Kthesa e komandantëve

Politika

Kthesa e komandantëve

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 18 dhjetor 2018 Në ora: 10:55
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj

Pas një varg dështimesh e veprimesh negative politike, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, të hënën në angazhimet e tyre politike jashtë vendit, i dhanë goditje të madhe Serbisë me deklaratat e tyre.

Presidenti Thaçi, i cili mori një sërë kritikash për idenë e tij për prekje kufijsh, u kthye fuqishëm në zemrat e qytetarëve të Kosovës me deklaratat e tij para liderëve botërorë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që e turpëruan Serbinë.

Ai para shteteve ndërkombëtare i përmendi me radhë krimet dhe gjenocidin serb në luftën e Kosovës në vitin 1999, duke demantuar publikisht presidentin serb Aleksandër Vuçiq i cili gënjeu kur tha se nuk ka pasur spastrim etnik në Kosovë.

Thaçi më tej mbajti një qëndrueshmëri sa i përket ushtrisë së Kosovës, duke thënë se, “Ju flas si komandant suprem i Ushtrisë së Kosovës”, para shteteve si Serbia, Rusia, Kina etj, të cilat e kundërshtonin ashpër ushtrinë e Kosovës e cila është ushtri e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Pas deklarimeve të fuqishme të presidentit Thaçi, Vuçiq u skuq para shumë liderëve botëror në KS të OKB-së, e krejt çka i mbeti ishte përgjërimi te shtet mike serbe që ta ndihmojnë Serbinë.

Edhe kryeministri Haradinaj është për t’u vlerësuar në veprimet e tij të fundit.

Ai me guximshmëri dhe vendosmëri, po iu bën ballë presioneve serbe dhe aleatëve të saj lidhur me taksën që Haradinaj së bashku me kabinetin e tij, e gjunjëzuan Serbinë ekonomikisht, por edhe në aspektet politike.

Kryeministri Haradinaj pati guxim që midis Brukseli të tregojë vendosmërinë e tij karshi taksës, para përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evopian, Fredeica Mogherini, e cila po kritikohet për anshmërinë e saj pro serbe në zhvillimet e fundit politike Kosovë – Serbi dhe në dialogun në Bruksel.

“Kushdo që flet për kufijtë, territorin, apo çfarëdo korrigjimi tjetër për vendin tim, është armiku ynë”, tha Haradinaj para syve të Mogherinit, duke aluduar në këtë të fundit e cila po bën thirrje për atë marrëveshje të mundshme me Serbinë.

Haradinaj kritikoi ashpër BE-në për dështimin e mbajtjes së premtimit për të liberalizuar vizat për Kosovën pas përmbushjes së kritereve të cilat vetë BE i kërkoi si kusht.

Kjo bëri që zyrtarët e BE-së, në veçanti Frederica Mogherini të humbasin nervat në atë takim, duke ndërprerë atë dhe duke anuluar konferencën për media.

Qëndrimet e fundit pozitive të presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj, po priten mirë nga qytetarët e Kosovës, duke i bërë të ndjehen si qytetarë të një shteti që i përfaqëson dikush dhe të një shteti me të vërtetë sovran dhe të pavarur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat