Prishtina feston 1 Qershorin

Prishtina

Prishtina feston 1 Qershorin

Më: 1 qershor 2019 Në ora: 13:34
Prishtina feston 1 Qershorin

Sheshet e Prishtinës sot nuk janë të zakonshme. Numër i madh i fëmijëve, të veshur me ngjyra e të dekoruar po marrin pjesë në aktivitetet e organizuara për shënimin e 1 Qershorit, Ditës së Fëmijëve. Komuna e Prishtinës ka organizuar një sërë aktivitetesh për sot, ku janë bashkuar Policia e Kosovës dhe kompani të ndryshme.

Toska Hajrullahu sot po ndjehet si një pjesëtare e Policisë së Kosovës.

Për të parën herë ajo ka veshur uniformën e PK-së dhe po parakalon bashkë me “kolegët”, duke respektuar të gjitha procedurat e një paraqitjeje të tillë.

Hajrullahu: Më duket interesant, nuk jam veshur më parë me uniformën e policisë

“Sot është 1 Qershori dhe jemi këtu në sheshin e vendit, ne jemi veshur si polic për të simbolizuar të drejtat e fëmijëve dhe mbrojtjen për fëmijët nga policët...Më duket interesant se kurrë nuk jam veshur kështu dhe shumica e fëmijëve në këtë paradë janë veshur kështu”, thotë ajo.

“Pjesëtarëve” të rinj të Policisë së Kosovës u prijnë dy policë me motorë, ndërkohë aty pranë janë disa të tjerë nga Policia në Bashkësi dhe Preventive të cilët po shpërndanin fletushka me informacione për Policimin në Bashkësi.

Qëllimi i PK-së është të njoftojë qytetarët, dhe fëmijët, për Policimin në Bashkësi që nënkupton bashkëpunim me qytetarë me qëllim të identifikimit të problemeve, adresimit të tyre dhe zgjidhjen e problemeve së bashku, me bashkësinë apo qytetarët.

Fëmijët po shprehen shumë të kënaqur me aktivitetet që po zhvillohen.

Melisa Shurdhi thotë është veshur me balona dhe se po ndjehet tejet mirë sot.

Shurdhi: Kemi vesh balona, po kënaqemi shumë

“Shumë mirë krejt kemi vesh balona, kemi bërë organizime, muzikë, shumë mirë është jemi duke u kënaq shumë”, thotë ajo.

Era Gashi thotë se shëtitja nëpër sheshet e Prishtinës, të veshur sipas dëshirës së tyre, i ka bërë të ndjehen shumë mirë.

Gashi: Sot është një organizim shumë i bukur

 “Sot ishte një ditë shumë e gëzueshme për të gjithë ne, ishte një organizim shumë i bukur për 1 Qershorin Ditën e Fëmijëve, të gjithë jemi veshur me kostume të ndryshme. Ka qenë një shëtitje shumë e bukur me të gjithë këta fëmijë, dhe dekorime të ndryshme”, thotë ajo.

Parada i ka lënë përshtypje edhe një fëmije tjetër, që thotë se për herë të parë po merr pjesë në një organizim të tillë.

Kita: Parada shumë e bukur, për herë të parë po marrë pjesë

“Sot kemi dalë me një paradë shumë të bukur, më ka pëlqyer, është hera e parë në jetën time, jam gëzuar shumë”, thotë Tios Kita.

Ndërsa Sara Gashi, e veshur si një zog, thotë se është shumë e lumtur sot në Ditën e Fëmijëve.

Gashi: Jam e kënaqur që po marrë pjesë në organizim

“Unë sot jam vesh sikur zog, tej mase jam kënaq që kam ardhur edhe që jam zgjedh me ardhur këtu”, thotë ajo.

E dikush tjetër kishte zënë një kënd në sheshin “Nënë Tereza”, për të prezantuar një ekspozitë.

Anila Gashi, është vetëm 9-vjeç dhe ka krijuar një ekspozitë. Thotë se e do shumë vizatimin dhe që nga mosha 3 vjeçare përpiqet të krijojë gjëra të tilla.

Ajo vijon mësimet në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë.

Gashi: Vizatoj që prej moshës 3 vjeçare

“Këto i kam punuar gjysmën në kurs, jam edhe në kurs të artit, aty jam që një vit por kam filluar të vizatoj kur i kam pas tre vjet...është Dita e Fëmijëve dhe jam shumë e lumtur të jem këtu”, thotë ajo.

Organizimi i Komunës së Prishtinës “Prishtina këndon dhe vallëzon” që filloi me paradën e fëmijëve, është i pasur me shumë aktivitete të tjera që do të zhvillohen gjatë tërë ditës në qendër të kryeqytetit.

Fëmijët po argëtohen dhe shijojnë performanca të ndryshme, këngë valle dhe programe të tjera artistike të organizuara për ta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat