Rexhep Shahu kujton se çka i kishte thënë Sali Çekaj për ushtrinë e Kosovës

Politika

Rexhep Shahu kujton se çka i kishte thënë Sali Çekaj për ushtrinë e Kosovës

Nga: G.B Më: 17 dhjetor 2018 Në ora: 20:54
Rexhep Shahu

Formimi i Ushtrisë së Kosovës ka gëzuar çdo shqiptar. Tashmë data 14 dhjetor 2018 do të mbetet në histori për formimin e Ushtrisë.

E për njohësin e çështjeve politike, Rexhep Shahu, kjo është ngjarja më e madhe që nga shpallja e pavarësisë.

“Krijimi i Ushtrisë së Kosovës është ngjarja më e madhe pas pavarësisë së Kosovës. Është rasti i parë në historinë e shqiptarëve që Kosova si shtet ka ushtrinë e vet. Qysh se jetojnë shqiptarë në trojet e veta kjo ndodhi të premten. Është natyrisht cimentim i lirisë e pavarësisë, sepse tani shqiptarët kanë ushtrinë e tyre dhe nuk organizohen më me thirrje. Ka zhurma për këtë ushtri sepse shqiptarët e Kosovës të gjithë kur janë ushtarë dinë të jenë ushtarë elite”, është shprehur ai.

Sa i përket meritës për formimin e Ushtrisë, Shahu përmend presidentin historik Ibrahim Rugova, kryeministrin Haradinajn dhe ministrin e mbrojtjes Ahmet Krasniqin.

“Sa për meritorin për këtë akt, nga politikanët e pranishëm do të votoja me notën maksimale kryeministrin Haradinaj që edhe gjatë luftës sipas meje ka qenë komandanti më komandant që nuk ka komanduar nga Rogneri, nga Kukësi, nga Hasi, Tropoja a Durrësi. Nuk mund të mos përmend arkitektin e Kosovës së re Ibrahim Rugovën dhe ministrin e mbrojtjes të Kosovës Ahmet Krasniqin që e vranë në Tiranë vetëm që të mos e krijonte në ato kohë Ushtrinë e Kosovës, Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Shahu ka kujtuar deklaratën që i kishte thënë Sali Çekaj në një intervistë, se të gjithë shqiptarët ishin ushtarë të Republikës së Kosovës, derisa thotë se edhe ai ndihet gjithmonë një ushtar i Republikës së Kosovës.

“Në fillim qershorin e 1998 Sali Çekaj më deklaronte në intervistë në Tropojë se të gjithë shqiptarët jemi ushtarë të Republikës së Kosovës dhe kemi dalë në luftë si ushtarë të Republikës së Kosovës e cila është e jona, me ose pa luftë. Edhe unë që po i them këto dy fjalë, ndjehem gjithmonë një ushtar i Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat