Burrat që do t’i rrinë gatitur Mogherinit

Politika

Burrat që do t’i rrinë gatitur Mogherinit

Nga: N.H Më: 17 dhjetor 2018 Në ora: 08:43
Frederica Mogherini

Më në fund pjesëtarë të pozitës dhe një pjesë e vogël e opozitës i thanë “po”, miratimit të rezolutës e cila i jep të drejtën Shpend Ahmetit që të bëhet bashkëkryesues i dialogut me zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj.

Me 59 vota për, 2 abstenime Kuvendi e miratoi rezolutën për ekipin negociator me Serbinë, e propozuar nga Partia Socialdemokrate (PSD).

Pjesa tjetër opozitës është deklaruar kategorikisht kundër këtij vendimi. Sipas tyre, kjo është vetëm blerje kohe për zgjatjen e jetës së qeverisë më të mbrapsht të cilën Kosova e ka pasur ndonjëherë.

E, shoqëria civile konsideron se bashkëkryesuesit Limaj e Ahmeti kanë nevojë më shumë për njohjen e tyre ndërkombëtarisht si lider, se sa që do përfaqësojnë denjësisht interesat Kosovës.

Për këtë çështje ka folur edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku.

Image
Drita Millaku

Millaku në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ka qenë i ditur epilogu i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, që nga momentin kur kjo e fundit ka tradhtuar elektoratin e saj.

“Ka qenë i ditur epilogu i PSD-së që në momentin që ka tradhtuar elektoratin, por nuk e di pasi që Shpend Ahmeti do të jetë bashkëkryesues në dialog apo do të ketë mundësi të punojë si kryetar i Prishtinës apo ndoshta udhëheqjen e Prishtinës do ta ketë si “hobi”, ka thënë deputetja e Vetëvendosjes.

Në fund, ajo ka ngritur hipoteza se si do sillen ekipi negociator, kur dihet se në mesin e tyre nuk do të jetë asnjë femër.

“Paramendoni gjithë ata burra do t’i rrinë gatitur Mogherinit”, ka përfunduar deputetja Drita Millaku, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat