Miratohet buxheti i Prishtinës për vitin 2020

Prishtina

Miratohet buxheti i Prishtinës për vitin 2020

Më: 27 shtator 2019 Në ora: 13:09
Shpend Ahmeti

Kuvendi komunal i Prishtinës, ka miratuar sot buxhetin komunës mbi 91 milionë euro për vitin 2020 dhe Kornizën Afatmesme Buxhetore për periudhin 2020-2022(KAB) .

Këtë vit kjo komunë do të ketë buxhetin më të madh për rreth 11 milionë euro, mjete këto të cilat i ka përfituar nga Ligji për Prishtinën.

Pas kundështimeve të shumta kryesisht nga partitë e opozitës, propozimvendimi për buxhetin pësoi disa ndryshime në marrëveshje me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti. 

Agim Gashi në emër të LDK, pati vërejtje për shpërndarjen e buxhetit të vitit 2020, i cili kërkoi të bëhet rishikimi shpërndarjes, sepse sipas tij,  shpërndarja është bërë pa koordinimin ose bashkëpunimin e opozitës në këtë asamble. 

Gashi ka kërkuar të futen në buxhet projektet për ujë të pijes dhe ujëra të zeza për fshatrat e Gollakut, për çka është pranuar kërkesa e tij me ndryshimet buxhetore.  Ndërsa, sipas tij, nga të hyrat vetanake nuk ka ndonjë lëvizje dhe nuk janë në përputhje me kornizën afatmesme. 

Mirsad Vitia nga VV, paraqiti mospajtimet për këtë buxhet, që sipas tij, ka rritje të buxhetit për shpenzime në administratë dhe për blerjen e pesë veturave, ku sipas të cilit për këtë,  kryetari Shpend Ahmeti ka rënë në lajthitje.  

Leutrim Retkoceri nga PDK duke theksuar se nuk e përkrah buxhetin e propozuar tha se buxheti 2020 mbetet tradicional, por fatkeqësisht nuk është buxhet me prioritetet.  Po ashtu edhe Arbër Vokrri, nga VV tha se edhepse ka ngritje të buxhetit 2020, ka ulje të buxhetit për shëndetësi, që sipas tij, kjo është papranueshme.  

Asambleistja Naime Osmani nga LDK ngriti shqetësimin për mos futjen në buxhet të asnjë projekti për fshatrat e Prishtinës në drejtim të Podujevës.  

Egzon Azemi nga VV, tha se nuk janë marrë parasysh kërkesat e qytetarëve për buxhetin 2020, ndërsa shtoi se kryetari Shpend Ahmeti është marrë vetëm me fushatë dhe me gënjeshtra.  

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka arsyetuar se planifikimi i të hyrave komunale është përcaktuar nga Qeveria qendrore, sipas të cilit, janë kufijtë përcaktues nga Ministria e Financave, ndërsa për mallra dhe shërbime sipas Ahmetit ka ngritje të shpenzimeve mbi 1 milion euro.  

Sipas tij, 2. 5 milionë euro janë paraparë me këtë buxhet për ndërtimin e tunelit në rrugën “Agim Ramadani”, ndërsa, pas kërkesës së asamblistëve të LDK ujësjellësin, 500 mijë euro nga ky projekt do të barten për ujësjellësin e fshatrave të Gollakut.  

Kryetari pranoi se 19 fshatra të komunës së Prishtinës, nuk kanë furnizim me ujë të pijes dhe shprehu gatishmërinë që me bartje të mjeteve të bëhet zgjidhje për ujin e pijes edhe në Gollak.  

Ahmeti tha se me këtë projektbuxhet është paraparë të ndërtohet edhe një therrtore.  AAK dhe AKR kanë përkrahur propozim vendimin për buxhetin 2020. Ndërsa, pas një pauze, asamblistët do të diskutojnë edhe pika të tjera të rendit të ditës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat