtet. Kjo politikë pastaj sjell një ndryshim të paradigmës juridike e ligjore në lidhje me korrupsionin dhe krimin ekonomik. Të tillë shembuj ka në botë, dhe shembulli më i afërt për opinionin tonë publik është qasja e Italisë për luftimin e lidhjes së mafias me politikën. Lëvizja Vetëvendosje ka bërë iniciativa ligjore që do të ndryshonin këtë paradigmë, por aktualisht është duke hasur në rezistencë në komisionet gjegjëse parlamentare pikërisht për shkak se në parlament ka deputetë që kanë pasuri të përfituar në mënyrë jomeritore”, thotë Zogiani.

Zogiani thekson se, Lëvizja Vetëvendosje do të shtyjë iniciativa ligjore që bëjnë këtë ndryshim thelbësor:

“Të penalizojë pasurinë kur nuk mund të penalizohet personi – pra të konfiskohet pasuria e pajustifikueshme dhe barra për provimin e prejardhjes së pasurisë nuk i ngelet e tëra hetuesisë, por i kalon poseduesit të pasurisë. Këto janë masat që Kosova duhet të ndërmarrë për ta luftuar korrupsionin. Të gjitha llafet tjera rreth këtij problemit janë demagoxhi dhe thjesht vetëm ia zgjasin jetën korrupsionit!”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat