Edhe shkolla "Elena Gjika" i bashkohet grevës

Prishtina

Edhe shkolla "Elena Gjika" i bashkohet grevës

Më: 14 janar 2019 Në ora: 11:41
Shkolla "Elena Gjika" i bashkohet grevës

Në shkollën "Elena Gjika" pritej të fillonte mësimi i rregullt, por edhe klasët e kësaj shkolle mbetën të zbrazëta.

Kjo për shkak se grevës së përgjithshme në arsim sot iu bashkua edhe kjo shkollë, ani pse një ditë më parë dolën me qëndrim kundër grevës.

Drejtori i kësaj shkolle, Betim Sylejmani, ka thënë se vendimin për të hyrë në grevë mësimdhënësit e morën sot në orën 07:00 në mbledhjen e jashtëzakonshme Këshillit të shkollës.

Sylejmani: Sot u vendos të shkohet në grevë

"Në orën 7 në mëngjes u mbajt mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Shkollës, të arsimtarëve, ku në atë mbledhje u morën dy vendime të reja, e para ka të bëjë me mësimdhënësit të cilët vendosën t'i bashkangjiten sindikatës pas 12 viteve edhe e dyta, mësimdhënësit të shkojnë në grevë të përgjithshme sikurse shkollat tjera", ka thënë Sylejmani.

Sylejmani ka thënë se kërkesat e mësimdhënësve janë të arsyeshme, por sipas tij greva nuk është zgjidhja e duhur.  

Ai ka treguar se as prindërit nuk e pritën mirë vendimin për të ndërprerë mësimin, pasi që  shumë prej tyre erdhën për të sjellë fëmijët në shkollë.

Sylejmani: Ju kërkoj falje prindërve

"Vendimin e djeshëm e pritën shumë mirë, kurse vendimin e sotëm natyrisht se keq. Për këtë arsye unë iu kërkoj falje të gjithë prindërve të shkollës "Elena Gjika" po ashtu edhe nxënësve të cilët i kemi shembull, si prindërit si nxënësit, rreth ndihmës, rreth shkollës për gjithçka dhe për këtë të sotmen iu kërkojmë falje", ka thënë Sylejmani.

Kurse arsimtarja Kadire Preniqi, njëherësh kryetare e Sindikatës së kësaj shkolle, ka sqaruar se pse u ndryshua vendimi për grevë. Ajo thotë se nuk kanë qenë prezentë të gjithë mësimdhënësit kur shkolla kishte vendosur ta kundërshtonte grevën.

Preniqi: Vendimi për të mos hyrë në grevë ishte i ngutshëm

 "Vendosëm në momentin e fundit sepse shkolla ka qenë në pushime dimërore dhe nuk kemi qenë të gjithë mësimdhënësit prezent në shkollë pikërisht për komunikatën e djeshme nuk kemi qenë i gjithë grupi i mësimdhënësve në shkollë dhe është vendosur në mënyrë pak të ngutshme", ka thënë Preniqi.

Ajo ka pranuar se greva do të dëmtojë nxënësit, por sipas saj, institucionet nuk u kanë lënë zgjidhje tjetër.

Ajo ka thënë se vendosën t'i bashkohen SBAShK-ut, pasi që kjo sindikatë mbron interesat e tyre.

Preniqi: Na mbështetën për muri

"Jo vetëm ne, por asnjë mësimdhënës nuk i do grevat, por me të vërtetë na mbështeten për muri, kërkesat tona janë shumë të arsyeshme dhe se të gjitha institucionet e larta janë shumë mospërfillëse", ka thënë ajo.

Disa prindër që ishin të pranishëm, prapa kamerave thanë se po e mbështesin kërkesën e mësimdhënësve, ani pse kjo grevë dëmton fëmijët.

Ndryshe, në shkollën "Elena Gjika" ende nuk janë zëvendësuar dy javë të humbura të mësimit që erdhën si pasojë e renovimit të shkollës.

Drejtori Sylejmani ka njoftuar se ende nuk e kanë caktuar se kur do të zëvendësohen orët e humbura, por që ka thënë se një gjë e tillë do të ndodhë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat