Tenderi për qumështin e nxënësve dëmtoi buxhetin e Prishtinës

Prishtina

Tenderi për qumështin e nxënësve dëmtoi buxhetin e Prishtinës

Më: 22 dhjetor 2018 Në ora: 00:49
Foto ilustrim

Nxënësve të shkollave fillore të Prishtinës, bashkë me kileve si pjesë e shujtës ditore, u ndahet edhe nga një qumësht 0.25 litërsh.

Por, tenderi për furnizim me këtë qumësht, në vitin 2017, sipas organizatës “Demokracy Plus”, e ka dëmtuar buxhetin e komunës për së paku 36 mijë e 684 euro e 90 centë.

Kjo organizatë, e cila ka monitoruar aktivitetet e prokurimit në komunën e Prishtinës, ka publikuar një raport për këtë tender, në të cilin thuhet se kjo ardhur si pasojë e mosverifikimit të normës së TVSH-së të dhënë nga kompania fituese, “Abrazen” (ish-Devolli).

Sipas këtij raporti, kompania ka ofertuar me çmim prej 20 centë me TVSH. Mirëpo, te çmimi pa TVSH ka ofertuar me 18 centë. “Demokracia plus” vlerëson se kjo paraqet një gabim në llogaritje të TVSH-së, pasi që TVSH në qumësht është 8% dhe jo 11%, sa është llogaritur.

Sipas organizatës, me normën reale të TVSH-së për qumësht, çmimi është dashur të jetë 19.4 centë, ndërsa pas rrumbullakimit të përcaktohet 19 centë, mirëpo në këtë rast ai është rrumbullakuar 20 centë.

“Ne e kemi tërhequr vërejtjen se në disa elemente komuna po u krijon hapësirë kompanive që të mashtrojnë komunën edhe me katalogë edhe me oferta financiare. Ne e kemi parë në shumë komuna tjera kjo bëhet me Excel, fushat janë të mbrojtura dhe kompanitë nuk mund ta ndërrojnë normën e TVSH-së. Në komunën e Prishtinës nuk ka qenë një praktikë e tillë, ata kanë mundur të ndërhyjnë në cilëndo pjesë të ofertës së tyre financiare dhe në këtë mënyrë ta mashtrojnë komunën dhe ta rrisin normën e TVSH-së”.

Sipas Zejnës, kjo situatë është si rezultat i kufizimit të konkurrencës përmes vendosjes së kritereve strikte të tenderit nga komuna.

Dy vjet më herët, çmimi për një paketim qumësht ka qenë 10 centë, ndërsa tani është dyfishuar në 20 centë. Në raport thuhet se po të lidhej kontrata me çmim 10 centë, buxheti i komunës do të kursehej për 366,849 euro.

“Te çështja e dyfishimit të çmimit, komuna po refuzon edhe të pranojë se është gabim. Nuk ka kuptim që prej dy vjet më herët kur në treg nuk ka shënuar kurrfarë çmimi i qumështit, ose edhe nëse ka pasur ka qenë 1 ose 2 përqind, komunës së Prishtinës t’i dyfishohet ky çmim. Ne mendojmë se pasojë ka qenë fakti se kriteret kanë qenë shumë strikte dhe potencialisht të përshtatura për kompaninë në fjalë. Këtë e ka bërë faktikisht kompania në ofertën e saj, komuna vetëm e ka pranuar si të tillë, pa e bërë kalkulimin e mirëfilltë të ofertës”.

Në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se situata me këtë tender është shqetësuese.

“Ajo që është edhe më shqetësuese është fakti se çmimi gjatë këtij viti ka qenë i dyfishuar në krahasim me periudhën kur ka qeverisur Lëvizja Vetëvendosje. Veç kish dalë tenderi edhe për vitin e ardhshëm dhe ishin të njëjtat parashikime dhe kushtet e veçanta, ku prapë do ta favorizojnë qumështin e njëjtë i cili ka aplikuar edhe vitin e kaluar. Besoj që kanë dashur ta fshehin vlerën e tenderit, sepse e kanë zbritur në 350 mijë, mirëpo edhe sasinë e kanë ulur në 50 përqind, e kanë lënë diku 1 milionë e 800 mijë. Pra kështu tentohet të manipulohet publikisht, kurse faktikisht çmimi është ai i njëjti, 20 centë, parashikimet janë që të jetë prapë çmimi i njëjtë”.

Ndërsa, kryetari Shpend Ahmeti ka thënë se ata nuk mund t’i tregojnë asnjë kompanie se me çfarë çmimi duhet të konkurrojë. Ahmeti ka thënë se çmimi me të cilin e marrin qumështin është më i lirë se çmimi në treg.

Kompania thotë se rritja e TVSH-së ka ardhur si rezultat i një gabimi teknik. Sipas saj, në momentin që ky gabim është vërejtur, komunës i janë kthyer rreth 30 mijë euro.

“Bëhet fjalë vetëm për gabim teknik në përllogaritje, i cili sapo është evidentuar, si i tillë, është përmirësuar dhe Komunës i janë kthyer menjëherë rreth 30 mijë eurot si pasojë e kësaj përllogaritjeje. Pra, norma e TVSH-së për këtë produkt nuk është rritur dhe komuna në fund nuk e ka paguar më shtrenjtë produktin. Thjesht, ka qenë një çështje teknike, meqenëse rregullat e tenderit i lejojnë vetëm 2 shifra pas presjes dhjetore, dhe në pamundësi të shkrimit të saktë të shifrave pas presjes dhjetore, çmimi është regjistruar si i rrumbullakuar”.

Kompania, gjithashtu e ka arsyetuar dyfishimin e çmimit duke thënë se para tre vjetësh kanë lansuar qumështin me çmim promocional, ndërsa tani, sipas saj, ai është kthyer në normat reale të tregut.

“Në vitin 2015 çmimi ka qenë 10 centë për njësi, për shkak se ne, në këtë vit e kemi lansuar këtë produkt dhe është praktikë e kompanisë sonë që kur lansojmë një produkt, të synojmë të kemi çmime promocionale me qëllimit të përafrimit me konsumatorin, kurse në këtë rast duke pasur veçanërisht në konsideratë se konsumuesit kanë qenë kryesisht fëmijët. Tash, çmimi është kthyer në normat reale të tregut të qumështit prej 20 centë për njësi (250ml)”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat