Komuna e Prishtinës e dënoi Ujësjellësin, këta të fundit e quajnë veprim hakmarrës

Prishtina

Komuna e Prishtinës e dënoi Ujësjellësin, këta të fundit e quajnë veprim hakmarrës

Më: 12 korrik 2019 Në ora: 22:10
Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”

Komuna e Prishtinës ka dënuar Ujësjellësin Rajonal “Prishtina”, për shkak se ka dëmtuar rrugën në 12 zona të punës.

Këtë e ka bërë të ditur sot, drejtori i kësaj drejtorie, Adonis Tahiri.

Mirëpo në lidhje me këtë ka reaguar Ujësjellësi Rajonal Prishtina të cilët kanë thënë se këtë drejtori Tahiri e ka bërë në shenjë hakmarrjeje për deklaratat e kësaj kompanie ditëve të fundit.

Lexoni më poshtë deklaratën e plotë të KRU “Prishtina”:

Pavarësisht punës tonë, me ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit, një pune më shumë se 12 orëshe gjatë një dite, për të investuar në infrastrukturën e rrjetit të ujit dhe kanalizimit, duke punuar në ndrrimin e tubave të vjetër për një furnizim më të mirë me ujë, duke sanuar rrjedhjet e ujit afër vendbanimeve dhe shumë punë të tjera teknike, po duket se të tjerët nuk po na lënë rehat.

Nga pamundësia dhe nga mosguximi për të kryer me nder detyrat e tyre të punës, në përshkrimin dhe marrjen e masave ndaj Investitorëve Privat kur dëmtojnë  gypat me diametra të mëdhenj të ujësjellësit dhe që lënë mbi 10.000 banorë të tre zonave pa ujë të pijshëm ( rasti konkret i tanishëm, punimet afër Pallatit të Drejtësisë), shefi i Inpekcionit të Komunës së Prishtinës z. Adonis Tahiri në shenjë hamarrjeje pas deklaratave të vërteta ditëve të fundit nga ana jonë, del me krenari, sulmon punën e ujësjellësit , punën e punëtorëve teknik duke e gjobitur kompaninë tonë për mos kthim në gjendjen e mëparshme të disa rrugëve ku kemi punuar, pa u konsultuar me ne dhe pa pyetur për arsyet, të cilat do mund të gjenin vend në një bashkëpunim ndër institucional.

Nuk bëhet kështu puna e mirë e një departamenti të Komunës që është në shërbim të qytetarëve të saj dhe u themi atyre që nuk është ky bashkëpunimi i duhur.

Atëherë , pasi shumë qartë po duket të jetë një “hakmarrje” ndaj deklaratave të ditëve të fundit, ditëve në vijim do të paraqesim publikisht borxhet e tyre ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit dhe njëkohësisht lëndët e tyre do dërgohen te përmbaruesit privat dhe do t’i trajtojmë me kujdes pëlqimet për kyçje teknike të objekteve të reja ndërtuese.

Në të njejtën kohë, do e rishiqojmë dhe diskutojmë marrëveshjen financiare të ndërtimit të fabrikës së trajtimit të ujit në Shkabaj, ku Komuna e Prishtinës ende nuk e ka paguar shumën prej 2.5 milion euro të zotuar për këtë fabrikë, ndërsa meritat për ndërtimin e fabrikës dhe furnizimin 24 h pa ndërprerë me ujë, nuk mungonin asnjë moment nga zyrtarë të lartë të Komunës së Prishtinës.

Qytetarë të nderuar,

Bashkëngjitur gjeni fotografinë e rrugës së dëmtuar dhe pyetni shefin e Inspekcionit, a e dëmtoi këtë rrugë ujësjellësi apo!!!

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat