Nënshkruhet marrëveshja për krijimin e Sunny Hill Academy në Prishtinë

Prishtina

Nënshkruhet marrëveshja për krijimin e Sunny Hill Academy në Prishtinë

Më: 2 gusht 2019 Në ora: 13:55
Nënshkruhet marrëveshja për krijimin e Sunny Hill Academy në Prishtinë

Sunny Hill Foundation dhe Komuna e Prishtinës kanë nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi për krijimin e “Sunny Hill Academy në Prishtinë”, një hapësirë që do të jetë në shërbim të të rinjve në Kosovë për zhvillimin e talentit të tyre.

Për këtë Sunny Hill Foundation po i jep 150 mijë euro. Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, nënshkroi sot marrëveshjen në Prishtinë dhe tha se kjo ishte një ëndërr për të.

Fituesja e çmimeve Grammy dhe Brit Awards, Dua Lipa mori pjesë në konferencën e prezantimit të projektit “Sunny Hill Fondation Music & Art Center”, prej ku tha se po ndjehet krenare që po realizohet projekti i krijimit të hapësirat për talentët në Kosovë.

Lipa: Krijimi i hapësirës për të rinjtë ka qenë ëndërr e madhe për ne

“Kjo ka qenë një ëndërr e madhe për ne, me mujt me pas një hapësirë ku fëmijët dhe rinia munden me ardh, sepse po e dimë sa kemi kreativë, dhe po e dimë sa ka talent në Kosovë në përgjithësi ,dhe me mujt me pas një vend diku, një bazë, për të gjithë me ardh dhe me mujt me shpreh talentin. Me pas qat mundësi, me bashkëpunu për diçka pak më ndryshe për ardhmërinë e rinisë, ka qenë ndër për ne shumë e madhe, tash që po e shohim që po bëhet realitet po ndjehem shumë krenare”, tha ajo.

Dukagjin Lipa tha se qëllimi i fondacionit prej fillimit ka qenë krijimi i një hapësirë që do të jetë në shërbim të të rinjve.

Lipa: Fondacioni ka pas gjithmonë qëllimin krijimin  e një hapësire për të rinjtë

“Qëllimi i fondacionit ka qenë prej fillimisht që të kemi një hapësirë e cila do të jetë në shërbim të të rinjve kosovarë, shqiptarë, në mënyrë që ta kthejmë atë frymën artistike të cilën ndoshta fëmijët e Prishtinë dhe Kosovë e kërkojnë dhe e dëshirojnë, ashtu siç e kemi pas ne më përpara. Pra krijimin e hapësirave ku do të ushtrojnë, ku kanë me pas mundësi me incizu këngë të reja , kanë me pas mundësi, ka me pas profesorë dhe njerëz të cilët do t’i ndihmojnë artistët në mënyrë alternative të edukohen edhe në çështjen e muzikës dhe në ngritjen talentit dhe zhvillimin e talentit të tyre”, tha ai.

E kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se Dua Lipa është ambasadori më i mirë i Prishtinës dhe Kosovës, kudo në botë.

Ahmeti: Sunny Hill Academy do të jetë studio të ushtrimeve dhe incizuese

“Unë kam kënaqësinë që sot bashkë me Duan edhe Dugin po e nënshkruajmë një marrëveshje, ku SunnyHill Foundation do të investojë bashkë me komunën,  kontribuojnë me 150 mijë euro në rregullimin e hapësirave që po e quan Dua, Sunny Hill Academy. Ku do të ketë studio të ushtrimeve, studio incizuese, instrumente për të ushtruar talentët e Kosovës. Dhe kam kënaqësinë që të lajmërojmë se që prej kur e kemi marrë Pallatin e Rinisë në menaxhim tashmë e kemi vendosur që pjesën ku ka qenë American School of Kosova, ta japim në shfrytëzim për shkollën e muzikës ”Prenk Jakova”, e cila do të bartet komplet në atë pjesë, dhe po ashtu një pjesë do të jetë e dhënë në bashkëpunim me SunnyHill Foundation, ku do t’i ndërtojmë këto studio dhe do ta kemi Sunny Hill Academy”, tha Ahmeti.

Ai tha se organizatorët e festivalit, janë më meritorët që për disa ditë Prishtina do të jetë kryeqendër në Ballkan dhe më gjerë.

Në këtë konferencë Dua Lipa nuk tregoi nëse do të përformojë në festival me Calvin Harris, për këtë tha se mbetet befasi.

Sunny Hill Festival fillon sonte në parkun e Gërmisë në Prishtinë, dhe përfundon të dielën. Aty do të marrin shumë yje botërore, përfshirë edhe Calvin Harris, Miley Cyrus, Gashi e të tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat