Mbahet për herë të tretë Parada e Krenarisë - Bota Sot
Mbahet për herë të tretë Parada e Krenarisë

Prishtina

Mbahet për herë të tretë Parada e Krenarisë

Më: 10 tetor 2019 Në ora: 14:02
Foto Ilustrim

“Për kon t’rreh zemra”, është moto e sivjetme e Paradës së Krenarisë, e cila për herë të tretë po mbahet në Kosovë. Me dhjetëra njerëz edhe këtë vit i janë bashkuar këtij marshi, i cili ka filluar nga sheshi “Skënderbeu”, në drejtim të sheshit “Zahir Pajaziti”.

Lend Mustafa, organizator i kësaj parade tha se përmes këtij organizimi edhe një herë po kërkojnë të drejtat bazike, të cilat sipas tij u premtohen edhe me Kushtetutë, por që ligji po del ndesh me to.

Mustafa: Është ditë e rëndësishme dhe historike për neve

“Sot është një ditë shumë e rëndësishme, shumë historike për neve, për shkak se komuniteti LGBTI  e ka mundësinë me qenë vizibil  edhe me i adresu  nevojat tona.... Duke qenë vizibil  edhe duke i adresuar çështjet tona, kjo ka arrit jo vetëm të vetëdijësu popullatën , por ka arritur edhe me i ndihmu personat LGBTI të cilat janë të fshehur, e që nuk guxojnë me tregu  dhe jetojnë në rrethana të cilat  nuk ua mundësojnë me qenë të lirë”, tha ai.

Krahas kësaj, Mustafa tha se sot po marshojnë për barazi, dashuri e drejtësi.

Mustafa: Na rreh zemra për juve që ju dëbuan nga familjet e juaja 

“Na rreh zemra për juve që ju dëbuan nga familjet e juaja, për juve që çdo ditë përballeni me presion në shtëpitë tuaja, aty ku duhet të jeni më të sigurtë. Na rreh zemra për transgjinorët që deri vonë na u mohua edhe identiteti, vetëm këtë vit dhjetëra  transgjinor kanë kërkuar  me fillu me procedura  hormonale, e shteti ende nuk e ofron këtë”, ka shtuar ajo.

I pranishëm në këtë organizim ishte edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili tha se parada  është luftë për barazi, dhe të drejta të njëjta, në mënyrë që mos diskriminohen e  stigmatizohen.

Ahmeti: Të gjithë e dimë sa shoqëri konservatore jemi

“Nuk është as sekret, të gjithë e dimë që  se çfarë shoqërie konservatore  jemi sa i përket  të drejtave të komunitetit LGBTI. Ne ndoshta nuk e kemi shpërfaqur  këtu për shkak të bashkësisë ndërkombëtare, por dihet se është vështirë për një person i cili  i takon këtij komuniteti  të del dhe të tregoj haptas që është  përfaqësues i këtij komuniteti, sepse patjetër  do të jetë e rrezikshme për të”, u shpreh Ahmeti.

Mikael Sinan Amir, i cili vjen nga Danimarka tha se vendi prej nga vjen është liberal, dhe se është më lehtë të jesh pjesëtar i LGBTI-së se sa në Kosovë.

Sinan Amir:  Është shumë e rëndësishme ta mbështesim këtë paradë

“Unë jam gay dhe mysliman  si dhe shkoj  në xhami . Është shumë e rëndësishme të mbështesim këtë paradë . Është shumë e rëndësishme të jem këtu dhe  jap mbështetjen time tek Ballkanasit  në këtë krenari.... unë vi prej një vendi i cili është kogja liberal  dhe është shumë me lehtë  të jesh LGBT  sesa këtu ne Ballkan”, ka thënë ai.

Kujtojmë se të hënën është bërë hapja e “Java e Krenarisë” me ç’rast ishte prezent presidenti Hashim Thaçi dhe ambasadori amerikan, Philip Kosnett.Ky i fundit iu bashkua edhe sot marshit të Paradës së Krenarisë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...