Prishtina shënon 20-vjetorin e çlirimit me shumë aktivitete kulturore-sportive

Prishtina

Prishtina shënon 20-vjetorin e çlirimit me shumë aktivitete kulturore-sportive

Më: 28 maj 2019 Në ora: 14:41
Pamje nga konferenca

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka shpalosur në një konferencë për media aktivitetet që do të organizohen me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të kryeqytetit.

Në kuadër të aktiviteteve të shumta që do të mbahen me këtë rast do të jetë edhe ‘zbarkimi’ i yjeve të futbollit kosovar, Granit Xhaka dhe Milot Rashica më 15 qershor, për të zhvilluar një ndeshje miqësore.

Ahmeti tha se në kuadër të shënimit të jubileut të 20-të të çlirimit të Prishtinës do të ketë 20 aktivitete, të cilat do t’i kushtojnë  komunës rreth 300 mijë euro.

Ahmeti: Xhaka dhe Rashica kanë pranuar të organizojnë nga një skuadër të yjeve

“Këto dy yje të futbollit evropian kanë pranuar që të organizojnë nga një skuadër të yjeve. Në njërën anë do të jetë Graniti me yjet që i përzgjedhin bashkë dhe në anën tjetër do të jetë Rashica i Werder Bremenit. Data është më 15 qershor në stadiumin e Prishtinës. Po ashtu, të hyrat nga biletat e shitura për këtë lojë do të shkojnë për bamirësi”, tha kryetari Ahmeti.

I pari i kryeqyteti i renditi të gjitha aktivitetet, të cilat fillojnë më 1 qershor Ditën e fëmijëve, panairin e librit,  festivalin e valleve, maratonën e Gërmisë dhe koncertin e grupit “Gjurmët”.

Ahmeti: Me të vërtet presim një muaj shumë të mirë

“Këtu ka aktivitete për fëmijë, për të rritur. Do të organizojmë dhe për pensionist, do të ketë muzikë, sport aktivitete të tjera kulturore, vizatim, çikat e Prishtinës, murale. Me të vërtet presim një muaj shumë të mirë”, u shpreh Ahmeti.

Për këto aktivitete, i pari i kryeqytetit tha se pritet të kushtojnë mbi 300 mijë euro.

Ahmeti: Gjithë ky aktivitet kushton mbi 300 mijë euro

“Kemi dhe sponsorë të shumtë të aktiviteteve të ndryshme. Besoj që në fund do të japim raportin e krejt kësaj. Por gjithë ky aktivitet, nuk po flas për para të komunës, kushton diku mbi 300 mijë euro”, tha ai.

Në mesin e të ftuarve për 20-vjetorin e çlirimit janë ftuar figura ndërkombëtare që kanë pasur rol të rëndësishëm për çlirimin e Kosovës 20 vjet më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat