Fëmijët e Prishtinës kanë mbledhur 4 mijë dhurata për fëmijët në nevojë

Prishtina

Fëmijët e Prishtinës kanë mbledhur 4 mijë dhurata për fëmijët në nevojë

Më: 21 dhjetor 2018 Në ora: 16:02
“Unë/ty dashuri në paketë”

Fëmijët e moshave 4 deri në 11 vjeç të shkollave të Prishtinës, kanë mbledhur 4 mijë dhurata për fëmijët në nevojë. Mbledhja e këtyre dhuratave është bërë në kuadër të projektit “Unë/ty dashuri në paketë”, që këtë vit është organizuar për herë të tretë.

Krejt kjo u bë nën ombrellën e fondacionit Mute, në bashkëpunim me komunën e Prishtinës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Projekti “Unë/ty, dashuri në paketë”, u tha se është projekt humanitar dhe edukativ, që iu ofron fëmijëve mundësinë të shprehin përkujdesjen e tyre dhe dhembshurinë për fëmijët e familjeve të varfëri apo ata me nevoja të veçanta, si dhe të promovojë aftësitë e fëmijëve që të bëjnë ndryshime pozitive në komunitet.

Me rastin e përmbylljes së këtij aktiviteti presidentja e fondacionit, Florie Bajoku, u shpreh se ky projekt nuk është thjeshtë vetëm një pako, por sipas saj, është më kuptimplotë, e që tek fëmijët e zhvillon filantropinë.

Bajoku: Unë/Ty dashuri në paketë predikon filantropinë tek fëmijët

“Unë/Ty dashuri në paketë predikon filantropinë tek fëmijët që përmes aktivitetit të saj duke manifestuar efekte pozitive, jo vetëm për bashkëmoshatarët e tyre që janë në nevojë po edhe për vetën e tyre, familjen dhe shoqërinë. Aktivitetet filantropike mund të jenë çelës për të ndihmuar fëmijët tanë të jenë më të lumtur, më të zgjuar dhe me të suksesshëm. Sipas psikologëve fëmijët që dhurojnë përjetojnë mirëqenie, kjo i bënë ata që të kenë sjellje më të mira në klasë dhe arritshmëri më të lartë në të nxënë. Unë/Ty dashuri në paketë mund t’i ndihmoj fëmijët të kuptojnë filantropinë dhe ndjeshmërinë në mënyra të reja, të zbuloj se si bujaria, durimi, toleranca, mendimi qytetar, kujdesi dhe dhembshuria janë jetësore për paqen dhe kuptimin njerëzor”, u shpreh ajo.

Bajoku u shpreh se do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë fëmijëve, mësuesve dhe prindërve, teksa premtoi se do të punojnë për të zgjeruar edhe më shumë këtë projekt.

Ndërkaq, drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj, deklaroi se ky aktivitet ka ndikim pozitiv tek fëmijët, të cilët mësojnë vlerën e solidaritetit dhe dhembshurisë.

Salihaj: Përmes kësaj i mësojmë këtë fëmijë me e kultivua vlerën e solidaritetit

“Në këtë pako që këta fëmijë e kanë dhuruar për moshatarët e vet, për fëmijët me nevoja të veçanta, për fëmijët e varfër, transmetohet një pjesë e shpirtit dhe e zemrës së tyre. I mësojmë këtë fëmijë me dhurua, i mësojmë këtë fëmijë me e kultivua vlerën e solidaritetit, ndjenjën e dhembshurisë, sepse në shoqërinë tonë për fat të keq ende mungon barazia sociale që quhet. Qëllimi shkollës është padyshim me i kultivua këto vlera tek këta fëmijë që janë të padjallëzuar dhe që do të jenë për një kohë shumë të shkurtë ardhmëria e këtij vendi”, tha ai.

Këtij aktiviteti për herë të tretë i është bashkangjitur edhe Forca e Sigurisë së Kosovës me ushtarët e saj, ku për këtë drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Civilo-Ushtarak në FSK, Hajrush Kurtaj, tha se këtë e bëjnë me krenari për të ndihmuar të gjithë fëmijët.

Kurtaj: Është viti i tretë që po angazhohemi në këtë aktivitet

“Është viti i tretë që po angazhohemi në këtë aktivitet dhe bënë një punë duke u munduar që gjithherë të jetë në shërbim të qytetarëve e në veçanti në shërbim të fëmijëve. Është një punë që ushtarët e Ushtrisë së Kosovës e kanë bërë me kënaqësi dhe me krenari të lartë. Sa herë të ketë nevojë qytetari ushtari i Ushtrisë së Kosovës do të jetë në shërbim të tyre”, u shpreh ai.

Të 4 mijë dhuratat e mbledhura do t’iu dhurohen fëmijëve me rastin e festave të fundvitit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat