Rritet numri i ndërmarrjeve të regjistruara, më së shumti në Prishtinë

Prishtina

Rritet numri i ndërmarrjeve të regjistruara, më së shumti në Prishtinë

Më: 30 janar 2019 Në ora: 16:01
Ilustrim

Në tremujorin e katërt (TM4) janë regjistruar gjithsej 2401 ndërmarrje, ku vërehet një rritje për 8.5%, krahasuar me tremujorin paraprak (TM3 2018).

Ndërkaq, krahasuar tremujorin e katërt të vitit 2018 me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM4 2017), ka pasur një rritje për 25.0% të ndërmarrjeve të regjistruara. Kështu thuhet në raportin e publikuar të Agjencisë së Statistikave të Kosovës mbi ndërmarrjet ekonomike në Kosovë për tremujorin e katër të vitit 2018, raporton KosovaPress.

“Krahasuar me vitin 2017, në vitin 2018 ka pasur rritje për 6.3% të ndërmarrjeve të regjistruara. Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: tregtia me 561 ndërmarrje të regjistruara (23.4%); prodhimi me 280 ndërmarrje të regjistruara (11.7%); akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 252 ndërmarrje të regjistruara (10.5%); ndërtimtaria me 244 ndërmarrje të regjistruara (10.2%); aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 212 ndërmarrje të regjistruara (8.8%); bujqësi, pylltari dhe peshkatari me 156 ndërmarrje të regjistruara (6.5%); ndërsa aktivitetet tjera marrin pjesë në shkallë më të vogël”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor mbizotëron komuna e Prishtinës me 766 ndërmarrje të regjistruara (31.9%); Prizreni me 212 ndërmarrje të regjistruara (8.8%); Ferizaj me 188 ndërmarrje të regjistruara (7.8%); Peja me 124 ndërmarrje të regjistruara (5.2%); Gjilani me 109 ndërmarrje të regjistruara (4.5%); ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat