Ahmeti: Jemi të përkushtuar të mbajmë rend dhe rregull në Prishtinë - Bota Sot
Ahmeti: Jemi të përkushtuar të mbajmë rend dhe rregull në Prishtinë

Prishtina

Ahmeti: Jemi të përkushtuar të mbajmë rend dhe rregull në Prishtinë

Më: 5 prill 2019 Në ora: 18:33
Shpend Ahmeti dhe Tahiri

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe drejtori i Inspektoratit, Adonis Tahiri, kanë prezantuar punën e kësaj drejtorie në përpjekje për të evidentuar parregullsitë dhe masat që janë ndërmarrë ose do të ndërmerren në të ardhmen në bazë të kompetencave ligjore.

Ahmeti deklaroi se në aksione të përbashkëta me Policinë e Kosovës dhe institucione të tjera, kanë mbetur të mbyllura 22 lokale të masazheve, të cilat nuk e kanë pasur pëlqimin sanitar ose nuk kanë qenë duke punuar gjatë kontrolleve.

Ai tha se kjo çështje duhet të rregullohet nga niveli qendror sepse këto lokale janë të regjistruara në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, përkundër faktit se po ushtrojnë aktivitete ilegale.

Ahmeti: Nevojitet rregullim ligjor për regjistrimin e bizneseve

“Ne po i mbyllim këto lokale për arsye sanitare, por në fakt do të duhej të mbylleshin për aktivitete joligjore dhe problemin më të madh që e kemi e që po e shqyrtojmë edhe ligjërisht si t‘ia bëjmë është që një pjesë e madhe e këtyre lokaleve janë në vende ku ka ndërtesa, familje dhe fëmijë dhe janë në katin e parë dhe nevojitet së paku një rregullim ligjor më i mirë i regjistrimit të bizneseve dhe po ashtu parandalimit të aktiviteteve ilegale dhe joligjore”, deklaroi Ahmeti.

Kreu i Prishtinës tha se prej 1 majit do të fillojë gjobitjen e të gjitha bizneseve që e bëjnë shpërndarjen e fletushkave apo broshurave nëpër rrugë, vetura, ndërtesa kolektive e ngjashëm.

Ai ka ftuar kompanitë dhe bizneset që ta ndalin këtë lloj të marketingut dhe të konsiderojnë forma të tjera të reklamimit, në të kundërtën, secili rast i evidentuar do të gjobitet me 90 euro.

Ahmeti ka përmendur edhe shitësit dhe taksitë ilegalë ndaj të cilëve tha se janë të detyruar të marrin masa për të mbajtur rend dhe rregull si dhe për të garantuar konkurrencën e drejtë.

Ahmeti: Shitësit dhe taksitë ilegalë të kenë mirëkuptim

I lusim shitësit ilegalë edhe taksitë ilegalë që të kenë mirëkuptim sepse nuk e bëjmë këtë punë me dëshirë, por jemi të detyruar në mënyrë që të mbajmë rend dhe rregullin në mënyrë që sheshi të mos na kthehet në Pazar dhe trafiku të mos shkaktohet nga numri i madh i taksive ilegale të cilët vetëm kur qëndrojnë në një stacion vijnë nga 5-6 makina që bëjnë me numra se cila linjë është”, vijoi Ahmeti.

Drejtori i Inspektoratit, Adonis Tahiri, njoftoi se gjatë muajit mars, Sektori i Rendit Komunal ka pranuar 271 lëndë, ka lëshuar 160 procesverbale, dhe ka dhënë mbi 150 gjoba.

Për ndotje të mjedisit, sipas tij, janë shqiptuar 7 gjoba, ku përfshihet hedhja e dheut, ndotja e rrugës me kamionë nga vendpunishtet, hedhja e mbeturinave me traktor në hapësirë të palejuar, si dhe parkimi në gjelbërim.

Për Sektorin e Ndërtimit, Tahiri tha se është një nga sektorët ku drejtoria ka më së paku inspektorë, ka mbingarkesë të punëve, por pavarësisht kësaj, sipas tij punët në terren po tregojnë rezultate.

Ai njoftoi se gjatë muajit mars, pesë ekipet e inspektorëve të ndërtimit, kanë shpërndarë 123 fletëthirrje për palët, 116 procesverbale, 21 aktvendime për ndërprerje të punimeve dhe 4 aktvendime për rrënim.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...