Ngricat e krijuara në trotuare rrezikojnë banorët e Prishtinës

Prishtina

Ngricat e krijuara në trotuare rrezikojnë banorët e Prishtinës

Më: 19 janar 2019 Në ora: 16:04
Ilustrim

Moslargimi i borës dhe krijimi i ngricave në trotuaret e rrugëve të Prishtinës po i rrezikojnë qytetarët në marrjen e lëndimeve të ndryshme.

Të paktën kështu thonë vet ata. Tashmë po bëhen dy javë kur Berat Azemi, banor i lagjes “Tophane”, ka thyer gishtin për shkak të rrëshqitjes, pikërisht në trotuaret e lagjes së tij.

Ai  shprehet se krejt kjo ka ndodhur si pasojë e mos pastrimit të kësaj rruge nga organet komunale.

Në rrugën “Meto Bajraktari”, sipas tij, asnjëherë askush nuk ka ardhur për të larguar borën e rënë.

Azemi: Njerëzit po kanë probleme me kalu këndej

Njerëzit po kanë probleme me kaluar këndej, kerret ma shumë po rrëshqasin parkingjet, nuk janë ardhur me pastru hiç...me thy naj gisht kështu sikur unë diçka, tjetër kurgjo, po kena rrëshqit qe gishti, dy javë në gips”, u shpreh ai.

Më i ashpër ndaj komunës së Prishtinës, shprehet banori i rrugës “Bajram Kelmendi”, Ekrem Gashi.

Ai thotë se në lagjen e tij nuk ka asnjë zgjidhje ku të ecë përveç në rrugë bashkë me veturat.

Siç thotë banori, trotuaret përveç që janë me borë, ato po zaptohen dhe nga veturat e shumta, e për këtë fajtor kryesor e lë komunën e Prishtinës. 

Gashi: S’ka trotuare

 “Kjo është përgjegjësi e komunës, ata vet duhet me qenë që duhet me i pastru këto rrugë, megjithëse është e vështirë... s’ka trotuare, s’ka asgjë faji kryesor mbetët mbi komunën, vërtetë është problem” tha banori Gashi.

Ndërsa, banorja tjetër te rruga “Afrim Hoxha”, Sherimane Dushi me vështirësi të mëdha, thotë se po frikohen të qarkullojnë lirshëm tek trotuaret e lagjes së saj.

Dushi: Trotuaret duhet me qenë të pastruar

“Jemi plakë, po frikohemi s’po na qarkullojnë as duart as këmbët...ata janë që munden me na ndihmuar, trotuaret me qenë të pastruar...komuna,shteti, kush tjerët”, tha ajo.

Ecja në trotuare për Bajram Dreshajn është e pamundur. Ai ka ankesa të mëdha, jo vetëm për komunën, por dhe për Policinë e Kosovës, që sipas tij, asnjëherë nuk i ka larguar veturat për të liruar qytetarët të qarkullojnë lirshëm.

Dreshaj: Kalimi për këmbësor i vështirësuar

“Në bazë të një realiteti jo vetëm se është bora, por dhe pa borë është kalimi për këmbësor i vështirësuar për shkak të parkimit të automjeteve në trotuare. Vlen me theksuar së është një neglizhencë e patrullës së policisë së trafikut, të cilët shumë rrallë dhe nuk ndërmarrin raste, vetëm në disa aksidente siç kishte qenë një ditë këtu, isha dhe unë prezent se asnjëherë nuk i largojnë mjetet nga trotuaret”, tha ai

Përveç këtyre rrugëve, gjendja e njëjtë është dhe te rruga “Hamz Jashari” dhe “Xhavit Haziri”, ku ngricat e krijuara po e vështirësojnë qarkullimin andej.

Përkundër insistimit të KosovaPress-it, zëdhënësit e komunës së Prishtinës kanë qenë të pa qasshëm për t’u prononcuar mbi këtë çështje./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat