Alarmante: Vetëm 43% të buxhetit për shpenzime kapitale e realizoi Komuna e Prishtinës - Bota Sot
Alarmante: Vetëm 43% të buxhetit për shpenzime kapitale e realizoi Komuna e Prishtinës

Prishtina

Alarmante: Vetëm 43% të buxhetit për shpenzime kapitale e realizoi Komuna e Prishtinës

Më: 3 mars 2019 Në ora: 14:19
Alarmante: Vetëm 43% të buxhetit për shpenzime kapitale e realizoi Komuna e Prishtinës

Alarmante dhe tragjedi për komunën e Prishtinës po konsiderohet realizimi i vetëm 43 përqind të buxhetit për investime kapitale duke pasur parasysh nevojat e kryeqytetit për investime. Krejt kjo nga shoqëria civile dhe opozita po konsiderohet se po ndodhë për shkak të keqmenaxhimit dhe keqplanifikimit të kryetarit Shpend Ahmeti.

Incitiva për Progres (INPO) që e monitoron punën e kryeqytetit hedh kritika të shumta për të parin e saj, pikërisht për mos shfrytëzimin e mjeteve buxhetore në dobi të qytetarëve.

Hulumtuesi i kësaj iniciative, Qëndrim Arifi thotë se në vitin që lamë pas, investimet kapitale kanë qenë në masën më të ulët se disa vite, vetëm 43 për qind.

E gjitha kjo, sipas tij është alarmante duke pasur parasysh nevojat e qytetarëve.

Ai konsideron se i gjithë ky regres ka ndodhur si rezultat i keqmenaxhimit dhe keqplanifikimit të kryetarit Ahmeti dhe drejtorit përkatës.

Arifi: Këto çalime janë në keq menaxhim dhe keq planifikim

 “Këto çalime janë në keq menaxhim dhe keq planifikim. Ne në vazhdimësi i kemi bërë thirrje për një planifikim të mirë të Komunës së Prishtinës dhe një menaxhim më efikas në fakt të kontratave ose procedurave të prokurimit, sepse investimet kapitale kryesisht shkojnë përmes procedurave të prokurimit. Mirëpo ky regres kaq i madh që nuk e kemi pritur dhe ne që e monitorojmë komunën në mënyrë sistematike, do të thotë e kemi ditur që do të çalojnë në këtë pjesë, por jo në këtë masë. Kjo besojmë është masë alarmante 43 përqind të shpenzohen duke pasur parasysh nevojat e qytetarëve dhe nevojat e kryeqytetit për këto investime kjo është shumë e rëndë për qytetarët dhe nuk ndikon mirë në mirëqenien e tyre”, tha Arifi.

Për njohësin e çështjeve lokale, Rasim Aliaj gjithë kjo mos punë e kryetarit të Prishtinës lidhet me angazhimin e tij në disa poste tjera shtetërore, duke lënë në neglizhencë kryeqytetin.

Ai tha se kjo është padrejtë dhe jo etike për qytetarët, pasi asnjë investim kapital nuk ka filluar që do të përmirësonte cilësinë e jetës për ta.

Aliaj: As një investim kapital nuk ka filluar

“Nuk mundesh që me qenë njëkohësisht me qenë dhe kryetar i një kryeqyteti, e në veçanti kryetari i Prishtinës dhe njëkohësisht të neglizhosh punën si kryetar dhe të mirresh me çështje tjera të nivelit nacional siç është dialogu. E gjithë kjo është dhe e padrejtë dhe jo etike sepse qytetarët e kanë zgjedhur zotëri Ahmeti që të jetë në postin e kryetarit të komunës dhe rrjedhimisht  të preukupohet me çështje që qytetarët e kryeqytetit ballafaqohen prej mëngjesit deri në mbrëmje. E kemi këtu parasysh se asnjë investim kapital nuk ka filluar, kemi parasysh çështjen e parkingjeve, çështjet tjera që janë esenciale lidhur cilësinë e jetës së qytetarëve”, u shpreh për KosovaPress, njohësi Aliaj.  

Partia opozitare në kryeqytet, Lëvizja Vetëvendosje thotë se mos arritja e shpenzimit të as pesëdhjetë përqind të buxhetit gjatë vitit 2018 është një tragjedi, pasi dihet nevoja që qytetarët e kanë  për investime.

Asamblisti, Eman Rrahmani, thotë se krejt kjo po ndodhë për shkak të mosdijes së kryetarit Ahmeti, dhe për shkak se nuk e ka VV-në prapa që t’i shtyjë përpara këto projekte.

Rrahmani: Kjo është do të thosha një tragjedi për komunën e Prishtinës

“Shihet qartë në numra se qeverisja e Ahmetit nuk ka arritur as pesë dhjetë për qind të shpenzoj buxhetin e investimeve kapitale. Nuk ka arritur të shfrytëzoj as bartjen nga viti 2017 të mjeteve për investime kapitale. Kjo është do të thosha një tragjedi për komunën e Prishtinës për shkak se dihet që komuna e Prishtinës ka shumë nevojë  për investime kapitale, projekte të cilat kanë mbetur në gjysmë, projekte që rrezikojnë dhe jetën e qytetarëve që për shkak të neglizhencës së komunës nuk po përfundohen…për shkak të mosdijes së kryetarit dhe për shkak se nuk e ka më Lëvizjen Vetëvendosje prapa që t’i shtyjë dhe t’i ec këto projekte”, deklaroi, asamblisti i VV-së, Eman Rrahmani.

Drejtori i Investimeve Kapitale në Prishtinë, Gëzim Mehmeti thotë se arsye e mos shpenzimit të plotë të buxhetit për investime është se po kanë probleme në aspektin juridiko-pronësore, sidomos tek projektet kapitale siç janë kolektori në lagjen Mati dhe tek tregu i qytetit.

Sipas tij, gjatë gjithë vitit të kaluar nuk është se nuk ka pasur punime, ai i renditi disa nga to dhe tha se prej 11 milion sa janë buxhet i kësaj drejtorie janë shpenzuar 8 milion e 600 mijë euro.

Mehmeti: Dy janë faktor që ka ngecje të realizimit të projekteve

“Nuk është qe nuk është punuar unë do t’i ceki vetëm disa punime që i ka bërë drejtoria e investimeve kapitale në infrastrukturë. Do të thotë në asfalt janë shtruar 320 kilometra, me kubëza 263.12 kilometra, do të thotë 577 kilometra në komunën e Prishtinës janë shtruar...dy janë faktor që ka ngecje të realizimit të projekteve. Një janë problemet juridiko-pronësore. Projektet më kapitale siç është kolektori në rrugën Mat, pastaj tregu i qytetit që kanë pasur kontekste, do të thotë janë shuma të mëdha...unë mundem me fol për drejtorin e investimeve kapitale, realizimi siç e shihni dhe ju është 51.60 për qind, i drejtorisë së investimeve kapitale që jam unë përgjegjës me fol, i keni të dhënat shikoni. Do të thotë nga 11 milion janë shpenzuar 8 milion e 600 mijë”, tha drejtori, Mehmeti.

Ndryshe, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe gjatë mandatit të tij të parë është akuzuar se nuk po e shpenzon buxhetit për investime kapitale, ndërsa në fillimin e mandatit të dytë, investimet kapitale kanë rënie drastike duke mos e shpenzuar as gjysmën e buxhetit që është paraparë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...