Pezullohet procesi i dhënies në shfrytëzim të kiosqeve në kryeqytet

Prishtina

Pezullohet procesi i dhënies në shfrytëzim të kiosqeve në kryeqytet

Më: 5 korrik 2019 Në ora: 12:24
Pezullohet procesi i dhënies në shfrytëzim të kiosqeve në kryeqytet

Me 43 vota për, Kuvendi Komunal i Prishtinës, miratoi pezullimin e procesit të dhënies në shfrytëzim të kiosqeve deri në harmonizimin e kritereve përballuese për konkurrentët.

Kjo u arrit pas një debati që u zhvillua mes asamblistëve, të cilët e quajtën joligjor vendimin e kryetarit të komunës, Shpend Ahmeti për vënien e kriterit për qarkullim në vlerë prej 5 milionë euro për aplikuesin.

Në këtë mbledhje morën pjesë edhe pronarët e kiosqeve të cilët paradite protestuan për vendimin e komunës për shpalljen e këtij ankandi i cili sipas tyre është diskriminues dhe përbën kritere të papërballueshme për ta.

E më të zëshmit në këtë mbledhje ishin asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të LDK-së, që kërkuan me ngulm pezullimin e procesit të konkursit deri në përmirësimin e kritereve.

Madje, asamblisti i VV-së, Egzon Azemi, paralajmëroi kallëzim penal ndaj kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, për shkak të kritereve që ka vendosur për kiosqet në kryeqytet.

Ai tha se komuna do të duhej të kishte interes të saj interesin e qytetarëve e jo interesin e korporatave.

Kriteri i përcaktuar që aplikuesi të ketë së paku 5 markete dhe qarkullim vjetor 5 milionë euro, sipas Azemit vërteton qartë se kujt i dedikohen këto favore. Teksa e quajti vendim joligjor vendimin për vendosjen e kritereve për kiosqet.

E sipas tij, do të ishte e rrugës që pikërisht ndërmarrjeve me qarkullim prej 5 milionë euro, të mos iu lejohet aplikimi për kiosqet.

Azemi: Do të ngrisim kallëzim penal ndaj Shpend Ahmetit

“Ne kërkojmë një studim të fizibilitetit që ët kemi një pasqyrë më të qartë për funksionimin e komunës... Si Lëvizje Vetëvendosje do të ngrisim kallëzim penal ndaj Shpend Ahmetit, sepse me këtë vendim, ai është shndërruar në përfaqësues të korporatave e jo në përfaqësues të interesit të qytetarëve. Ky vendim nuk kalon. Në çfarëdo forme do ta bllokojmë e nuk do të lejojmë që pasuria e përbashkët e qytetarëve -t’iu jepet në shfrytëzim atyre që qarkullim vjetor kapin shumën prej 5 milionë euro”, tha ai.

Asamblisti nga radhët e LDK-së, Agim Gashi, tha se nevojitet pezullimi i këtij procesi.

Gashi: Ky proces të pezullohet

“Ne kërkojmë që ky proces të pezullohet dhe të rishqyrtohet ky pozicion i komunës karshi interesave të këtyre njerëzve që po kërkojnë këtu, dhe kjo veprimtari të zhvillohet në harmoni me procedurat konkurruese të përballueshme, karshi qytetarëve të vet”, u shpreh Gashi.

Edhe asamblisti Sami Borovci nga Aleanca Kosova e Re (AKR) tha se ka disa vërejtje lidhur me kriteret e vendosura për kiosqet.

Borovci: Të rishikohet çështja e kritereve

“Propozoj me e pa bazën ligjore, interpretimin e Zyrës Ligjore nëse ky proces mund të kthehet në komision edhe njëherë”, tha ai.

E në këtë mbledhje, dorëheqjen e tij nga komisioni për përcaktimin e kritereve të konkursit e bëri të ditur asamblisti i PDK-së, Migjen Shala, i cili tha se në mbledhjet e mbajtura të komisionit, nuk është përmendur kriteri prej 5 milionë euro.

Sipas tij, me këtë kriter prej 5 milionë euro po diskriminohen rastet sociale.

Shala: Kriteri prej 5 milionë eurosh nuk është përmendur në komision, për këtë jap dorëheqje

“Ne i kemi mbajtur dy seanca gjatë kësaj kohe, lidhur me këtë. Mirëpo, qekjo 5 milionë nuk e di që na janë prezantuar. Kjo në Neë York me u prezantu është e tepërt. Kështu që desha të iu njoftoj se ne si GP i PDK-së, nuk e përkrahim këtë, dhe nëse vazhdon kështu, unë nuk do të jem pjesë e komisionit”, tha Shala.

Zyrtari Ligjor, Fatos Osmani, qartësoi se cilat janë kompetencat e Kuvendit komunal.

Osmani: Kuvendi ka të drejtë me e anulu vendimin

“Kriteret nuk i përcakton Kuvendi. E dyta, ky Kuvend ka të drejtë me anulu komplet vendimin për dhënien në shfrytëzim të kiosqeve që ka qenë në vitin 2017. Ka të drejtë me e anulu komplet këtë proces dhe kjo procedurë mbyllet”, tha ai.

Të ndodhur përballë kësaj situate, Kuvendi komunal shkoi në pauzë, ndërsa shefat e grupeve parlamentare u takuan me përfaqësuesit e Zyrës Ligjore, për të parë se cila është rruga që duhet ndjekur në këtë rast.

E pas vazhdimit të kësaj mbledhje, me 43 vota për u miratua pika e rendit të pikës për pezullimin e procesit deri në harmonizimin e kritereve përballuese për konkurrentët.

E me duartrokitje u mirëprit fjala e asamblisti Agim Gashi, i cili tha se pas diskutimit me Zyrën ligjore kanë vendosur të mos jenë bllokues. 

Gashi: Të pezullohet procesi deri në harmonizimin e kritereve përballuese

“Propozojmë që të pezullohet procesi deri në harmonizimin e kritereve përballuese për konkurrentët”, tha ai.

Në emër të qytetarëve protestues, kryetari i përfaqësuesve të kiosqeve Sadudin Ahmeti, shprehu falënderim për marrjen parasysh të kërkesave të tyre nga asamblistët komunal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat