Shpend Ahmeti ‘zapton’ 100 për qind hapësirat reklamuese në zemër të Prishtinës

Prishtina

Shpend Ahmeti ‘zapton’ 100 për qind hapësirat reklamuese në zemër të Prishtinës

Më: 26 shtator 2019 Në ora: 22:08
Foto ilustrim

Fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit ka filluar të mërkurën. Kryeqyteti është vendi kryesor ku partitë politike mëtojnë të komunikojnë më simpatizantët e tyre.

Shpend Ahmeti duket që nuk po i beson shumë punës së vet që e bëri përreth gjashtë vite në Prishtinë.

Ai ka vendosur që për zgjedhjet e 6 tetorit të shfaqet më shumë në sytë e qytetarëve përmes fotografive të tij e të bashkëpartiakëve sesa ta lë punën e vet të flasë.

Ahmeti është treguar i pakompromis me partitë e tjera për ndarjen e hapësirave reklamuese në kryeqytet. Rrugët kryesore që ndodhen në mes të Prishtinës janë mbuluar me posteret e Partisë Socialdemokrate, shkruan lajmi.net.

Rrugët kryesore –vajtje dhe ardhje, prej “Hotel Grand”-it e deri te semaforët e PTK-së janë mbushur me fotografitë e kandidatëtve për deputet nga radhët e PSD-së. Po ashtu edhe rruga “Luan Hardinaj” dhe pjesa përballë objektit të Komunës.

Këto hapësira reklamuese të zëna nga PSD-ja ndodhen nën autoritetin e komunës që drejtohet nga Shpend Ahmeti.

Lajmi.net ka kërkuar sqarime nga Komuna e Prishtinës lidhur me atë nëse ka pasur edhe parti të tjera të interesuara për këto hapësira dhe sa është shuma që do të paguan PSD-ja, por Komuna ka refuzuar të flasë.

Ndërkohë, disa asete të reklamimit që ndodhen në sheshin “Nenë Tereza” në Prishtinë janë të zëna nga partneri i koalicionit të Ahmetit, AAK-ja. Në to është pasqyruar, Ramush Haradinaj.

Kujtojmë që me hapësirat reklamuese përreth 17 vjet ka menaxhuar kompania “AAM” e cila ka pasur kontratë me Komunën e Prishtinës.

Komuna ia kishte shkëputur kontratën kësaj kompanie në mars të vitit 2018, një muaj pa i kaluar validiteti kontratës. Pas shkëputjes së kontratës, Komuna i kishte hequr edhe asetet e vendeve reklamuese që ishin të hapësira të ndryshme dhe madhësi të ndryshme si: Billbord , City light, Shtylla, Megalight. Tash kanë mbetur vetëm disa hapësira të pakta reklamuese, pasi komuna nuk ka shpallur akoma ofertë.

Në kontratën të cilën e kishte parë lajmi.net, për hapësirat e publicitetit kjo kompani i paguan komunës 310 mijë euro në vit.

Kjo kompani që nga viti 2001 mbante të drejtën ekskluzive për vendosjen e reklamave në kryeqytet.

Asnjëherë nuk u lejua qasje në këtë kontratë, përderisa e njëjta ishte vazhduar në vitin 2006 mbi një tender që ishte hapur për ndërtimin e kioskave ku do të kishte edhe hapësira reklamuese. E fundit është kontrata që lidhi qeveria në ikje e Isa Mustafës më  4 prillit të vitit 2013, që nuk dihet se cilat kanë qenë kushtet për ta fituar të drejtën për lidhje kontrate. Por, sipas kësaj kontrate, AMM-ja ka pasur të drejtën ekskluzive të vendosjes së reklamave edhe për 5 vjet të tjera, ose deri më 4 prill të vitin 2018.

Firmën në këtë kontratë nga ana e Komunës e kishte vënë ish-kryetari Isa Mustafa dhe drejtori i AMM-së, Gëzim Salihu.

Ndërkohë, kompania AMM ishte ekspozuar edhe si financuese e LDK-së. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat