Uran Ismaili, zgjidhet kryetar i degës së PDK-së në Prishtinë - Bota Sot
Uran Ismaili, zgjidhet kryetar i degës së PDK-së në Prishtinë

Prishtina

Uran Ismaili, zgjidhet kryetar i degës së PDK-së në Prishtinë

Nga: Z.B Më: 12 maj 2019 Në ora: 17:46
Foto nga takimi

Në proces zgjedhor, ku morën pjesë 389 delegatë, me vota të fshehta, me shumicë absolute, kryetar i Degës së PDK-së, në Prishtinë u zgjodh, Uran Ismaili. Po ashtu u zgjedhën Këshilli Drejtues i Degës prej 71 anëtarëve dhe delegatët për Konventën Qendrore të PDK-së.

Në këtë Kuvend zgjedhor, i pari e mori fjalën ish kryetari i Degës së PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj, i cili ka adresuar kritika të ashpra kundrejt kryetarit aktual të kryeqytetit, Shpend Ahmeti i cili sipas tij po e mbanë peng zhvillimin e kryeqytetit. Ai tha se nën qeverisjen e Ahmetit, Prishtina po bënë vetëm hapa mbrapa.

“Ne po e jetojmë një qytet pa qeverisje, po e shohim se çka do me thane me qene një qytet pa kryetar. Qyteti po vyshket dhe po bën hapa prapa. Kemi një njeri në pushtet që pranon se ka frik të ballafaqohet me problemet që i ka Prishtina. Qytetarët tani më janë të vetëdijshëm , që alternativa e vetme për ta qeverisur Prishtinën është PDK”, tha ai.

Kryetari i Komisionit zgjedhor për Prishtinën, Enver Hoxhaj, në hapjen e Kuvendit zgjedhor të PDK-së në Prishtinë ka thënë se Kosovës do i kthehet shpresa kur në krye të Qeverisë të jetë Kadri Veseli kryeministër e udhëheqjen e Prishtinës ta merr kandidati për kryetar të PDK-së në kryeqytet, Uran Ismaili.

Hoxhaj tha se deri më tani politikanët dhe partitë që kanë udhëhequr me Prishtinës nuk i kanë dhënë asgjë kryeqytetit.

“Prishtina i ka dhënë shumë Kosovës. Shumë zhvillime kanë filluar në Prishtinë dhe nga një kryeqytet i një etniteti jugosllav jemi bërë shteti më i ri në hartën e botës. Politikanët dhe partitë asgjë nuk i kanë dhënë Prishtinës deri më tani. Kaosi, pasiguria, ajri i ndotur, urbanizimi i egër janë disa nocione që e karakterizojnë Prishtinën”, deklaroi ai dhe ftoi delegatët ta votojnë Ismailin për Kryetar të ri të degës së PDK-së, në Prishtinë.

Nënkryetari i PDK-së Hajredin Kuçi, njëherësh Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të brendshme të PDK-së, në fjalën e tij në Kuvendin zgjedhor të Degës së PDK-së në Prishtinë, ka paralajmëruar ardhjen e Kadri Veselit në krye të Qeverisë pas fitores në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ai ka thënë se fitorja e plotë e PDK-së dhe Kadri Veselit Kryeministër bëhet kur PDK do të fitojë edhe Prishtinën.

“Prishtina nuk është një rrugë, e një leje ndërtimi. Është pasqyra e republikës së Kosovës për tërë vendin. Nuk ka qytetar i huaj që vjen në Kosovë e që nuk viziton Prishtinën.

“Asnjëherë s’jemi ndjerë rehat pa e fituar Prishtinën. Urani do ta fitojë Prishtinën”, ka thënë Kuçi.

Ndërsa kandidati për kryetar të Degës së PDK-së në Prishtinë, z. Ismaili, ka kërkuar besimin për Kryetar të Degës së PDK-së në Prishtinë, pas procesit zgjedhor të zhvilluar muajve të fundit, proces që ka rezultuar me shtrirjen e kësaj partie në çdo pjesë të Kryeqytetit.

“Ndjej nevojën që Prishtina dhe PDK-ja të ndërtojnë një marrëdhënie të re mes tyre, që PDK-së ia jep një identitet të ri, kurse Prishtinës vëmendjen që meriton”, ka shtuar ai.

Uran Ismaili, i cili është edhe Nënkryetar i PDK-së dhe Ministër i Shëndetësisë, ka vlerësuar se me këtë proces zgjedhor ka filluar edhe një ridefinim radikal i marrëdhënies mes PDK-së dhe Prishtinës.

“Nën Platformën e Dekadës së Re, të dizajnuar dhe udhëhequr nga Kryetari Kadri Veseli, një raport më intensiv dhe më dinamik mes qytetarit dhe PDK-së është duke zënë vend gjithandej në Kosovë. Për këtë arsye, PDK ka themeluar shumë nëndegë afër qytetarëve të Prishtinës, ndërkohë që qytetarët e Prishtinës nuk kanë qenë kurrë më të hapur dhe më të interesuar për të parë dhe dëgjuar se çfarë mund t’u ofrojmë atyre”, ka thënë Ismaili.

Ai ka pohuar se 75 nëndegët e formuara gjatë këtyre ditëve përbëjnë numrin më të madh të nëndegëve që PDK ka pasur ndonjëherë në Prishtinë.

Image
Image
Image
Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...