Eksperiment i keq po cilësohet ndërrimi i drejtorëve në Prishtinë

Prishtina

Eksperiment i keq po cilësohet ndërrimi i drejtorëve në Prishtinë

Më: 10 mars 2019 Në ora: 11:02
Eksperiment i keq po cilësohet ndërrimi i drejtorëve në Prishtinë

Riemërimi i drejtorëve në komunën e Prishtinës nga partitë opozitare dhe shoqëria civile po konsiderohet si plotësim i pozitave me militant partiak, pa përvojë pune dhe se ky është një eksperiment i keq që në të kaluarën nuk ka dhënë asnjë efekt në ngritje të efikasitetit në dobi të qytetarëve.

Lidhja Demokratike e Kosovës shprehet se ndërrimi i drejtorëve nuk pritet të rrit efikasitetin e punës dhe për këtë arsye nuk pritet të ketë sukses.

Asambleistja Vlora Dumoshi thotë se më e pakta 6 muaj do t’iu duhet drejtorëve të rinj për t’u përshtatur me punën e tyre.

Dumoshi: Ne nuk presim që të ketë sukses

“Ne nuk presim që të ketë sukses, kjo është një retorik e tij personale e kryetarit, vet fakti tash në mbledhjen e fundit, raporti i buxhetit tregon që 25 milionë i ka bartje për vitin e ardhshëm...drejtorit me muaj të tërë ka mbet pa drejtor pa menaxhim flet shumë, dhe këtyre drejtorëve të rinj veç me u ambientuar në drejtori iu duhet së paku gjashtë muaj ditë deri në 1 vit, kështu që nuk pres sukses...kjo është përveç militantëve partiak, kjo është puna e koalicionit aty për brenda. Na e shohim që ata nuk kanë asnjë gjuhë të përbashkët”, thotë Dumoshi.

Ndërsa, partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje përmes asambleistit, Eman Rrahamani shprehet se ndërrimi i drejtorëve është bërë më shumë për t’i plotësuar tekat dhe interesat e grupeve të caktuara, e jo për të ngritur efikasitetin e punës së atyre drejtorive.

Sipas tij, një drejtor që nuk ka pasur sukses në një drejtori, nuk mundet me pas sukses në drejtorit tjetër.

Këtë, siç thotë ai, e dëshmon efikasiteti i tyre i dobët i secilit prej tyre. 

Rrahmani: Një drejtor që nuk ka pasur sukses në një drejtori, nuk mundet me pas sukses në drejtorin tjetër

“Në komunën e Prishtinës nuk ka interesim për me punuar për qytetarët, mirëpo për me i plotësuar tekat dhe interesat e grupeve të caktuara ku qëllim kryesor pra është ai, dhe jo puna dhe investimi për qytetarët....puna e drejtorëve është punë menaxheriale. Një drejtor që nuk ka pasur sukses në një drejtori nuk mundet me pas sukses në drejtorin tjetër për shkak se në punën e drejtorive ka të bëjë me menaxhimin e stafit dhe punës së asaj drejtorie...në qoftë se nxjerr një performacë të secilit drejtor atëherë mundesh me i pa rezultatet e tyre që nuk kanë qenë as minimale. Po flas vetëm për drejtorin e pronës që të cilin ne kemi jashtëzakonisht probleme me pronat që na vijnë në kuvendin komunal”, deklaron ai.

Nga iniciativa për progres (INPO), monitoruesi i punës së kryeqytetit, Qëndrim Arifi shprehet se këto eksperimente nuk mund të rritin cilësinë e punës drejtoreve, ndërsa konsideron se nuk kanë dhënë asnjë efekt në të kaluarën.

Arifi: Këto janë eksperimente të këqija

“Këto eksperimente me drejtorët nuk është qe e rritin cilësinë e tyre dhe rritin mirëqenien e qytetarëve të Komunës së Prishtinës. Këto janë eksperimente të këqija që nuk kanë dhënë efekt në të kaluarën, e aq më pak shtoja faktin se drejtori i pronës, kalon në mirëqenie sociale. Nuk e di ku kryetari i komunës i ka marr ato pika të forta të këtij drejtori nga një dikaster që ka mund të them që ka dallueshmëri të madhe mes tjetrit...mandati i kryetarit është katër vite, nëse vazhdohet kështu çdo vit të shikon t’i lë hapësirë një vit të tregoj vetën, mbas një viti të zëvendësoj do të thotë do të kaloj mandati me kësi lloj formatime që mirëqenia e qytetarëve në asnjë aspekt nuk është primare këtu, vetëm interesat politik”, deklaron Arifi.

Njohësi i çështjeve lokale, Rasim Aliaj thekson se gjatë këtij mandati cilësia e drejtorëve në komunë të Prishtinës ka qenë sipërfaqësore vetëm sa për të plotësuar numrin.

Duke përmendur rolin e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë mandatit të parë të Ahmetit, Aliaj thotë se pa këtë parti, kryetari i Prishtinës ka hyrë në këtë vallen e pranimit të presioneve nga subjektet e tjera politike.

Aliaj: Gjatë këtij mandati kemi parë që cilësia e drejtoreve ka qenë sa për sy e faqe 

“Pa Lëvizjen Vetëvendosje ka hyr në këtë vallen e marrjes dhe pranimit të presionit nga subjektet tjera politike që janë në koalicion lidhur me emërimin, ose mos emërimin shkarkimin të drejtorëve në drejtorit të caktuara...nuk kemi parë raporte të përgatitura nga ekzekutivi të cila matin performancën e drejtorëve të komunës së Prishtinës. Ishte dashur të jetë praktik që të matet performanca dhe mbi bazën e angazhimit dhe mbi bazën e projekteve që i kanë shty përpara...sidomos gjatë këtij mandati kemi parë që cilësia e drejtorëve dhe emërimet e drejtorëve në drejtorit e komunës së Prishtinës kanë qenë sa për sy e faqe dhe komplet sipërfaqësore, duke mos u fokusuar në drejtimin e tyre, ose specifikat që i kërkojnë drejtorit e caktuara”, deklaron Aliaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat