Adem Salihaj i kundërpërgjigjet Abelard Tahirit: Mafia politike e pushtetit është e paprekshme, shefat e tu...

Politika

Adem Salihaj i kundërpërgjigjet Abelard Tahirit: Mafia politike e pushtetit është e paprekshme, shefat e tu...

Nga: N.Sh Më: 18 dhjetor 2018 Në ora: 15:32
Adem Salihaj dhe Abelard Tahiri

Deklaratat e ministrit të Drejtësisë në Kosovë, Abelard Tahiri, se gjatë vitit 2019 do të fillojë konfiskimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë dhe do të shkatërrohen grupet kriminale të cilat janë marrë me haraç dhe fajde, nuk po konsiderohen serioze nga politikanët dhe njohësit e zhvillimeve politike dhe juridike në Kosovë.

Ata shprehen se deklaratat e tilla janë dëgjuar edhe më parë dhe të njëjtat i quajnë pompoze.

Sipas tyre, këto janë deklarata sa për t’i hedhur hi syve të popullit.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se është bërë avancim i ligjeve në sistemin e drejtësisë dhe që nga momenti që do të hyjnë në fuqi, gjyqtarët dhe prokurorët do të kenë instrumente për luftimin e korrupsionit dhe pasurisë së fituar jashtëligjshëm.

“Besoj që viti i ardhshëm të jetë më i fuqishëm në luftimin e këtyre dukurive, sepse janë ngritur kapacitetet brenda gjyqësorit, prokurorisë, kemi bërë avancim të ligjeve. Mendoj që do të jetë prioritetit im që të konfiskohen pasuritë që janë fituar paligjshëm. Viti 2019 do të jetë vit që do të tregojmë suksese  edhe më të mëdha në konfiskimin e pasurisë së paligjshme, në shkatërrimin e grupeve të krimeve, që janë marrë me haraç e fajde”, tha Tahiri.

Ish deputeti i LDK-së, Adem Salihaj pohon se, mund të ketë konfiskim të pasurisë të ndonjë krimineli, i cili nuk ka lidhje me mafinë politike.

Salihaj thotë se, mafia politike në Kosovë është e paprekshme dhe sipas tij,  ata janë shefat e ministrit Tahiri.

“Deklarata e ministrit Abelard Tahiri është deklaratë boshe, për t'i hedhur hi syve opinionit në Kosovë. Edhe mund të ketë ndonjë konfiskim pasurie të ndonjë krimineli, i cili nuk ka lidhje me mafinë politike dhe është i pambrojtur nga pushteti. Mafia politike e pushtetit është e paprekshme, ata janë shefat e Abelard Tahirit, shefat e prokurorisë dhe gjykatave. Abelard Tahiri dhe shefat e tij tash për tash po u japin shpërblime prokurorëve për punën që s’po bëjnë”, thotë Salihaj për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, pasuria duhet t`i konfiskohet mafiozëve te pushtetit.

“Shefat e Abelard Tahirit vendosin se kujt do t'i konfiskohet pasuria, e jo gjykatat dhe prokuroria. Pasuria duhet t'u konfiskohet mafiozëve të pushtetit, por atyre do t'u konfiskohet pasuria vetëm kur të mos jetë në pushtet Abelard Tahiri dhe shefat e tij. Ajo kohë ende s'ka ardhë, por do të vijë. Shpresoj se nuk do të vonojë shumë”, potencon Adem Salihaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat