Punëtorët e larguar nga KEDS-i kërkojnë drejtësi edhe në Kushtetuese

Prishtina

Punëtorët e larguar nga KEDS-i kërkojnë drejtësi edhe në Kushtetuese

Më: 10 qershor 2019 Në ora: 11:33
Remzi Demaj

Tri vjet më parë, mbi 80 punëtorë të KEDS-it ishin larguar nga puna, për çka të njëjtit sot thonë se ky veprim ishte bërë në mënyrë të qëllimshme, pavarësisht se kishin kontratë të përhershme.

Disa prej tyre, sot edhe kanë protestuar para Gjykatës Kushtetuese në Prishtinë, në shenjë pakënaqësie ndaj kësaj gjykate, e cila tash e gjashtë muaj nuk ka kthyer përgjigje në lidhje me ligjshmërinë e vendimeve të mëhershme.

Remzi Demaj, punëtor i larguar nga distrikti Prishtina, pas takimit me përfaqësuesit e Gjykatës Kushtetuese, tha se vonesa të tilla janë të patolerueshme. Por, që sipas tij, nga ky takim që kishin sot, u kanë dhënë premtime që brenda javës do të dalin me një vendim.

Demaj: Premtime ishin që brenda javës do të dalin me vendim

“Vendimi do të jetë 100 për qind në favor të punëtorëve, sepse me bisedën të cilën e bëmë, asnjë shkelje nuk ka bërë Gjykata Themelore apo për ligjshmëri... Vonesa nuk e di pse? Çka, qysh,  tek?, por besoj që shumë shpejt, premtimet na dhanë që brenda javës do të dalin me një vendim”, tha Demaj.

Dikush tjetër thotë se  punëtorët e larguar kishin kontrata të përhershme. Gëzim Jelliqi nga distrikti Prizreni, thotë se me largimin e tyre është bërë shkelje e ligjit. E pavarësisht vendimeve të Gjykatave, sipas tij KEDS-i nuk ka zbatuar vendimin e tyre.

Jelliqi: Ne jemi larguar në mënyrë të paligjshme nga puna

“KEDS-i  i ka neglizhuar të gjitha gjykatat e Kosovës, gjithmonë është thirr në emër të Gjykatës Kushtetuese, po e presim vendimin e Gjykatës, mandej do të zbatohen vendimet e tjera. Pra, ajo ka qenë arsyeja për prolongimin e rastit. Lënda është në Gjykatën Kushtetuese, çfarë të vendos Gjykata Kushtetuese, ne do t’i shqyrtojmë... Ne jemi larguar në mënyrë të paligjshme nga ana e KEDS-it, pra nuk ka arsye, ne të gjithë i kemi pasur kontratat e përhershme, nuk kemi pasur vërejtje në punë, ose ndonjë dëm që i kemi shkaktuar KEK-ut. Është problem që ky në mënyrë të qëllimshme e ka bërë këtë, ndoshta ka punësuar punëtorë të tjerë, me paga minimale 170 euro-200 euro”, tha ai.

Ndryshe, derisa pesë gjykatat janë pro kërkesës së punëtoreve për t’u kthyer në punë,  KEDS  po pret që  fjalën përfundimtare ta japë edhe Gjykata Kushtetuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat