Haki Abazi i quan profiterë të momentit, grupin e negociatave në Bruksel

Politika

Haki Abazi i quan profiterë të momentit, grupin e negociatave në Bruksel

Nga: G.B Më: 18 dhjetor 2018 Në ora: 15:16
Haki Abazi

Sot Bashkimi Evropian ka reaguar në lidhje me formimin e ekipit për dialog me Serbinë, duke thënë se dialogu do të udhëhiqet nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Lidhur me këtë dhe formimin e ekipit në Kuvend, njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se dialogu është i kotë dhe deri tani do të duhej të ishin bindur BE dhe SHBA, po të kishim Ministri të Punëve të Jashtme profesionale.

“Siç është parë e vërtetuar dialogu është i kotë dhe i pafrytshëm. Po të kishim Ministri të Punëve të Jashtme profesionale deri tani do të duhej të kishim bindur shtetet e BE-së dhe SHBA-së se ky dialog është i rrezikshëm dhe regresiv”, është shprehur ai.

Abazi thotë se sikur Edita Tahirin, edhe Shpend Ahmetin e sheh pa legjitimitet të qytetarëve, derisa shton se në këtë ekip janë bashkuar të gjithë profiterët e momentit.

“Ne kemi konsumues dhe oportunist të dialogut, fillimisht Edita Tahiri tani Shpend Ahmeti, të dy janë dhe kanë qenë pa legjitimitet të qytetarëve. Kjo tregon se Thaçi ka luajtur me dialogun për të përfituar për interesa personale. Në këtë ndërmarrje janë bashkuar të gjithë e nuk kanë nacionalistët politik por profiterë të momentit. Kështu e shoh edhe grupin e negociatave”, ka theksuar HakiAbazi për “Bota sot”.

Ndryshe, ekipi do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate bashkë me kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, me anëtarë tjerë që janë Enver Hoxhaj (PDK), Avni Arifi (AAK), Behgjet Pacolli (AKR), Mahir Jagcilar (PDT) dhe zëvendëskryeministri Dardan Gashi.

Ndërsa, dy vendet e rezervuara për VV-në dhe LDK-në do t’i zënë Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani, derisa këto dy parti të mos delegojnë anëtarët e tyre në përbërje të ekipit dialogues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat