Kurti: Mungesa e një pike qendrore turistike mbetet problem për Prishtinën

Prishtina

Kurti: Mungesa e një pike qendrore turistike mbetet problem për Prishtinën

Më: 18 shtator 2019 Në ora: 12:46
Albin Kurti, ka vizituar sot Xhaminë e Çarshisë në Prishtinë

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka vizituar sot Xhaminë e Çarshisë në Prishtinë, me ç’rast ka thënë se është stërzgjatur restaurimi i saj.

Kurti, i shoqëruar nga dy kandidatët e këtij subjekti për deputet në Kuvendin e Kosovës, Hajrulla Çeku e Yll Rugova, tha se stërzgjatja e restaurimit të kësaj xhamie nuk është problemi i vetëm.

Mungesa e një pike qendrore turistike, për të mbetet ndër problemet që ka Prishtina.

Kurti: Mbetet problematike mungesa e një pike qendrore turistike për Prishtinën

“Problemi tjetër është edhe mungesa e një pike qendrore turistike për Prishtinën, pikërisht te kjo xhami, për vizitat e turistëve të ndryshëm. Edhe në vendet e botës të zhvilluar demokratike ekzistojnë vende të trashëgimisë kulturore, në të cilat vizitohen ndërtesat dhe objektet në mënyrë cilësore nga turistët teksa ato janë duke u restauruar. Mirëpo, ju po e shihni se këtu nuk ekzistojnë as kushtet minimale për një vizitë turistike të kësaj xhamie, e cila është mbi 6 shekuj e vjetër”, tha Kurti.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet në Kuvendin e Kosovës, Hajrulla Çeku, tha se problemi i stërzgjatjes së restaurimit qëndron tek institucionet që nuk e kanë trajtuar si duhet këtë proces.

Gjendja e kësaj xhamie, sipas Çekut, tregon më së miri se si është trajtuar trashëgimia përgjatë këtyre viteve.

Sipas tij, menaxhimi i trashëgimisë kulturore përfundimisht duhet të bëhet me bizneset, organizatat dhe komunitetin, në mënyrë që shteti të shkarkohet nga barra financiare për ta mbuluar koston.

Çeku: Ndërhyrja emergjente në monumentet në rrezik prioritet i qeverisjes sonë

“Ky do të jetë një nga prioritetet e qeverisë së re të Kosovës, jo vetëm për të plotësuar kuadrin ligjor për çka është punuar viteve të fundit, por edhe ta zbatuar atë kuadër në disa raste që janë shumë problematike. Ne kemi nevojë për një angazhim, për një ndërhyrje emergjente. Shoqëria civile në Kosovë ka konstatuar qindra raste të monumenteve në rrezik. Janë monumente që tash në këtë moment mund të shemben dhe i humbin përgjithmonë. Do të jetë një ndërhyrje e shpejtë e monumenteve që janë në rrezik dhe e dyta, do të kemi shumë kujdes në mënyrën sesi do të bëhen restaurimet”, tha ai.

E kandidati tjetër i LVV-së për deputet, Yll Rugova, tha se në vend se të përparohet në fushën e trashëgimisë kulturore, në këtë drejtim ka pasur regres.

Rugova: Është momenti që të fokusohemi në zhvillimin e turizmit

“Kjo ndërtesë ku jemi sot ka një rëndësi të veçantë, sepse është 600 vjet e vjetër dhe është një ndër ndërtesat më të vjetra të komunës së Prishtinës. Kjo ndërtesë, nëse e marrim shembull modelin e ‘Aja Sofisë’ në Stamboll, kjo do të shërbente si një lloj muzeu që kishte për të përshkruar gjithë historinë e qytetit të Prishtinës... Tash është një moment që turizmit t’i japim një fokus, sepse Prishtina është një prej kryeqyteteve të vetme që nuk e ka një narrativë konkrete sa i përket turizmit, megjithëse ne në komunën e Prishtinës kemi punuar në këtë drejtim. Besoj se kjo duhet të  avancohet më tutje në qeverisjen që po vjen”, tha ai.

Xhamia e Çarshisë është një ndër objektet e para të ndërtuara në Prishtinë dhe ndodhet në qendër të qytetit. Ajo është ndërtuar në vitin 1391, ndërsa gjendja e saj sot lë për të dëshiruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat